Një triptik gërryes
Janë mbledhur në këtë libër të ri tekste të përzgjedhura, botuar nëpër periodikë ose si libra më vete, plotësuar me shkrime të freskëta. E gjitha i paraqitet lexuesit në formën e një triptiku ngacmues, organizuar rreth “M”-së së madhe: Monumentet | Mitet | Misteret. Çdo “M”-je të madhe ideore i përgjigjet një “p” i vogël formalizues: provokimi për Monumentet, parabola për Mitet, paradoksi për Misteret.
Me Ridvan Dibrën lexuesi nuk është kurrë i sigurtë se në ç’shteg do të dalë. I sigurtë është vetëm për një gjë, se ironia e grotesku do ta shoqërojnë në çdo hap. Si Gjergj Elez Alinë, të cilit autori, në dy libra të përparshëm, i ngarkon mbi shpinë, përpos nëntë plagëve të legjendës, edhe makinë shkrimi, postë elektronike, bute me verë, pa folur për çetën e djemve bukuroshë që i hedhin guralecë Gjergjit për t’i tërhequr vëmendjen; dhe Gjergji mban, pa iu thyer kurrizi. Mban edhe kurrizi i lexuesit, me dijen se në veprën e Ridvan Dibrës ironia dhe grotesku janë pak, përpara qesëndisë së hollë, shpotisë së drejtpërdrejtë e talljes delirante, të cilat autori nuk ia kursen as vetes, pale më lexuesit.
Mjaft libra të Ridvan Dibrës kanë pikërisht këtë natyrë dhe sillen në këtë regjistër: ironia dhe vetironia duken forma më prodhuese, më e gjallë dhe më e qëlluar e tipit të tekstit që na propozon ky autor. Për t’u ndalur qoftë edhe në këtë libër, ku pjesa e parë dhe e tretë e triptikut, respektivisht Monumentet dhe Misteret, mbështeten mbi efektin gërryes të vëzhgimit ironik. Nëse, mandej, kemi parasysh se ironia është virtyt filozofik, atëherë edhe teksti i Dibrës përftohet gjatë leximit me ngarkesën filozofike pozitivisht të nevojshme.
Kështu, “Rrëzimi i Monumentit” vërtet mund të lexohet si një tekst ku numërohen arsyet pro dhe kundër rrëzimit të monumentit, arsye që mund t’i shërbejnë si pika reference cilitdo analist të angazhuar për çështje të ngjashme, mirëpo dritësimi ironik na detyron të kërkojmë arsyen-mëmë, atë arsye që e justifikon tekstin dhe që justifikohet prej tij. Shohim, atëherë, se dhjetë arsyet pro dhe dhjetë arsyet kundër rrëzimit të monumentit, duke u balancuar në peshë, zhvleftësohen reciprokisht dhe e anullojnë njëra-tjetrën. Pavarësisht se debati mund të vazhdojë dhe arsyet e të dy kampeve mund të shkojnë nga “dhjetë” në “njëmijë e një”, monumenti ose cilido objekt monumental debati, rrezikon të mbetet i patundur, edhe mbasi argumentat pro e kundër të jenë mbaruar dhe debati të jetë angazhuar sërish për një tjetër objekt. Mbetet, në njërin krah, konstatimi ironik se debatet shterpë e paralizojnë debatin, kurse në krahun tjetër i hapet shteg idesë filozofike për të vërtetat relative. Se çfarë kupton lexuesi në fund të leximit, kjo varet nga aftësia e tij e të lexuarit, po aq sa nga puna e tij me tekstin dhe me veten.
Në pjesën e dytë të triptikut, “Mitet”, vendin e nderit e zë parabola, një formë së cilës Dibra ia gjen rrënjët në Bibël e në Kuran, për ta përdorur me po atë nikoqirllëk për funksion pastërtisht letrar. Duke i dhënë rrëfimit antik formën e parabolës, Dibra e sjell mitologjinë më pranë ndjesive dhe perceptimit modern. “Mitet” përmban riinterpretim ngjarjesh, situatash, bëmash dhe heronjsh mitologjikë, qëmtuar nga mitet anësore greko-romake, ose mbështetur në detaje dytësore të miteve të stërnjohur. Punë e vërtetë krijuese dhe origjinale, meqenëse shmangia e figurave heroike të stërkomentuara paraqitet si mënyra më e volitshme për t’i shpëtuar përsëritjes. Autori arrin t’i bëjë heronj letrarë ca emra gati anonimë të mitologjisë, nëpërmjet nxjerrjes në dritë të situatave pak të njohura, të cilat i mbush me kuptim të aktualizuar. Për fat, pothuaj në të gjitha rastet ia ka qëlluar.
Ndalemi në një rast të vetëm, në tekstin “Bermudet”, me të cilin mbyllen “Misteret” dhe krejt vëllimi. Shkrimtari, mësues i gjuhës, bëhet gati të flejë, kur gjumi i natës i çartet prej mjaullimash të hatashme të maceve të lagjes; të nesërmen, në zgjim, beson se një ëndërr e keqe e ka hedhur në një vorbull ujërash përpirëse, që i kujtojnë Trekëndëshin e Bermudeve. Kurse mua, rileximi i këtij teksti më kujtoi një mesazh email që ia pata nisur autorit në kohën kur “Bermudet” qe botuar për herë të parë në një të përditshme, diku nga prilli i vitit 2004; meqë kutia elektronike ma ka ruajtur atë mesazh, po ia dorëzoj dashamirësisë së lexuesit, kryekëput të pandryshuar, me besimin se vetëm letërkëmbimi autentik ka vlera dëshmie:
“Ej, Ridvan, atë punën e ‘BermuTeve’ ta besoj: asht me të vërtetë nji ankth e nji çmenduri pa kurrkund mundësi përshkrimi ajo gjàma me dashni-egërsi macesh e qenjsh nën penxhere të odës së gjumit... Po ti je krejt mirë, me Bermudet pështjelluese, si me thanë e ‘përgjithëson’ faktin e vogël intim dhe e kthen në diçka që asht edhe s’asht punë macesh që pallin (a ‘pallin’ macet?!) si shpirtna të këqij, pa u ngacmue prej askujt. Në fakt, unë të shoh krejt qartë në mbathje të zeza burrash, tue ju garraveshë maceve; bile, në atë pikë ku e çon ti punën, do të të kisha pa po kaq bukur me nji kallashnikov në dorë, tue ua lëshu breshninë në birë të fytit... por si duket të ka pengue mendimi se mos ndoshta, për dreq (se punë dreqi asht kjo, fund e krye!), ndonji plumb qorr shkon e bjen mbi komshijen në kotull të tejdukshme... Je i mbushun me fantazma, bre mik, veç dije se, sa ma shumë mundohesh me i fshehë, aq ma keq ndihesh edhe në shkrime, edhe në jetë. Qite dufin, shkrueji gjanat si i ndien, e hiç mos u tremb se çka po thotë kush. Besoj se je i papërballueshem kur nuk merr masa të gjithfarësojshme me u mshehë! Shfaqja e vetes tande asht ndër gjanat shumë të mira që ti din me ba.”
Tekstet e kësaj përzgjedhjeje, intermexo aktive në rrugën krijuese të një autori të konfirmuar, janë të shkurtër, nga një deri në tetë faqe. Të rrjedhshëm dhe të drejtpërdrejtë. Shumëtrajtësh: diku teksti merr formën e një aksiome morale, diku të një parabole të rrasët, tjetërkund të një dialogu absurdizues, e diku tjetër të një rrëfimi të dyfishtë asimetrik, procedim me të cilin Ridvan Dibra na ka befasuar paradokohësh me librin “Sesilja sexonic”. Si fill organizues për tërësinë e vëllimit shërben parimi i lexueshmërisë, ngushtësisht i lidhur me dëshirën e autorit për të qenë i kuptueshëm dhe i kuptuar. Në këtë pikë, jemi dakord: në letërsinë e sotme, postmodernizmi po shfaq shënja urtësimi; simethënë, po standardizohet, po priret kah format funksionuese, në të mirë të vet dhe të lexuesit.