Freddy Cole, koncert jazi në Tiranë
Turi i tij evropian kalon edhe nga Shqipëria. Është 77 vjeç dhe është ende tepër energjik e surprizues. Për herë të parë në Shqipëri, vjen një personalitet i veçantë i jazz-it botëror. Bëhet fjalë për Freddy Cole, këngëtar, pianist, vëllai më i vogël i legjendës së Jazz-it, Nat “King” Cole, i cili do të zhvillojë dy koncerte në Tiranë, në “Vesa Center” në datat 17 dhe 18 prill, në orën 22.30. Freddy është një nga këngëtarët më të mëdhenj të jazz-it të brezit të tij dhe numërohet në radhën e legjendave të kësaj muzike. Interpretimi i tij shquhet për nuancat e veçanta vokale, elegante, të vështira. Ka lindur në 15 tetor të vitit 1931, si më i vogli i pesë fëmijëve në familje. “Kam filluar të luaj piano qysh në moshën 5, apo 6 vjeçare. Muzika ishte gjithçka përreth meje”, - shkruan ai në biografinë e tij në faqen e vet zyrtare. Në moshën 20- vjeçare pasionin për muzikën e forcon në një nga shkollat më të mira të muzikës, në Julliard School, për të vijuar më tej një specializim në “New England Conservatory of Music”. Por kreu ama edhe shkollën e “rrugës”, si anëtar i bandave të vogla muzikore. Karriera e tij u rrit shumë shpejt. Krijoi një repertor këngësh të vetin, që e bëri të njohur nëpër skenat e Manhatanit, ndërsa nisi të bëhej edhe një figurë e njohur televizive e radiofonike. Krijoi një trio muzikore, me të cilin udhëtoi, jo vetëm në Amerikë, por edhe Evropë. Ka hedhur në treg disa albume, ku interpreton jo vetëm në gjuhën angleze. “Kjo gjë më bëri më shumë se një performues”, - thotë ai. Gjatë gjithë karrierës së tij e kanë krahasuar vazhdimisht me të vëllanë, Nat-in. Legjendë e muzikës jazz, megjithë specialistët e mirëfilltë thonë se ai është më pranë Frank Sinatrës dhe Billi Hollideit se sa vëllait të vet.