Hasi thotë “jo”, Kola pret një ofertë
Besnik Hasi, ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, ka thënë se nuk ndihet gati për të marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare. Ai e ka motivuar refuzimin, me faktin se nuk ka eksperiencën e duhur për të marrë një përgjegjësi të tillë. “Kombëtarja është një përgjegjësi shumë e madhe – ka thënë Hasi për ‘Top-Channel’, – Mendoj se as unë dhe as Kombëtarja nuk jemi gati për njëri-tjetrin. Po punoj tek Anderlehti dhe dua të fitoj sa më shumë eksperiencë këtu si trajner, e më pas të marr një skuadër timen”. Ai ka thënë gjithashtu se, niveli i skuadrës aktuale nuk është ai i tri viteve më parë dhe se në atë kohë kishte më tepër cilësi në ekipin tonë përfaqësues. Bledar Kola, një tjetër ish-futbollist i Kombëtares, që është përfolur si kandidaturë për të zënë vendin e Hanit, e ka lënë të hapur mundësinë për ta marrë një detyrë të tillë. “Nuk kam pasur asnjë kontakt me drejtuesit e federatës dhe nuk mund të jap një përgjigje. Nëse do të kem ndonjë ofertë, atëherë jam i gatshëm të ulem dhe të bisedoj”, tha Kola. Ky i fundit aktualisht është trajneri i ekipit U-21 të AEK-ut.