Ciko rikthen “Virtuozët” për një mbrëmje në Tiranë
Petrika GROSI
Një mbrëmje e veçantë koncertore me Orkestrën e Harqeve “Virtuozët e Tiranës” do të zhvillohet më 20 janar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Pjesët që do të interpretohen u përkasin Rosinit, Çajkovskit, Kreislerit, Zadesë, Zoraqit etj. E veçanta e këtij koncerti është fakti se instrumentistët shqiptarë që do të jenë protagonistë të shfaqjes vijnë nga orkestrat më të rëndësishme të Milanos, Parisit, Vjenës, Indianapolisit, Munihut, Salsburgut etj. Ky koncert, që do të zhvillohet nën patronazhin e kryeministrit Berisha, do të dirigjohet nga vetë mjeshtri Zhani Ciko, i cili pohon për gazetën “Albania” se “është vërtet një moment i bukur rikthimi i të gjithë atyre instrumentistëve, dikur të vegjël, nxënës të Liceut Artistik ‘Jordan Misja’, të cilët vite më parë ishin të parët që i çanë bllokadat e komunizmit për hyrjen e Shqipërisë në Europë”. E me gjithë mend, talenti i tyre nën drejtimin e profesor Cikos bëri që virtuozët e vegjël të mahnitnin publikun e huaj, spektatorin e skenave të ndryshme të teatrove nëpër Europë e më gjerë, në konkurset e ndryshme ndërkombëtare dhe festivalet muzikore. Të gjithë ata nxënës sot për sot janë solistë, koncert-maestër dhe pjesëmarrës të orkestrave prestigjioze të Parisit, Vjenës, Milanos, Munihut, Indianapolisit etj. Mjafton këtu që të përmendim “Teatro la Scala”, Julliard, Wiener Filarmoniker, Quattour gaudi, Kammer Solisten, UECO, Salzburg Chamber etj., për të ndier fluturimin e tyre atje ku mbase dhe krijuesi e mjeshtri i tyre nuk e kishte menduar. Kështu, më 20 janar do të fillojë, nën tingujt e harqeve të këtyre artistëve të mrekullueshëm, stina artistike 2009.
13 Janar 2009