Ari Han: Shqipëria, eksperienca më e keqe
Po mundohet të harrojë sa më shpejt eksperiencën me kombëtaren shqiptare të futbollit, të cilën e ka konsideruar si më të keqen e karrierës së tij si trajner. Kështu është shprehur për gazetën “Panorama”, ish-trajneri i ekipit tonë përfaqësues, Arie Han. “E vetmja gjë që mund të them është fakti se në Shqipëri kam kaluar eksperiencën time më negative qoftë si trajner por edhe si futbollist. Dua ta harroj sa më shpejt që të jetë e mundur pasi nuk kam asgjë të bukur për të kujtuar”, ka pohuar Han. Më tej ish-trajneri kuqezi ka lënë të kuptohet se ka mbyllur edhe çdo rrugë komunikimi me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Nuk kam pse të komunikoj me FSHF-në. Marrëdhënia jonë ka përfunduar ndaj nuk ka asgjë për të sqaruar. Për momentin kam pasur disa oferta por do të vendos më vonë për të ardhmen time”, ka përfunduar Han. Holandezi qëndroi 1 vit e tre muaj e 15 ditë në krye të kombëtares shqiptare të futbollit prej 3 janarit 2008 deri më 15 prill të 2009-ës.