Dy grabitje në 24 orë, plagoset gruaja, vidhet me dhunë çifti
TIRANE – Fenomeni i grabitjeve me dhunë duket se është rikthyer në kryeqytet pasi brenda 24 orëve të fundit policia regjistroi dy ngjarje të tilla. Një grua 30-vjeçare mbeti e plagosur dje në kryeqytet, pas sulmit të një grabitësi për t’i marrë çantën që kishte në krah. Valentina Danaj, 30 vjeçe, ishte duke u kthyer nga të afërmit e saj në Tiranë, ku kishte qenë për vizitë dhe do të ikte në Elbasan, ku banonte me familjen e saj. Ngjarja ndodhi në rrugën “5 Maji”, pas tregut të Medresesë, rreth orës 17:20 kur dy persona me motor i prenë rrugën të dëmtuarës dhe i tërhoqën çantën që mbante në duar. Policia tha se 30-vjeçarja Danaj nuk u është “bindur” dhe dy autorët e ngjarjes që ende nuk janë identifikuar, e kanë qëlluar me gurë dhe me kaçavidë duke e lenë të plagosur. Më pas grabitësit janë larguar me shpejtësi me motor nga vendi i ngjarjes duke marrë çantën me celularin, paratë dhe sendet personale të 30-vjeçares. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë lajmëruar policinë e Komisariatit Nr.4, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, por pa mundur të identifikojnë autorët e krimit. Burimet spitalore thanë dje se e dëmtuara ka pësuar dëmtime të lehta si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj ndërsa ngjarja ka pasur më tepër ndikim në gjendjen psikologjike të 30-vjeçares e cila ishte trembur. Ndërkaq, mesnatën e të hënës ende pa kaluar dy ditë nga grabitja e punonjësit të Aeroportit të Rinasit, tek Fusha e Aviacionit në Tiranë, një çift të rinjsh ra pre e vjedhjes me dhunë. Objekt i sulmit ka qenë 30-vjeçari Florian Hysa dhe mikesha e tij. Ata ishin duke lëvizur me makinë nga Fusha e Aviacionit në drejtim të konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit. Mjeti kishte ndaluar në momentin kur dy persona të maskuar dhe me armë i dolën përpara dhe i bënë thirrje drejtuesit Florian Hysës që të zbresë bashkë me vajzën. Pasi të rinjtë kanë zbritur nga makina, grabitësit duke i kërcënuar i kanë detyruar që të zbrazin xhepat, duke u marrë rreth 200 mijë lekë të vjetra, që ata kishin me vete dhe tre telefonat celularë. Më pas ata u larguan nga vendi i ngjarjes, me motor, në të njëjtën mënyrë si mbrëmjen e së shtunës kur u grabit Dorian Zagorçani dhe e fejuara e tij. e.d