E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Ta harroni dorëheqjen time!

 

Jetmir Halilaj

Tani situata është rënduar, madje ka nisur dueli në distancë mes FSHF-së dhe trajnerit të Kombëtares shqiptare. Federata dhe drejtuesit e saj shpresojnë që Ari Han të reflektojë dhe të japë dorëheqjen, pas rezultateve të dobëta, por holandezi nuk ka ndërmend të largohet. Ai nuk ndjehet fajtor për paraqitjet zhgënjyese të skuadrës shqiptare. Me ekipin dhe lojtarët që ka Shqipëria, sipas tij nuk mund të pretendojë më shumë. Deklaratat e Hanit vijnë vetëm një ditë pasi është paralajmëruar zëvendësimi i tij me njërin nga tre ish-lojtarët e Kombëtares, përkatësisht Besnik Hasin, Bledar Kolën e Foto Strakoshën. “Nuk është gjë e mirë kur njerëzit thonë se ke skuadër që mund t’ia dalë mbanë dhe të kualifikohet në kampionatin botëror. Të gjithë duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë realisht se çfarë force ka Shqipëria, Suedia, Danimarka e Portugalia”, ka thënë Han për gazetën “Koha Ditore” të martën. Holandezi thotë se është bërë një punë e mirë gjatë vitit 2008 dhe se rezultatet nuk kanë munguar, por pranon se fillimi i vitit 2009 nuk ka shkuar si duhet. “Nuk kam si ta ndryshoj këtë realitet, – ka shtuar ai. - Personalisht nuk kam asnjë mosmarrëveshje me skuadrën dhe me askënd tjetër në Shqipëri, ndaj edhe jam plotësisht i bindur se do ta respektoj kontratën time deri në fund. Pra, që të jemi të qartë, nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje”. Akordi mes Ari Hanit dhe FSHF-së skadon më 31 dhjetor të këtij viti dhe holandezi në bazë të kontratës, ka të drejtë që t’i drejtojë edhe tri ndeshjet e mbetura të Shqipërisë në ciklin eliminator për Botërorin 2010. Në katër ndeshjet e para, Shqipëria pati bilanc një fitore, një humbje dhe dy barazime. Kuqezinjtë, të përfshirë nga euforia e barazimeve kundër Portugalisë dhe Suedisë aspiruan edhe kualifikimin në Botëror. Megjithatë, gjithçka mori tatëpjetën kundër Maltës, kur skuadra jonë barazoi pa gola dhe më pas u mund në shtëpi nga Hungaria. Humbja e fundit nga Danimarka ishte pasqyrimi i një krize të thellë. Pas kësaj serie të zezë, FSHF-ja u vu në presion të medieve, ekspertëve të vendit dhe tifozeria. Mirëpo, kostoja financiare që është afro 80 mijë euro ndaj trajnerit, e pengon FSHF-në dhe presidentin Armand Duka që të shkarkojë holandezin.

Skela kritikon trajnerin: I paqartë në skemat e lojës

Pas Altin Lalës, një tjetër senator i skuadrës Kombëtare lëshon kritika në adresë të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Ari Han. Ervin Skela, fantazisti që aktivizohet te Kotbusi ka lënë të kuptohet se holandezi është shumë i paqartë për skemat që përdor në ekipin tonë përfaqësues dhe shpeshherë i pavendosur. “Trajneri Han të ketë më shumë bindje në mendimet e tij dhe të mos i ndryshojë shumë herë skemat e lojës”, ka thënë Skela për “Top Channel”. Ai ka lëshuar sërish “shigjeta” në adresë të teknikut holandez, për mosgrumbullimin e Bogdanit dhe të Kapllanit në dy ndeshjet e fundit. “Më vjen keq që nuk janë thirrur Kapllani dhe Bogdani. Ata kanë të tjera kushte stërvitore dhe të tjerë kundërshtarë. Këtë lëvizje të Hanit nuk e kuptoj”, është shprehur Skela. Megjithatë, ai ka theksuar se në rezultatet e dobëta të kuqezinjve ka ndikuar edhe angazhimi i lojtarëve, të cilët, sipas Skelës, duhet të bëjnë një analizë në vetvete. “Në Danimarkë duhet të kishim më shumë besim te vetja dhe të kishim rrezikuar më shumë. Ne ishim shumë pasivë dhe nuk kishim asnjë shans për të reaguar”, theksoi fantazisti vlonjat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›