E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmërimi, Shqipëria do preket nga kriza ekonomike

Ekspertët e bankave pohojnë se nuk rrezikohet nga kriza bankare, por ajo do të ndikojë në uljen e të ardhurave

TIRANË- “Shqipëria është e mbrojtur nga kriza financiare që ka përfshirë bankat perëndimore, por është më se e predispozuar të bëhet pjesë e krizës ekonomike e cila është transportuar nga bankat dhe po prek të gjithë sektorët e ekonomisë”, paralajmërojnë specialistët e fushës. Referuar Prof.Dr Sherif Bundo-s, pjesëmarrës në konferencën e zhvilluar dje nga Qendra Shqiptare për Riskun, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, kriza financiare ndryshon nga kriza ekonomike. “Kriza që po kalojnë bankat dhe bursat e botës, quhet krizë financiare dhe jo ekonomike”, pohon ai. Në fillim kriza botërore nisi si krizë financiare, ndërsa tani ka filluar të marrë trajtat e një krize ekonomike pasi është duke përfshirë një serë sektorësh të ekonomisë. Për sa i përket vendit tonë, mungesa e kuotimeve në bursë bën që të shmanget rreziku i përfshirjes direkt nga një krizë financiare. Në këtë rast mungesa e bursës mund të quhet pozitive për Shqipërinë. Si arsye të tjera të shmangies së reflektimit të krizës financiare botërorë ne vend, numërohen edhe niveli i kënaqshëm i kapitalit të bankave dhe çuditërisht informaliteti i ekonomisë vendase.

Imuniteti ndaj krizës financiare nuk do të thotë medoemos shmangie të krizës ekonomike, theksojnë specialistët. Kjo e fundit pritet të ndikojë në disa forma mbi ekonominë shqiptare. Njëra nga ato është ulja e të ardhurave të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në vendet e “infektuara” nga kriza. Ulja e fitimeve të tyre sjell edhe uljen e dërgesave të tyre në vend. Po ashtu, depresioni ekonomik botëror pritet të ndikojë edhe në eksporte si pasojë e uljes së fuqisë blerëse. Për minimizimin e efekteve të krizës, specialistët sugjerojnë krijimin e një shtabi të drejtuar nga Kryeministri, në të cilin të përfshihen Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe specialistë të fushës; rritjen e transparencës ndaj publikut dhe uljen e riskut psikologjik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›