E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, "thahen" çezmat e qytetarëve

Prej tri ditësh, qyteti i Fierit dhe disa rrethina të tij janë përballur me mungesë e ujit të pijshëm. Ka qenë një defekt në tubacionin magjistral të stacionit të pompimit në Kafaraj, nga siguron ujë Ujësjellësi i Fieri, shkaktuar nga ndërhyrja e Bordit të Kullimit, shkaku që ka lënë më shumë se 100 mijë banorë pa furnizim. Defekti, sipas drejtorit Agim Plepi, ka përfunduar së riparuari plotësisht paraditen e së shtunës, plot tri ditë pas konstatimit të tij. Plepi, ashtu si dhe në momentin e parë të përballjes me defektin, edhe tri ditë më pas nuk ka siguruar për mbarëvajtje të ndërhyrjes në tubacionin e dëmtuar. "Si fillim kërkohej një fond i madh që defekti të riparohej plotësisht. Por edhe kushtet atmosferike nuk kanë qenë në favorin tonë, për një riparim të dëshirueshëm. Ndërkohë që amortizimi i rrjetit është një problem tjetër", tha drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Agim Plepi. Uji në disa lagje të qytetit të Fierit është rikthyer me orar të kufizuar rreth mesditës, ndërkohë që pjesa më e madhe e qytetit nuk ka mundur të furnizohet gjatë gjithë ditës së shtunë. Është premtuar gjithashtu se e diela nuk do të shënojë më mungesë të ujit të pijshëm. Ndërkohë, Drejtoria e Shëndetit Publik dhe konkretisht Inspektorati i Higjienës në këtë drejtori, kanë bërë thirrje publike për moskonsumim të ujit deri në një kohë të pacaktuar. Përgjegjësi i Inspektoratit të Higjienës, Nuredin Kallashi, ka thënë: "Banorët e Fierit nuk duhet ta konsumojnë ujin e çezmave deri në një kohë kur të deklarohet zyrtarisht për një cilësi të ujit. "Për më shumë se 24 orë tubacionet magjistrate, ato dytësore dhe terciare të rrjetit të furnizimit me ujë në Fier kanë qenë të boshatisura plotësisht. Rimbushja me ujë e këtyre tubacioneve do të shënojë riaktivizim të ndotësve brenda tyre. Së bashku me ujin, popullatës së Fierit mund t‘i vijnë edhe masive me ndryshk apo dhe ndotës të tjerë. Ky është paralajmërim që kryhet nga autoriteti i Higjienës për popullatën", ka thënë Nuredin Kallashi.

Kallashi ka pohuar gjithashtu se do të kryhen në laboratorët e Inspektoratit të Higjienës analiza të njëpasnjëshme të të gjitha pikave të përcaktuara për sigurimin e mostrave të ujit.

Ai nuk ka dhënë një afat për rikthimin e cilësisë së ujit, ndërsa ka siguruar se analizat do të jenë ato që do të lejojnë përdorimin për konsum të ujit që vjen nga ujësjellësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›