“Bollano, në akuzë si minoritar”
VLORE – Avokati i Bollanos, gjatë mbrojtjes së kryebashkiakut të Himarës, e cilësoi gjyqin për shkaqe politike dhe pozicionit që ai mban. Në seancën e djeshme, përfaqësuesi ligjor i Vasil Bollanos, njëkohësisht drejtuesi i OMONIA-s, kërkoi pafajësinë e klientit të tij. Ai pati replika me prokurorin e çështjes, Sokol Malaj. Sipas avokatit Petraq Curri, prokuroria e ka të pamotivuar akuzën e saj për konsum të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkaktimit të dëmit material ndaj shtetit, për shumë arsye. Madje, Curri shkoi dhe më tej, duke e cilësuar prokurorinë si ksenofobe dhe të veshur me nota të theksuara nacionalizimi. Por, sipas prokurorit Malaj, ky gjykim është i pavend, pasi Bollano, i cili jep si kombësi të tij atë shqiptarë, është njësoj i barabartë sipas ligjit me shtetasit e tjerë. Avokati ka vazhduar mbrojtjen, duke përmendur faktin se kryebashkiaku i Himarës e ndërmori veprimin për heqjen e tabelave orientuese në rrugën nacionale, pasi bëhej fjalë për një zonë që ndodhet nën juridiksionin e tij si pushtet lokal. “Bollano nuk është gjykuar nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, duke i mohuar të drejtat e tija të garantuara jo vetëm nga ligji i procedurës penale, por dhe nga Kushtetuta e institucionet ndërkombëtare. Nisur nga fakti se Bollano është përfaqësues i OMONIA-s dhe ka kërkuar vendosjen e tabelave në gjuhën greke. Nisur nga ky pozicion, prokuroria duhej të tregohej e paanshme dhe jo ta shoqërojë atë me elementë të tjerë nacionaliste. Nuk mund të kuptohet ndryshe që nga kjo prokurori janë penalizuar rreth 20 persona të komunitetit grek në Himarë”, theksoi avokati, duke shtuar se gjithçka kryhet për faktin se i akuzuari është minoritar. q.b