E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vejusha e zezë nga Gramshi

Dardenne-t kanë shkruar një histori që ka në qendër një shqiptare. Që nacionaliteti nuk ka fare rëndësi në art, është njëlloj si të biesh dakord me gjuhën e politikës së ditës që synon një komunitet evropian solidar e të tjera si këto. Lorna e Dardenne-ve nuk është një vepër autentike, është një lule sere, e pangjyrë, pa jetë, e thatë. Për Arta Dobroshin ky konceptim i Lornës është mëse i drejtë dhe Dardenne-ët janë thjesht gjenialë

Selanik- Është një shqiptare emigrante në Belgjikë që iu hyn pazareve për nënshtetësinë dhe për një të ardhme të sigurtë. Rruga deri këtu kalon përmes një pakti për vrasjen e të shoqit (është martuar për të marrë nënshtetësinë) dhe një fature të shtrenjtë për t’iu paguar ndërgjegjes. Historia që kanë shkruar dhe realizuar për ekran Dardenne brothers, me protagoniste aktoren shqiptare të Kosovës, Arta Dobroshi, ka kohë që tregohet dhe ritregohet në faqet e shtypit. “Heshtja e Lornës” po bën xhiron nëpër kinematë e EU-së. Më 17 nëntor u shfaq afër nesh, në Selanik ku ishte e ftuar aktorja. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik i kishte kushtuar nëkëtë edicion të 49-të një hapësirë të posaçme – janë shfaqur filmat kryesorëtë regjisorëve belgë, disa herë laureatë të Palmës së Artë në Kanë. Në Kanën e fundit, “Heshtja e Lornës” mori çmimin për skenarin më të mirë. Jean Pierre&Luc Dardenne qëndruan fare pak në Selanik. Kështu që Dobroshi ishte e vetme në prezantimin që iu bë filmit në një nga kinematë në portin e Selanikut.

Kinemaja ishte plot vërtet (siç ishte plot dhe për filmin shqiptar “Koha e kometës” një natë para). Kjo është e natyrshme në Festivalin e Selanikut. Ato nuk ngjajnë aspak me peizazhin që ofrojnë kinematë publike të metropoleve në rutinën e tyre.

Edhe interesi i njerëzve pas shfaqjes ishte i zbehtë. Aktorja u pyet nëse Lorna ishte vërtet shtatzënë me njeriun që e shpuri drejt vrasjes apo shtatzënia ishte në kokën e saj, sepse po përpiqej të qetësonte të gjente paqen me jetën që sapo kishte lënë pas? Një pyetje tjetër ishte për origjinën e Dobroshit dhe ç’gjuhë ishte ajo që fliste Lorna, kur nuk komunikonte frëngjisht? Filmi ka mjaftueshëm dialogë në shqipe.

Dardenne-t kanë shkruar një histori që ka në qendër një shqiptare. Që nacionaliteti nuk ka fare rëndësi në art, siç thuhet rëndom, është njëlloj si të biesh dakord me gjuhën e politikës së ditës që synon një komunitet evropian solidar e të tjera si këto. I ndërtuar me një frymë të tillë, Lorna e Dardenne-ve nuk është një vepër autentike, është një lule sere, e pangjyrë, pa jetë, e thatë. Brenda kësaj kornize është konceptuar dhe zbatuar edhe performanca e Arta Dobroshit.

Vejusha shqiptare e bërë belge, i ka hyrë një aventure të rrezikshme ku ajo vepron me një preçizion të admirueshëm, një perëndimore më e ftohtë se perëndimorët edhe në vdekje.

Kurse për Arta Dobroshin ky konceptim i Lornës është mëse i drejtë dhe Dardenne-ët janë thjesht gjenialë.

Arta që nga dita e premierës në Kanë deri dje në mbrëmje, të njëjtin mendim ke për filmin?

(qesh) Unë s'mundem të ndryshoj mendim për filmin.

Të bëri përshtypje ajo pritje disi e ftohtë e publikut, kryesisht grek?

Përkundrazi, unë e kam parë shumë ngrohtë. U emocionova që kam parë aq shumë njerëz, të ulur edhe në shkallë. Në çdo vend ku shkoj, mund ta ndjej energjinë e publikut, menjëherë. Këtë herë ka qenë shumë e mirë. Edhe publiku edhe njerëzit e festivalit, janë mahnitës.

Lorna, çfarë domethënie ka emri?

Nuk e di, nuk e kemi pyetur veten çfarë domethënie ka. Kam dëgjuar që ka Lorna emër shqiptar, është edhe një Lorna Burn një shkrimtare e Skotlandës, shumë e njohur. Kështu që, nuk e di.

Ti ke njohur histori reale si ajo që trajtojnë vëllezërit Dardenne?

Historia e Lornës është pak ndryshe prej asaj reale. Nuk ka shumë njerëz që bëjnë gjëra si Lorna.Ajo ka vendosur të mbysë dikë, ka bërë marrëveshje që dikush të vdesë. Dhe të tillë nuk ka shumë. Kam dëgjuar histori për shqiptarë të Shqipërisë apo njerëz që vijnë prej Afrikës, ose një vendi tjetër që nuk është shumë i zhvilluar, të shkojnë në një vend më të zhvilluar dhe duan të kenë një jetë normale. Njoh plot njerëz dhe kam dëgjuar plot histori, por jo si Lorna. Është e logjikshme ajo që ndodhi me shumë shqiptarë pas rënies së regjimit, sepse kanë qenë të mbyllur për 50 vite. Ose në Kosovë, me atë që ka ndodhur... Por si Lorna, jo, nuk kam njohur.

Përse, sipas mendimit tend, autorët e historisë – regjisorët, nuk e llogarisin të shkuarën e personazheve, nga vjen kjo vajzë dhe grupi i “trafikantëve të nënshtetësisë” me të cilët ajo bashkëpunon.

Kjo nuk është e rëndësishme. Ka filma të tjerë që tregojnë krejt jetën. Me rëndësi është momenti ku gjendet Lorna dhe çdo karakter tjetër, dhe jo çfarë ka qenë më herët. Lorna mund të ishte edhe greke, edhe belge që do donte të jetonte në Amerikë. Ka pasur rëndësi që ajo vjen prej një vendi të vogël për të pasur një jetë më normale, prandaj ka ardhur në Belgjikë. Nuk ka rëndësi prej cilit nacionalitet vjen. Unë e shoh këtu të mirën që, kur e këqyr filmin nuk mundesh të gjykosh. Lorna mund të jesh edhe ti. Kjo është e bukura.

Ti u zgjodhe nga kërkimi në terren që bënë autorët për të gjetur Lornën.

Po, kanë qenë për audicion në Prishtinë, në Tiranë dhe në Shkup, në vendet ku jetojnë shqiptarë.

A ka pasur kërkim në terren edhe për kronikën e kësaj historie?

Pyetja është për Jean Pierre dhe Luc. Unë nuk e di, s'mund të përzihem në punën e tyre, i respektoj. Kish qenë mirë po të pyesnit ata.

Çfarë ka pasur të veçantë puna me Dardenne-t dhe a mund të bësh një krahasim të “Heshtjes së Lornës” me filma të tjerë si “Rozeta” apo “Biri”?

Jean-Pierre dhe Luc janë aq të hapur dhe e respektojnë shumë aktorin. Gjatë provave kanë dashur të dinë mendimin tim. Të japin shumë vetëbesim dhe ta bëjnë atmosferën të tillë që të jesh e relaksuar dhe të fillosh të krijosh lirshëm, pa tension. Respekti është aq i madh ndaj aktorit sa s'mundem ta përshkruaj. Filmat e tyre më pëlqejnë shumë. Më pëlqen mbi të gjitha që bëjnë filma për qenien njerëzore, për ato që mundohen të mbijetojnë dhe që ti nuk mundesh ti gjykosh. I nxjerrin në atë pozitë karakteret që s'ka shanse t'i gjykosh. Veçse respektin më të madh e kam për Jean-Pierre dhe Luc. Me të vërtetë janë fenomenalë.

Kur e kam kryer xhirimin pas 5 ose 6 muajsh, sepse u desh që të mësoj frëngjisht, më është dukur sikur kam kryer një shkollë. Nga çdo film mëson diçka. Duhet që të koncentrohesh shumë dhe ta çmosh xhirimin ose shfaqjen sepse ka për t'u celur një rrugë e re.

Ti ke pasur partner, një nga aktorët me të cilin Dardenne-t kanë punuar gjithnjë.

Po është Jeremie Renier. Janë edhe Fabrizio Rongione, Olivier Gourmet, edhe figurantët kanë luajtur në filma të tjerë. E çuditshme është. E ndjen veten sikur të xhirosh në një familje.

Tek ky film ka ndryshuar vendi i xhirimit. Jemi në Liege. Është dashur të xhirojnë një film në qytet sepse Lorna është vajzë qyteti. Në filmat e tjerë vendet janë më rurale.

Që Lorna vjen nga Gramshi dhe Gramshi njihet si qyteza që i kanë ikur shumë vajza drejt Perëndimit “për një jetë më të mirë”, por që janë trafikuar, është përfillur kjo gjë?

Ka shumë rëndësi fakti që Lorna vjen nga Gramshi dhe ka rëndësi që Gramshi është një vend i vogël i Shqipërisë, që nuk është shumë i zhvilluar, mund të vinte edhe prej Rahovecit ose një vendi tepër të vogël nga Bosnja. Për këtë arsye e kanë ndërruar edhe vendin e xhirimit. Edhe për mua ka qenë me rëndësi që vjen prej një qyteti të vogël. Nuk kam dashur të them që po, kjo është shqiptare dhe të bazohem në një njeri që e njoh. Nuk është histori e vërtetë. Kështu që jemi nisur prej zeros dhe qëllimi ka qenë të krijohej një karakter i ri në këtë situatë.

Filmi i dedikohej një personi të quajtur Henry. Kush është ai?

Është një mik shumë i mirë i Jean-Pierre dhe Luc që ka vdekur gjatë xhirimit të filmit. Më kujtohet që ne kemi xhiruar atë ditë.

Së fundi emri yt është në listën e të nominuarave për çmimin Aktorja më e Mirë Evropiane. Në atë listë të ngushtë emri yt rri përbi Kristin Scott Thomas.

Jam ndjerë shumë e nderuar të jem e nominuar për këtë çmim ku ndodhet edhe emri i Kristin Scott Thomas që më pëlqen shumë. Edhe nominimi për mua është boll. Veç kaq dhe ndihesh e nderuar.

Shanse për projekte?

Normal, të hapen rrugët. Me çdo film që bën të hapet një derë e re. Dhe këtë herë është hapur një derë shumë e mirë. Tërë jetën time edhe tash e mendoj që ne jemi krejt qytetarë të botës dhe kemi shanse të njëjta si bota, dhe bota është shumë e vogël. Duhet të mendosh kështu. Kur mendon kështu e ndjen veten mirë, je e gëzuar, të hapen edhe rrugët.

Konkretisht?

Kam shumë projekte që më janë propozuar. Për momentin jam duke udhëtuar tepër. Jam në proces të leximit të disa skenareve. Emra nuk guxoj të them.

As shqiptarë?

Ka kërkesa edhe nga regjisorë shqiptarë, edhe të Ballkanit, por asgjë nuk është e sigurtë.

Udhëton shumë dhe ke pasaportë kosovare. Me sa dimë po kërkon të marrësh një pasaportë “tjetër”.

Unë doja të merrja një pasaportë diplomatike për ta pasur më të lehtë qarkullimin. Gjithmonë si kosovare që jam ashtu si ju, duhet të marrësh vizë për të shkuar dikund.

Tani ku po jeton?

Në aeroplan.

Jo më në Sarajevë?

Nuk jam kthyer, veç nëse shkoj për ndonjë festival apo ndonjë shfaqje të re ose ndonjë film.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›