E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtori shqiptar plagos me levë topografin e "Bechtel"

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Një topograf turk i firmës "Becthel Enka" ka rënë pre e dhunës së një punëtori shqiptar në kampingun e firmës në fshatin Kolsh. Shuplakës që kishte marrë para pak ditësh, i riu shqiptar iu kundërvu me leva mëngjesin e djeshëm, pasi nuk ka duruar më gjendjen e krijuar në punë. Sipas njoftimit të policisë së Kukësit, Adriatik Doci, lindur dhe banues në Kolsh u arrestua pak orë pas ngjarjes. Menjëherë të dëmtuarit i është dhënë ndihma e parë në kamping dhe më pas është dërguar në spitalin e qytetit të Kukësit, ku ka marrë dhe ndihmën e parë. Mjekët e spitalit kanë arritur në përfundimin se plaga është e rëndë dhe i plagosuri është nisur drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar. Policia e Kukësit është njoftuar rreth orës 07:30 nga spitali i qytetit dhe menjëherë është vënë në kërkim të personit, duke e prangosur shumë pranë kampingut të firmës. Sipas të dhënave të para rezulton se të dy personat e përfshirë në konflikt kanë pasur zënka edhe ditë më parë, pasi punonin së bashku. Punëtorë të tjerë kanë dëshmuar se dy ditë para plagosjes, turku Edgun Bajram e kishte qëlluar me pëllëmbë Docin. I cili duket se dje, në grindje e sipër ka marrë hak, duke e qëlluar me levë. Topografi turk që ishte dhe përgjegjës i një grupi punëtorësh shqiptarë dhe turq edhe më parë kishte pasur konflikte me ta, për shkak të fronteve të punës, cilësisë dhe orareve. Madje, sipas burimeve të grupeve të punës, konfliktet i kishte pasur jo vetëm me shqiptarët, por dhe me turqit. Pasditen e djeshme, gjendja e specialistit turk vazhdonte të ishte e rëndë. Kjo, pasi dëmtimet me levën e hekurit i ka marrë pas koke, në fytyrë dhe sy. Ngjarja e djeshme shënon konfliktin e parë në këto përmasa mes punonjësve shqiptarë dhe turq që po ndërtojnë autostradën Durrës-Morin. Që nga nisja e punimeve, shumë turq jetojnë jo vetëm në kampingjet e ndërtuara nga firma, por dhe qytetin e Kukësit, në shtëpi të marra me qira. Plagosja e djeshme ndodhi në pjesën e fundit të autostradës, ajo që lidh tunelin me pikën doganore të Morinit, e më pas me Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›