Hakmarrja, vritet miku i Fatmir Haklajt
TROPOJE
Ekzekutohet me breshëri kallashi në mes qytetit të Bajram Currit, Sadri Metalia, emri i të cilit renditej tek “të fortët” e Tropojës në periudhën e trazirave. Ish–drejtori i KESH-it në periudhën e ‘97-ës, si dhe një nga miqtë më të afërt të Fatmir Haklaj, u vra nga dy persona të cilët i zbrazën një karikator kallashnikovi. Ngjarja ndodhi dje, rreth orës 12:00, duke terrorizuar dhjetëra kalimtarë. Plumbat plagosën rëndë edhe një grua, shitëse e një dyqani pak metra larg vendit të ngjarjes. Rabie Malaj mësohet se mori një plumb në kokë. Ajo u transportua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por mjekët nuk japin shpresa për jetën e saj. Ngjarja e djeshme shkaktoi tension në qytetin verior. Në memorien e tyre u rikthye situata e ngjashme me atë të ngjarjeve dhe ekzekutimeve të vitit ‘97. Metalia, 43 vjeç, dyshohet të jetë ekzekutuar për hakmarrje. Familja e tij ishte në hasmëri me Breçanët. Madje këta të fundit e kishin paralajmëruar duke tentuar edhe më parë t’i bënin atentat. Ata dyshonin se vëllezërit e Metalisë kishin vrarë më 24 prill 2005 vëllain e tyre, ish-policin e Tropojës, Tahir Breçani. Që prej asaj kohe, i forti i Tropojës u ngujua në Dragobi. Por për shkak të një sëmundjeje, e cila thuhet madje se ishte edhe e pashërueshme, tre muajt e fundit kishte dalë disa herë nga shtëpia për të marrë edhe konsultat përkatëse në spital. Duket që Breçanët e kishin gjithë kohës në survejim. Ata kishin marrë informacione për lëvizjet e tij, ndaj dyshohet të jenë organizuar për të kryer vrasjen në mes ditës, aq më tepër, në mes qytetit të Bajram Currit, para syve të dhjetëra kalimtarëve. Sadri Metalia, një nga përkrahësit e së majtës, në rresht edhe me ish-shefin e Komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj, “vuri dorë” në Tropojë duke iu siguruar atyre energjinë elektrike pa ndërprerje. Në periudhën e vitit ‘97, ai ishte Drejtor i KESH-it në këtë rreth. Askush nuk guxonte në atë kohë t’ia ndërpriste energjinë Tropojës, aq më tepër kur dihej emri që ishte në krye të kësaj drejtorie, si dhe lidhjet e fuqishme të tij me emra të tjerë që bënin ligjin në rrethin më verior të vendit. Ndërkohë, ngjarja e djeshme, që terrorizoi tropojanët, alarmoi gjithë policinë. Në drejtim të Bajram-Currit u nis edhe vetë kreu i Policisë së Kukësit, Muharrem Furriku. Zyrtarisht policia bëri të ditur se kanë organizuar një operacion për kapjen e autorëve të dyshuar, Astrit Breçani, 35 vjeç dhe Arben Breçani, 30 vjeç. Policia e Tropojës, bazuar edhe në deponimet e dëshmitarëve, bëri të ditur se personat që kishin qëlluar 43-vjeçarin Metalia kishin qenë dy. Ndaj Sabri Metalisë ka pasur një tentativë më parë për ta vrarë, por është parandaluar nga policia e Tropojës, më 28 korrik 2007. Blutë ndaluan aso kohe Astrit Breçanin, me një kallashnikov mod 56 teksa kishte përgatitur atentat ndaj Metalisë për të marrë hakun e vëllait. Policia e arrestoi atë për “tentativë vrasjeje” dhe për “armëmbajtje pa leje” por pas disa muajsh burg, ai u la i lirë.