E Diel, 1 Nëntor 2026

Poker shqiptarësh te Palermo?

 

LEONARD KARAJ

Një koloni e vogël shqiptarësh në një skuadër. Pas blerjes së Samir Ujkanit, dy vjet më parë, të Edgar Çanit, në janarin e 2008 dhe të Brian Filipit në merkaton e janarit 2009, drejtuesit e Palermos pritet të bëjnë të tyret edhe talentin e kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka. Lajmi është bërë i ditur nga menaxheri i futbollistit, Sokol Haxhia dhe është konfirmuar edhe nga mediat gjermane. Këto të fundit i referoheshin edhe një menaxheri të skuadrës së Mainz, Stefan Hejdrish, skuadra me të cilën luan aktualisht Hyka. Nuk bëhen e ditur oferta e Palermos por mësohet se presidenti i këtij klubi, Zamparini ka dhënë “OK” për përvijimin e kësaj tratative. Sipas të dhënave deri tani presidenti i Palermos ka paguar 2.7 milionë euro për talentët shqiptarë dhe pritet që të paguajë edhe rreth 300 mijë për të sjellë në Serie A, Jahmir Hykën.
Hyka
Jahmir Hyka u transferua nga Tirana te Mainz gjatë merkatos së verës 2008 për një shifër rekord për një futbollist shqiptar. Gjermanët paguan 300 mijë euro ndrësa po kaq do të përfitonte pak a shumë në një sezon si rrogë edhe futbollisti. Por transferimi i tij në Bundesliga 2 pas një sezoni rezulton i dështuar. Hyka ka luajtur vetëm në 2 ndeshje si titullar dhe në tre të tjera si zëvendësues për një total që nuk i kalon 87 minuta lojë. Ndaj largimi i tij nga kjo skuadër pritet të jetë opsioni më i pranueshëm si për drejtuesit e klubit dhe për futbollistin.
Zyrih
Por nuk është vetëm Palermo, skuadra që kërkon shërbimet e futbollistit të talentuar të kombëtares shqiptare. Edhe kampionët e Zvicrës, Zyrih kanë hedhur sytë nga Hyka por problemi kryesor sipas menaxherit të futbollistit ka qenë rroga e lartë që merr aktualisht te Mainz futbollisti. Ideja është që Hyka të kalojë në formë huazimi tek Zyrihu për një sezon por drejtuesit e klubit nuk kanë pranuar që të paguajnë gjysmën e pagës së futbollistit ashtu sikundër kanë propozuar zviceranët.
Menaxheri
“Sportx Management S.R.L. Unipersonale” e drejtuar nga Sokol Haxhia ka në baketën e vet veç kartonit të Jahmir Hykës edhe shumë futbollistë të kombëtares shqiptare dhe asaj Shpresa. Ndër emrat më të spikatur janë Erion Bogdani, Klodian Duro, Andi Lila, Elis Bakaj, Ervin Bulku, Admir Teli, Gilman Lika, Isli Hidi, Ansi Agolli, Blerim Rrustemi, Migen Memelli si dhe të të rinjve si: Ervin Llani, Erando Karabeci, Brian Filipi, Damian Gocaj, Andi Çorri, etj. Shumica e emrave të mësipërm pritet që gjatë kësjja vere të ndryshojnë skuadër, kjo nisur më së shumti nga aktivizimi në ekipet aktuale gjatë sezonit të kaluar.

Samir Ujkani
Datëlindja: 05.07.1988;
Vendlindja: Vushtri, Kosovë;
Gjatësia: 1.86 m; Pozicioni: Portier

Edgar Çani
Datëlindja: 22.07.1989; Vendlindja: Tiranë; Gjatësia: 1.88 m; Pozicioni: Sulmues

Brian Filipi
Datëlindja: 11.08.1989; Vendlindja: Lezhë; Gjatësia: 1.84 m; Pozicioni: Mesfushor

Jahmir Hyka
Datëlindja: 08.03.1988; Vendlindja: Tiranë;
Gjatësia: 1.70 m;
Pozicioni: Mesfushor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›