Ari Han, midis diplomatit e kompetentit

Kur trajneri kroat Oto Baric dha dorëheqjen nga bankina e Kombëtares shqiptare pas dy humbjeve me Bjellorusinë në Tiranë (2-4) e me Rumaninë në Bukuresht (6-1) për eliminatoret Euro 2008, të gjithëve jo vetëm që na erdhi keq për largimin 75-vjecarit me 40 vjet karrierë si trajner, por e konsideruam gati të pamundur se dikush tjetër do të bënte atë që bëri "plakushi" për Kombëtaren e Shqipërisë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, përtej pezmatimit të largimit të "Oto Maksimales", ishte i bindur se do të gjente një tjetër trajner që do të mund ta conte me larg Shqipërinë.
Për rastësi, edhe ky ishte një pasues i Oto Baricit, por te bankina e Shtutgardit në Gjermani. Holandezi Ari Han, u prit pak me skepticizëm në ambientet ku ndërtohet edhe opinioni shqiptar i futbollit, edhe pse "katedra" ka kufizimet dhe subjektivizmat e veta.
I njohur për natyrën e tij, jo shumë të afërt me median shqiptare, por me një filozofi "puro" prej holandezi, Han është kritikuar shpesh, sidomos kur la jashtë liste në testin kundër Lihtenshtejnit dhe e mbajti në bankinë kundër Suedisë, një simbol të futbollit shqiptar si Erjon Bogdani.
Karakteri i 2-herë nënkampionit të botës me Holandën (1974, 1978), në dy finale të humbura kundër vendeve organizatore Gjermani e Argjentinë, ka qenë jo i lehtë për t'u zbërthyer, teksa përpara Suedisë u ankua jo pak për mosnjohjen në detaj të lojtarëve të tij, duke bërë shpesh diplomatin që ndërton një mur alibie për t'u mbrojtur nga anatemat.
Në katër ndeshjet tij në stolin e Shqipërisë, dy zyrtare e dy miqësore, ish-trajneri i Kinës e Kamerunit regjistroi 2 fitore me ekipet modeste si Lihtenshtejni (2-0, miqësore) e Malta (3-0, zyrtare); 1 barazim të madh me Suedinë (0-0, zyrtare) e 1 humbje me finalisten e Euro 2008-s, Poloninë (0-1, miqësore). Tej këtyre, edhe 1 fitore e 1 barazim me skuadra modeste klubesh: 2-2 me Kazaskin nga Kazakistani dhe 3-1 me Shafhauzen të kategorisë së dytë zvicerane.
1059 votues të faqes sportive shqiptare në internet Albania-sport.com dhanë edhe konsideratat e tyre mbi cilësinë, që mund t'i përshtatej më shumë holandezit. Pyetja ishte e njëjtë me atë që "Gazzeta dello Sport" në Itali shtroi para lexuesve të vet në lidhje me trajnerin e Interit, Hoze Murinjo.
26% e votuesve unikë në Albania-sport.com (një votë për një adrese unike IP) e vlerësojnë atë diplomatik përsa i përket sjelljes e 24% si trajner kompetent. 16% e vlerësojnë si një trajner dinak e 13% si gjenial. Për 8% të votuesve Han është antipatik, kurse 5% e konsiderojnë provokator.
PYETJA E SONDAZHIT
"Ari Han mbushi 8 muaj në stolin e Kombëtares. Sipas jush cili është epiteti më i mirë që i shkon?"
Gjenial 13%
Antipatik 8%
Provokator 5%
Dinak 16%
Kompetent 24%
Simpatik 5%
Human 4%
Diplomatik 26%
Vota: 1059