Mançester-Arsenal, gjysmëfinalja e dytë
Falë K. Ronaldos së më të mirë dhe një prove force, kampionët në fuqi të Mançesterit kanë rrëmbyer një sukses themelor në Oporto, duke kaluar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, pasi ka ndrequr barazimin e takimit të parë në Oporto. Një arritje që merr më tepër rëndësi, nëse mendohet se kurrë më parë, Porto s’kishte humbur me një formacion anglez, gjatë 12 precedentëve zyrtarë. Vetëm 6 minuta u janë dashur “djajve të kuq” për të siguruar kualifikimin, pasi Kristiano Ronaldo ka lëshuar një të djathtë të tmerrshme prej rreth 40 metrash. Arsenali i të rinjve është shumë i fortë për Vilarealin e veteranëve. Skuadra e drejtuar nga tekniku Arsen Venger mund me rezultatin e pastër 3-0 ekipin spanjoll dhe kualifikohet me meritë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, takim në të cilin do të ketë përballë Mançester Junajtidin. Në “Emirates” të gjithë ishin përgatitur për festë dhe në përfundim të 90 minutave ashtu ka ndodhur. Teo Uollkot, Emanuel Adebajor dhe Robin Van Persi ekzaltojnë 60 mijë tifozët e tyre. Ndeshja fillon vrullshëm për vendasit që çelin siparin e golave që në minutën e dhjetë pas një kombimini të shkëlqyer mes Fabregas që me finesë nis në zonë Uollkotin që me një parabol gjunjëzon portierin e Vilarealit. Me avantazhin minimal do të mbyllet edhe pjesa e parë e takimin, ndërkohë që në të dytën, ‘topçinjtë’ do t’i japin goditjen finale nëndetëses spanjolle. Minuta e 60-të e takimit dhe Emanuel Adebajor do të dyfishojë shifrat, pas një kundërsulmi të shpejtë të vendasve dhe pasimit të saktë të dhënë nga Robin Van Persi. Venger, skuadra dhe të pranishmit në “Emirates Stadium” janë mëse të kënaqur me kualifikimin.