“Padi policisë, djali u vetëhodh prej dhunës”
PESHKOPI/ HASAN PASHA
“Do të padis në Prokurori policinë e Peshkopisë për dhunën e ushtruar ndaj tim biri”. Avni Lleshi reagon nga Spitali Ushtarak i Tiranës se do të ndjekë deri në fund çështjen, e cila çoi të birin 15-vjeçar për t’u hedhur nga kati i tretë i komisariatit. Lleshi thotë se njerëz me uniformë i kanë rrahur të birin në sytë e tij. “Në praninë time, punonjës policie të Dibrës rrihnin djalin dhe deklaronin se nuk do të dilte nga burgu, pavarësisht nëse kishte vjedhur ose jo. E godisnin djalin në fytyrë e këmbë pa mëshirë. Ai qante dhe nuk kishte mundësi të reagonte. Në momentin kur dy bashkëmoshatarët ishin duke u pyetur në një nga dhomat e katit të tretë, djali u hodh nga dritarja. As vetë nuk e kam kuptuar sesi ndodhi”, thotë i ati i Edison Lleshit. Ai tregon se i ka vënë duart kokës dhe ka bërtitur me zë të lartë, kur ka parë djalin që hidhej nga dritarja e godinës së policisë. “Nuk u besova syve dhe bërtita me sa fuqi që kisha. Djali kurrë nuk kishte bërë veprime të tilla. Gjatë kohës që qëndroja bashkë me të ai më thoshte: Më mirë të vdes sesa të pranoj një gjë që nuk e kam bërë”. I shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj djalit të mitur dhe akuzën e ngritur padrejtësisht nga efektivët e policisë, Avni Lleshi shprehet se ka gjetur mbështetjen e Avokatit të Popullit, i cili është interesuar dje imtësisht për shëndetin e djalit dhe është informuar nga 15-vjeçari dhe babai i tij rreth ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Peshkopi. Ndërkohë Avni Lleshi sqaron se që ditën e ngjarjes ka paditur policinë për dhunën e ushtruar ndaj djalit dhe ka kërkuar nga prokuroria e rrethit të zbardhë totalisht ngjarjen. Ndërkohë zyrtarë të Drejtorisë së Policisë për Qarkun e Dibrës deklaruan se asnjë masë administrative nuk është marrë për punonjësit e policisë. “Ngjarja është hetuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër dhe është arritur në konkluzionin se ajo ishte aksidentale”, sqaruan ata, duke këmbëngulur se të tre personat janë bashkëfajtorë në vjedhje. Megjithëse gjendja ekonomike e Avni Lleshit është mjaft e rëndë, për shkak të frakturave në të dyja këmbët dhe njërin krah, ai ka marrë para borxh për t’i ardhur në ndihmë djalit të sëmurë rëndë. “Më janë dashur si fillim 1 milion lekë. Vetë nuk kisha mundësi të blija hekurin dhe medikamentet për këmbën e djalit. Për fat të mirë shumë shpejt më kanë ardhur në ndihmë njerëzit e mi të afërm. Sapo kanë mësuar lajmin kanë ardhur dhe më kanë afruar ndihmë. Disa kërkonin të dhuronin gjak, të tjerë më kanë ndihmuar financiarisht”, pohoi babai i 15-vjeçarit.