E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten çmimet e biletave në muze dhe parqe

 

ALMA MILE

Shqiptarë e të huaj duhet të paguajnë njëlloj për të parë një muze, apo një park arkeologjik në Shqipëri. Vetëm pak kohë më parë, me një vendim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, unifikohet çmimi i biletave si për vizitorët e huaj, ashtu edhe për vendasit. Deri më tani është favorizuar vizitori vendas, duke i dhënë mundësinë të paguajë, gjysmën, apo edhe më pak se gjysma e shumës, që një turist i huaj duhet të paguajë për të vizituar parqet apo muzetë tona. Nëse bileta për një turist të huaj ka qenë 500 lekë të reja, për një shqiptar, ka qenë 200 lekë. Tanimë edhe një vizitor shqiptar duhet të paguajë po 500. Kjo rritje çmimesh i paraprin hapjes së sezonit turistik veror, që shoqërohet me rritjen e numrit të vizitorëve. Dihet se institucionet muzeore shqiptare, apo parqet nuk vizitohen dendur nga vendasit. E nëse nuk kanë qenë deri më sot të motivuar për të shkuar e për të vizituar monumentet e kulturës, pavarësisht çmimeve simbolike, kjo rritje nuk ua nxit aspak kërshërinë. Dhe është e kuptueshme. Një familjeje shqiptare prej 4 vetësh, i duhet të paguajë 2 mijë lekë të reja, për të vizituar parkun Kombëtar të Butrintit. Madje, edhe më shumë nëse dëshiron të vizitojë edhe muzeun përkatës. Pak a shumë e njëjta skemë funksionon dhe në parqet e muzetë e tjerë, ku çmimet nuk janë të njëjta, pasi ato janë administruar nga bashkitë e komunat përkatëse. Në drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore, pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të thonë se nuk bëhet fjalë për rritje, por “unifikim” dhe kjo bëhet në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria aderon. Dhe se kjo i përshtatet gjithë linjës së qendrave më të rëndësishme muzeore të Mesdheut. “Ky unifikim bëhet për të mos diskriminuar turistët e huaj, në raport me ata shqiptarë”, - thonë burime pranë MTKRS-së. Por njëkohësisht, mësohet se krahas këtij balancimi financiar ka edhe një mundësi “rezervë”. “Përgjatë gjithë vitit janë 20 ditë, në të cilat vizitorët shqiptarë mund të shkojnë e të vizitojnë muzetë e parqet pa paguar asnjë lloj tarife”. Bëhet fjalë për të dielat e fundit dhe datat 18 të çdo muaji, përveç muajve të pikut turistik, gjatë cilave vizitori nuk paguan biletë. Specialistët thonë që është menduar gjithçka për të respektuar konventat, për të rritur të ardhurat, por edhe për t’u ardhur në ndihmë vizitorëve me të ardhura të ulëta. Megjithatë, duhet pasur parasysh që kjo rritje detyrimi duhet të shkojë paralelisht me shërbimet që ofrojnë këto qendra muzeore. Mjaft të përmendim Muzeun Historik Kombëtar, i cili për muaj të tërë njeh si aktivitet vetëm ekspozitën kushtuar viktimave të gjenocidit komunist. Madje, edhe kjo ngjarje ishte një ndërmarrje ndërinstitucionale. Gjatë viteve të fundit, gjithë drejtuesit  rinj të këtij institucioni, kanë shpalosur platforma e projekte madhore, por deri më tani nuk duket asgjë e re në dritë. Dhe një vizitori i duhet të paguajë 300 lekë të reja, për të parë të njëjtat pavijone, të njëjtat objekte, të vendosura aty prej vitit 1981, kur është ndërtuar muzeu. Me përjashtim të ca “pastrimeve” politike gjatë viteve të demokracisë.

Falas në 20 ditë të vitit
Në 20 ditë të vitit, shqiptarët mund të vizitojnë falas muzetë dhe parqet shqiptare. Bëhet fjalë për të dielën e fundit të çdo muaji, përveç qershorit, korrikut dhe gushtit. Ndërsa një tjetër mundësi i jepet vizitorëve çdo datë 18, që përkon me ditën ndërkombëtare të muzeve. Një praktikë kjo, e huazuar nga institucionet e huaja, simotra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›