E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, ulje e re çmimi për kartat deri më 15 qershor

 

adi shkembi

Qeveria merr vendim për uljen e çmimit të kartës së identitetit për disa kategori (duke shtuar disa të tjera) dhe përcaktimin e skemës së rimbursimit të tyre. Kështu me propozim të Këshillit të Ministrave, të gjithë personat para dhe tetraplegjikë, të verbrit dhe ata që kryejnë dënimin në paraburgim apo në burgim do ta marrin kartën e identitetit falas. Ndërkohë me çmimin 200 lekë, përveç pensionistëve me pension minimal në qytet dhe pensionistëve në fshat, do ta marrin kartën edhe anëtarët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe ata që votojnë për herë të parë pavarësisht nga gjendja ekonomike që kanë. Sipas vendimit do të paguajnë nga 500 lekë për marrjen e kartës së identitetit personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë, si dhe personat që përfitojnë pagesë papunësie. Në të njëjtën kohë, të gjithë personat që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal në qytet, të plotë, të pjesshëm ose pension invaliditeti si dhe personat në ngarkim të tyre, të cilët janë pa të ardhura, do ta blejnë kartën e identitetit për 800 lekë të reja. Kurse punonjësit buxhetorë që kanë rrogën bruto jo më shumë se 35 mijë lekë të reja, do ta blejnë dokumentin për 1 mijë lekë. Sipas vendimit të qeverisë “Pagesat e kompensimit bëhet për aplikimet e kryera ose letërnjoftimet e marra deri më 15 qershor 2009. Për aplikimet e bëra pas kësaj date, kompensimi është i pavlefshëm dhe çdo pagesë e marrë për to është e paligjshme”.
Skema
Paralelisht me uljen e çmimit të kartave të identitetit është përcaktuar edhe skema me të cilën do të bëhet rimbursimi i këtyre kategorive. “Pagesa e rimbursimit bëhet paraprakisht nga zyrat e institucioneve ku kategoritë e mësipërme marrin pagesat për pensionet dhe mbështetjen sociale ose shërbimet e tjera publike sipas rastit, ISSH, bashkitë, komunat dhe universitetet. Këto institucione bëjnë pagesën e kompensimit ose blejnë kuponat e aplikimit për përfituesit paraprakisht me fondet buxhetore të miratuara në buxhetet e institucioneve përkatëse ose me të ardhurat e arkëtuara për llogari të tyre”, thuhet në pikën C të këtij vendimi. Nga ana tjetër rimbursimi i institucioneve do të bëhet në fund të çdo muaji. “Institucionet buxhetore dhe njësitë e qeverisjes vendore paraqesin përkatësisht në Ministritë/Institucionet Qendrore nga të cilat varen dhe në Ministrinë e Brendshme listë pagesën e përfituesve të kompensimit të paguar për muajin përkatës dhe fotokopjen e aplikimeve ose fotokopjen e letërnjoftimit të përfituesve bashkangjitur”, thuhet më tej në vendim. Sipas Këshillit të Ministrave, efektet financiare të këtij vendimi janë në shumën 500 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë i vitit 2009.

Kompensimi sipas kategorive

Marrin kartat falas
a.    Të gjithë personat para dhe tetraplegjikë, personat e verbër si dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tyre, kur nuk kanë të ardhura.
b.    Të gjithë personat që vuajnë dënimin në kushtet e paraburgimit dhe burgimit.
Paguajnë 200 lekë
a.    të gjithë pensionistët që kanë pension minimal në qytet dhe të gjithë pensionistët e fshatit.
b.    Çdo anëtar të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe që janë mbi moshën 18 vjeç, ose e mbushin këtë moshë para datës 28 qershor.
c.    Të gjithë ata që votojnë për herë të parë, pavarësisht nga gjendja ekonomike dhe sociale që kanë.
Paguajnë 500 lekë
a.    personat me aftësi të kufizuara të lindur, ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP, sipas pikës 3 të nenit 7, të ligjit nr. 9355, datë 10.03.2005 “për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” si dhe anëtarët e familjes së tyre që janë mbi moshën 18 vjeç kur personi me aftësi të kufizuara është kryefamiljar, me përjashtim të kategorisë së para dhe tetra plegjikëve dhe të verbërve.
b.    Personat që përfitojnë pagesë papunësie.
Paguajnë 800 lekë
a.    Të gjithë personat që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal në qytet, të plotë, të pjesshëm ose pension invaliditeti si dhe personat në ngarkim të tyre, të cilët janë pa të ardhura.
Paguajnë 1000 lekë
a.    Punonjësit e institucioneve buxhetore me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 mijë lekë si dhe personat në ngarkim të tyre pa të ardhura.

Pagesat e kompensimit bëhet për aplikimet e kryera ose letërnjoftimet e marra deri më 15 qershor 2009. Për aplikimet e bëra pas kësaj date, kompensimi është i pavlefshëm dhe çdo pagesë e marrë për to është e paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›