Hyka, në janar largohet nga Mainci në formë huazimi
Jahmir Hyka dhe Mainc 05, një "bashkëjetesë" që asnjëherë nuk funksionoi ashtu si ishte parashikuar. Gjatë verës, talenti shqiptar u transferua me shumë bujë te klubi i Bundesligës II, duke firmosur një kontratë me vlerë 3.7 milionë euro për tri vitet e ardhshme. Gjithsesi, pas afro pesë muajve, 20-vjeçari nuk ka arritur të sigurojë një vend në skuadër. Problemet me ingranimin në radhët e Mainc 05 kanë shqetësuar edhe drejtuesit e klubit, që tashmë po mendojnë ta largojnë në merkaton e janarit, me formulën e huazimit. Gjatë një deklarate për mediat gjermane, Kristian Heidel, menaxheri i skuadrës, deklaroi: "Jahmir Hyka është një prej lojtarëve për të cilin po punojmë të gjejmë një skuadër. Këtu te Mainc ka shumë konkurrencë, madje mund të them se rivaliteti është më i fortë se te çdo skuadër tjetër në Bundesligën II. Duke biseduar me të (Hykën) kemi dalë në përfundimin se i nevojitet një ekip ku mund të luajë rregullisht".