E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari sjell fitime për BSH-në

Vlerësimi i metalit të çmuar, arit, ka sjellë fitime për Bankën tonë Qendrore edhe pse gjysma e botës është në krizë ekonomike. Shifrat e publikuara në bilancin e muajit shtator, tregojnë për një rritje të vlerës së arit të depozituar, me rreth 400 milionë lekë, ose 4.3 milionë dollarë. Më 30 shtator 2009, vlera e arit të vendosur në depozita dhe llogari rrjedhëse në bankat e huaja, ishte afro 6,4 miliardë lekë, kurse në gusht rreth 6,1 miliardë lekë. Kurse ari dhe metale të tjera të çmuara të përfshira në aktive vendase dhe që përfshin gjendjet e arit jomonetar, platinit dhe të argjendit në kasafortë, të vlerësuara me kursin e këmbimit fiks të Londrës, janë në shumën totale prej rreth 3 miliardë lekësh, nga 2,8 që ishte në gusht 2009. "Diferenca pozitive prej 408 milionë lekësh rezulton nga rivlerësimi i arit i regjistruar në rezervën e rivlerësimit për muajin shtator ‘09", thotë Banka e Shqipërisë. Në muajin gusht, 1 onz ar (31.1 gramë) kushtonte 88,106 lekë, kurse në shtator vlera u rrit në 91,995 lekë. Në nëntor, vlera e arit preku rekordin në 97,980 lekë, pra fitime në rritje për BSH-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›