E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthim nga humnera, dokumentar për Drita Çomon

 

ALMA MILE

“Eja në prehër moj të të marr/dhe të ta heq atë mërzi/ na pret të gjithëve një gur mbi varr/ pak dashuri, pak xhelozi..”. Ky motiv e ndoqi deri sa mbylli sytë në shtratin e ftohtë të Spitalit Onkologjik. Ishte 16 vjeçe kur mësoi se jeta e saj do të qe e shkurtër. Sikur të mos mjaftonte dhimbja e pafaj qysh fëmijë... “Dritë në humnerë”, titullohet dokumentari me regji të Namik Ajazit, kushtuar Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës, e cila vdiq në moshë fare të re nga kanceri. Filmi shfaqet sot në Kinema “Millenium” në orën 18.00. Në 38 minuta, vjen në mënyrë të ngjeshur e gjithë jeta e vajzës, e cila u shua e vetme në spitalin Onkologjik, pasi kishte vuajtur braktisjen dhe shenjosjen për hir se ishte e bija e Liri Belishovës dhe Maqo Çomos, të dënuar nga pushteti komunist. Dokumentari shoqërohet nga një kolonë zanore të krijuar enkas për filmin, kompozuar nga Adi Hila, që i shton edhe më shumë dramacitetin filmit. “Këtë film ua dedikoj të gjithë fëmijëve të elitës shqiptare, që u dënuan pa faj, në emër të luftës së klasave”, - thotë regjisori Ajazi. Ngasja e parë për të kishte qenë libri i botuar disa vite më parë, me kujtimet dhe poezi të Drita Çomos. Një libër tronditës, shoqëruar nga një parathënie rrëqethëse nga Ismail Kadare. Kur i kishte thënë së ëmës, Liri Belishovës, se do të bënte një film për të bijën, ajo u lumturua shumë dhe nuk vonoi t’i rrëfente përjetimin e saj dhe t’i tregonte çdo kujtim që i kishte mbetur prej vajzës. “Ajo ruan çdo gjë me fanatizëm. Fotografitë e saj i kishte të ruajtura nëpër dosje me emrin përkatës: “Fëmijëria”, “Adoleshenca”, “Spitali”... dhe gjithnjë ishte në merak mos i ngatërroja”, - thotë Ajazi. Kamera shkon në të gjitha vendet ku u end ajo qysh fëmijë, në kohën kur e ëma ishte e internuar dhe i ati në burg. Tek dajat në Elbasan, Lezhë, Cërrik, për të përfunduar në spitalin Onkologjik në Tiranë. Është ndërtuar në formë retrospektive, nga spitali, në spital, ku si material bazë është përdorur ditari i vajzës dhe poezitë e saj të përmbledhura në librin “Dritë që vjen nga humnera”. Shënimi i fundit në ditarin e saj mban datën 9 shkurt, ndërsa ajo vdiq në 19 shkurt të vitit 1981. Aty ajo rrëfen edhe për dashurinë e saj platonike, të parealizuar me “G”, i cili mësohet se nuk e braktisi deri në momentet e fundit. “Jeta e saj ka shumë momente të bukura, të dhimbshme, të cilat më është dashur t’i krasis për t’i dhënë dinamikë filmit dhe për të ofruar materialin e nevojshëm”, - thotë Ajazi. Nuk mungojnë rrëfimet në gojën e së ëmës, të njerëzve të afërm, apo shoqes së ngushtë të shkollës, Rajmonda Bulkut, apo ndonjë mjeku që i shërbeu. Të gjithë dëshmojnë se ajo ishte një vajzë fisnike, nxënëse e shkëlqyer, inteligjente, kokulur, e hijshme, që i bënte të gjithë për vete me një vështrim. Ndërtohet jeta e këputur në mes e vajzës, e cila jetoi nën dhunën psikologjike të përgjimit. Në Cërrik, ku ajo jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj, në një shtëpi ku ishte nën vëzhgim 24 orë në 24 dhe sipas dëshmive, në arkivat e Ministrisë së Brendshme ruhen plot 10 dosje me përgjimet, që i bëheshin çdo ditë familjes së saj. Regjisori Ajazi thotë se nuk ka qenë e thjeshtë të realizoje dokumentarin, në kushtet e mungesës së materialeve arkivore. Madje, ka qenë e vështirë edhe kthimi pas në kohë. Momentet më delikate, Drita Çomo i kaloi në spitalin Onkologjik të Tiranës, i cili sot ka ndryshuar tërësisht nga çka qenë në vitet ’70-’80.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›