“Onufri 2008”, juria ndërkombëtare shpall nesër më të mirin
Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se nesër pasdite do të ndahen çmimet për edicionin e vitit 2008, të konkursit ndërkombëtar “Onufri”, i cili ka startuar që në dhjetor për t’u mbyllur pas një muaji. Juria e ekspertëve, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe janë marrë me shqyrtimin dhe vlerësimin e veprave të paraqitura në këtë bienale të arteve pamore të kuruar nga Rikardo Kaldura, ka në përbërje drejtorin e Përgjithshëm të muzeve të artit në Haifa të Izraelit, Nisim Tal, drejtoreshën e muzeut “Janco-Dada” në Ein-Hod, Izrael, Raja Zomer, artistin shqiptar Parid Teferiçi, kritikun e artit nga Italia, Daniele Kapra dhe kuratoren e artit nga Britania e Madhe, Elisabet Neilson. Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, artistët e këtij edicioni të “Onufrit” janë të gjithë shqiptarë, me përjashtim të Bert Theis-it nga Luksemburgu, i cili nuk do të marrë pjesë në ekspozitë si konkurrues për çmim. Ekspozita, nën kurimin e italianit Kaldura, vjen nën moton: “A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?” Ajo do të ketë në përfshirjen e saj punët e artistëve Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurat Xhafa, Driant Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro.
13 Janar 2009