Delijorgji, biznes me kompaninë e gërmimit edhe 1 vit pas Gërdecit
TIRANE - Mihal Delijorgji, i arrestuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, ka vazhduar biznesin në një nga kompanitë e tij edhe pse ndodhet prej një viti në qelitë e burgut 313 në kryeqytet me akuzën e vrasjes së 26 personave dhe plagosjes së 300 të tjerëve. Gjithçka ka ndodhur si pasojë e një "gabimi" të Prokurorisë, të cilës duket se i ka shpëtuar nga sekuestrimi, një prej kompanive ku biznesmeni Mihal Delijorgji zotëron 20 për qind të aksioneve. Bëhet fjalë për kompaninë "Trans Digging Construction", ku sipas aktit të themelimit, datë 15 shkurt 2006, Delijorgji zotëron 20 për qind të aksioneve të ndara me katër ortakë të tjerë, që zotërojnë secili nga 20 për qind. Subjekti në fjalë operon në fushën e gërmimeve të tokës për hapjen e vendit për ndërtimin e objekteve të banimit dhe veprave të ndryshme urbane, si dhe transportin e dherave të dala gjatë gërmimeve të tokës dhe materialeve inerte. Një vit më parë, pas arrestimit të Delijorgjit, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se kishte sekuestruar të gjitha pronat e ku përfshiheshin kompanitë e menaxhuara nga i akuzuari, objekte ndërtimi, troje dhe llogari bankare. Por duket se kompania e gërmimeve i ka shpëtuar Prokurorisë ndërsa ka vazhduar aktivitetin edhe një vit pas ngjarjes së Gërdecit, edhe pse 20 për qind të aksioneve të saj zotëroheshin nga i akuzuari kryesor për shkaktimin e tragjedisë së rëndë. t.s