Trafiku i organeve, KE rihap dosjen ‘Shtëpia e Verdhë’
Komisioni Evropian ka kërkuar që të rihapen hetimet për çështjen e trafikut të organeve të serbëve të zhdukur në kohën e konfliktit Serbi–Kosovë, proces i cili aludohet të ketë ndodhur në një shtëpi të verdhë në Burrel, në veri të Shqipërisë. Sipas BBC, prokuroria e EULEX-it po shqyrton dosjen për hetimet e bëra lidhur me mundësinë e vrasjes dhe trafikimit të organeve të serbëve në veri të Shqipërisë. Sipas kësaj dosjeje hetimore këto krime supozohet të jetë bërë nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999 në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”. Me kërkesë të Beogradit kjo dosje i është dorëzuar pak ditë më parë autoriteteve të Serbisë dhe EULEX-it nga ana e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Deklarata e EULEX
Shefi i EULEX-it për Drejtësi, Alberto Perduç tha se “Ajo që mund të them unë është se krimet e luftës janë në kompetencën e EULEX-it dhe me to merret zyra e posaçme e prokurorisë që udhëhiqet nga një prokuror. Sa herë që kemi informacione për të hapur një rast, ai hapet nga prokurori i EULEX-it”. Ai nuk ka komentuar mbi dyshimet për mundësinë e trafikimit të organeve të serbëve nga shqiptarët.
Deklarata e UNMIK
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie, ka thënë se dosja e hetimeve të Burrelit, që i është dorëzuar Prokurorisë në Beograd dhe EULEX-it, nuk përmban asgjë të re. “Kjo dosje ka të bëjë me hetimet e bëra nga Tribunali i Hagës në vitin 2004, të cilat i kishte mbështetur UNMIK-u, duke ofruar ndihmë, p.sh. në mjekësinë ligjore. Siç e dini Gjykata e Hagës në atë kohë nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të vazhduar hetimet. Ne, natyrisht, e kemi ruajtur këtë dosje dhe ia kemi dorëzuar prokurorisë së EULEX-it”, ka sqaruar zëdhënësi i Misionit të OKB-së, Russell Geekie. Rihapjen e hetimeve për krimet që dyshohet të jenë bërë në veri të Shqipërisë, përveç Serbisë, e ka kërkuar edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit për Kosovën. Çështja u hap pasi kryeprokurorja e Hagës, Carla Del Ponte, në librin e saj “Gjuetia” të botuar vitin e kaluar. Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se autoritetet në Kosovë nuk i kanë hetuar deklaratat e marra për trajtim jonjerëzor dhe marrje të paligjshme të organeve të disa personave në veri të Shqipërisë.
Reagimi i Prishtinës
Sipas BBC, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Nekibe Kelmendi tha se “Tri herë janë bërë hetimet dhe kanë dhënë rezultate negative për Serbinë e pozitive për ne. Hetimet kanë treguar se nuk ka ekzistuar një dhunë e tillë. Është e pamundur të ndodhë diçka e tillë, sidomos siç prezantohet në librin e ish-kryeprokurores Carla del Ponte”, tha Kelmendi. Ajo shtoi se del Ponte nuk ka fakte që dëshmojnë për kryerjen e krimeve të mundshme në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, por është bazuar mbi shkrimet e disa gazetarëve. “Sikur të kishte diçka të vërtetë, ajo ka qenë në postin e prokurores dhe do të ndërmerrte vetë diçka apo do ta rihapte hetimin”, tha ministrja Nekibe Kelmendi.
Reagimi i Beogradit
Por zëdhënësi i Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte, Bruno Vekariç ka thënë për BBC-në, se Beogradi posedon dëshmi të mjaftueshme për të rihapur hetimet për krimet që dyshohet t’i kenë bërë shqiptarët ndaj civilëve serbë në veri të Shqipërisë. “Ne jemi të sigurt se ka pasur ekzekutim, ka pasur kampe, sjellje jonjerëzore dhe trafikim të organeve njerëzore. Kemi dëshmi të cilat mund t’i keni parë në televizion se njerëzit nga Serbia janë vrarë në veri të Shqipërisë nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kemi dëshmi të mjaftueshme që dikush të bëjë hetime serioze për këtë temë”, tha Vekariç. Sipas tij, numri i të zhdukurve në rajonin e Burrelit në Shqipëri shkon nga 300 deri në 500 dhe të gjithë ata janë viktima potenciale. Zëdhënësi i Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte tha se Serbia është e interesuar që të bashkëpunojë me autoritetet ndërkombëtare në Kosovë dhe me ato të Shqipërisë për zhvillimin e hetimeve që kanë të bëjnë me krime lufte. I pyetur nëse Prokuroria e Serbisë ka zhvilluar bisedime me Prokurorinë e Shqipërisë për këtë çështje, zoti Vekariç u përgjigj: “Ne kemi pasur takim shumë korrekt me Prokurorinë e Shqipërisë, megjithatë në mes ka hyrë politika dhe kemi marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë se nuk ka asnjë hapësirë për të bashkëpunuar për këtë çështje. Për Shqipërinë ky është rast i mbyllur dhe nuk janë marrë parasysh faktet e reja që i kemi paraqitur ne”. “Ne ende mendojmë se Shqipëria është vendi i duhur për t’i hequr të gjitha dilemat për këto krime dhe që të gjithë së bashku, përfshirë institucionet ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë dhe Prokurorinë në Shqipëri, të punojmë në një linjë për të zbuluar autorët e këtyre krimeve, nëse ato kanë ndodhur”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte, Bruno Vekariç.