E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirro Milkani, dokumentar në heshtje për Ismail Kadarenë



Së shpejti do të kemi një dokumentar të veçantë mbi shkrimtarin tonë të njohur, Ismail Kadare. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta të gazetës “Albania”, të cilat pohojnë për ne se puna i është besuar regjisorit të njohur Pirro Milkani, i cili pas “Trishtimit të Zonjës Shnajder” e ka pranuar me kënaqësi një ofertë të tillë. Për më tepër që flitet se do të ketë në dispozicion edhe disa xhirime që nuk janë shfaqur më parë, të cilat kanë të bëjnë me kohën kur kolosi i letrave shqipe kryente studimet në Rusi. Nuk e bëjmë të ditur për disa arsye emrin e prodhuesit të këtij dokumentari, por do të jetë një nga televizionet serioze jopublike shqiptare. Ndërsa me Kadarenë e kemi pasur të pamundur që të komunikonim, folëm me regjisorin Pirro Milkani, i cili, pasi e pyetëm për më tepër detaje, nuk pranoi që të prononcohej, por në anën tjetër nuk e mohoi gjithë këtë ndërmarrje, duke thënë se është ende në fazën fillestare të punës dhe mund të flasë vetëm në një moment të dytë, atëherë kur gjërat të jenë konkretizuar dhe të kenë shkuar drejt finalizimit.

13 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›