Gjykata “mbytet” nga kërkesat për ulje dënimi
TIRANE – Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar javën e kaluar 39 kërkesa nga të burgosurit për ulje të dënimit. Burime nga ky institucion pohojnë, se 10 prej kërkuesve janë gra, që vuajnë dënimin në qelitë e burgut 325 në Tiranë. Në kërkesën e paraqitur në sekretarinë e gjykatës, të burgosurat kërkojnë ulje të tre muajve nga dënimi për shkak të sjelljes së mirë në qeli. Sipas ligjeve në fuqi të burgosurit që vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së ulët apo zakonshme mund të përfitojnë ulje dënimi deri në tre muaj në vit, nëse gjatë një viti kalendarik autoritetet e burgut nuk kanë vendosur asnjë masë ndëshkimore apo disiplinore. Po kështu, gjykatës së kryeqytetit i janë drejtuar gjatë 10 ditëve të para të këtij muaji edhe 29 të burgosur, që ndodhen duke vuajtur dënimin në burgun e Vaqarit dhe 325, apo që kanë marrë dënimet ditët e fundit dhe kanë mbetur ende në qelitë e paraburgimeve 313 dhe 302, në pritje të transferimeve. Ata persona për të cilët gjykata është shprehur, se do të vuajnë dënimet në burgje të sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më tepër se 45 ditë ulje dënimi në vit, për shkak të sjelljes së mirë në qeli. fa.ma