Ari Hani nuk është më trajner i Kombëtares
Jetmir Halilaj
Ari Han ka pranuar të largohet nga posti i trajnerit të Shqipërisë. Vendimi është marrë dje me konsensus, midis tij dhe FSHF-së. Largimi i holandezit është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, por edhe nga vetë ai. Hani ka hequr dorë nga marrëveshja që kishte firmosur në fillim të vitit të shkuar vetëm pasi FSHF-ja i premtoi se do t’ia jepte pagat edhe për tre muajt e ardhshëm. Holandezi kishte kontratë me FSHF-në deri në fund të këtij viti, me një pagë mujore prej 12 mijë eurosh në muaj. Federata fillimisht tentoi të bënte presion mbi të, për ta shtyrë të jepte dorëheqjen, por Hani e kishte bërë të qartë se mund të hiqte dorë nga ana sportive e kontratës, por jo nga ajo financiare. Vetë FSHF-ja nuk kishte ndërmend ta shkarkonte, pasi do të duhej ta paguante holandezin deri në qindarkën e fundit. Pas shumë bisedash, mes avokatëve të trajnerit dhe përfaqësuesve të federatës është gjetur një kompromis. Zyrtarisht, FSHF-ja ka falënderuar Hanin dhe bashkëpunëtorët e tij për punën e kryer dhe ka njoftuar opinionin se gjatë ditëve të ardhshme do të bëjë të ditur pasardhësin e tij. Pasardhës të Hanit janë përmendur disa emra, që deri vonë ishin lojtarë të Kombëtares shqiptare, si Besnik Hasi, Bledar Kola dhe Foto Strakosha. Megjithatë, këto kandidatura u sfumuan shpejt. “Nuk kam çfarë të them më për këtë punë, besoj më kuptoni”, ka deklaruar Han për “Kohën Ditore”, menjëherë sapo federata ka nxjerrë njoftimin në uebfaqen zyrtare. Nën drejtimin e holandezit, Kombëtarja shqiptare bëri një paraqitje shumë të dobët. Vetëm në tri ndeshjet e fundit kualifikuese Shqipëria ka humbur dy herë dhe ka barazuar një, kundër Maltës. Gjithsej, Shqipëria ka zhvilluar 10 ndeshje e drejtuar nga holandezi: ka regjistruar dy fitore, katër barazime dhe katër humbje. Ari Han do të paguhet deri në fund të muajit qershor. Vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka pohuar një gjë të tillë. Paga mujore e holandezit është rreth 12 mijë euro në muaj, çka do të thotë, se pas dështimit me Danimarkën, ndeshja e fundit që ai drejtoi, do të marrë edhe 36 mijë euro. Ari Hani e mori drejtimin e Kombëtares shqiptare më 4 janar të vitit 2008 dhe qëndroi trajner i Shqipërisë për 466 ditë.
Duka: Dështimi, përgjegjësi e tij
“Skuadra nuk ishte në gjendje të mirë dhe kjo u pa qartë. Ne nuk mund të heqim lojtarët nga ekipi, kështu që vendosëm të largonim trajnerin, i cili ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë për rezultatet dhe gjendjen e skuadrës”. Kjo ka qenë deklarata e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, pas zyrtarizimit të largimit të trajnerit Ari Han. Ai ka pohuar se në gjendjen aktuale përfaqësuesja shqiptare nuk mund të rregullojë asgjë përsa u përket synimeve dhe ka lënë të kuptohet se trajnerit të ardhshëm, do t’i kërkohet që ndeshjet e mbetura të këtij edicioni t’i shfrytëzojë për të ndërtuar një ekip sa më solid për edicionin pasardhës. Duka ka pohuar se ky edicion është i dështuar, por nuk ka dashur t’ia faturojë të gjitha përgjegjësitë holandezit. “Trajneri ka përgjegjësitë e tij, por nuk është ai fajtori i vetëm. Ndonjëherë është edhe çështje fati, por kjo tani pak rëndësi ka”, ka deklaruar kreu i federatës për “Panorama”. Duka ka lënë të hapura mundësitë që Kombëtaren ta drejtojë në të ardhmen një trajner shqiptar, por kjo ka pak gjasa që të ndodhë, pasi dihet tashmë se preferenca e tij janë teknikët e huaj.
J. Halilaj
Interesimi
Mësohet se gjatë ditës së djeshme në federatë kanë mbërritur CV-të e katër trajnerëve të huaj, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Tre prej tyre janë teknikë gjermanë, madje njëri nga ata ka drejtuar në të kaluarën edhe Volfsburgun. Interesant është fakti që një nga teknikët që ka paraqitur CV-në dje ka qenë holandez, por zor se mund t’i bindë krerët e FSHF-së.
Largimet
Vetëm dy nga katër trajnerët e huaj të punësuar në epokën “Duka”, gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005) dhe kroati Oto Bariç (2006-2007) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e Kombëtares, ndërsa nga dy të tjerët, italiani Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2007) e holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009), i pari e braktisi Shqipërinë, të fundit iu kërkua largimi.
Kulmi i eliminatoreve
Ndeshja kundër Suedisë (0-0), më 6 shtator të vitit të kaluar, ishte padyshim më e mira që ka zhvilluar Shqipëria nën drejtimin e Ari Hanit. Barazimi me Portugalinë, më 15 tetor, ishte pa dyshim më i bujshmi, por në aspektin taktik apo mënyrën se si luajti ekipi, për kuqezinjtë, ajo kundër Suedisë qe paraqitja më e mirë.
Zhgënjimi më i madh
Barazimi në transfertë 0-0 me Maltën, më 11 shkurt, si dhe humbja me Hungarinë 1-0, më 28 mars në Tiranë, ishin dështimet më të mëdha të përfaqësueses gjatë këtij edicioni. Me këto rezultate, Shqipëria i humbi të gjitha shanset për të realizuar objektivat e këtij sezoni, pasi kuqezinjtë synonin vendin e katërt.