E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toni Bler: "Vendimi për luftën në Irak ishte i drejtë"

Britania e Madhe do ta kishte mbështetur luftën në Irak, edhe nëse nuk do të kishte pasur asnjë provë se Sadam Husein, posedonte armë të shkatërrimit në masë. Kjo është një nga deklaratat e dhëna në një intervistë për BBC-në, nga ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Ish-numri një i qeverisë britanike, që në janar do të jetë i pranishëm në gjykatë për shkak të hetimit zyrtar që ka nisur mbi shkaqet e vërteta që e shtynë Britaninë e Madhe të merrte pjesë në pushtimin e Irakut, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se Londra do të kishte përdorur mënyra të tjera për të justifikuar mbështetjen e saj ndaj Amerikës për të "shporrur" liderin irakian, Sadam Husein. Pa kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë, "sigurisht që duhej të përdoreshin dhe të përhapeshin argumente të ndryshme për rrezikshmërinë që përfaqësonte Sadami", tha ai për BBC-në në një intervistë shumë delikate që pritet të transmetohet sot. "Nuk mund të mendoj vërtet, nëse do të ishte mirë ta kishim ende në burg bashkë me dy djemtë e tij. Është jashtëzakonisht e vështirë. Pikërisht bindja se Sadami ishte një rrezik i madh për gjithë rajonin, më shtyu drejt atij vendimi që ende sot e konsideroj të drejtë", shtoi më tej Bler. "Kjo është arsyeja se përse unë i kuptoj shumë mirë ata që janë pro dhe kundër luftës, por në fund të fundit, mua më duhej të merrja një vendim", vazhdon më tej ai. I pyetur nëse ishte ideja e Sadamit për armët e shkatërrimit në masë ajo që e shtyu drejt vendimit final, Bler u përgjigj se ishte "emri i tij si një kërcënim për gjithë rajonin dhe ku krijimi i armëve të shkatërrimit në masë ishte njëri prej tyre". Në kohën e konfliktit, Bler tha se e bazonte vendimin në faktin se në Irak kishte armë të shkatërrimit në masë. Po ashtu, ai tha se ndryshe nga ajo çka besojnë njerëzit, besimi i tij nuk ka luajtur asnjë rol në marrjen e vendimeve. Bler do të merret në pyetje në lidhje me akuzën për mbështetje të fshehtë që i ka dhënë Bushit dhe planeve të tij për pushtimin e Irakut para autorizimit ushtarak nga Parlamenti në vitin 2003.

Më 24 nëntor, gjashtë vjet e gjysmë pas mbështetjes që Kryeministri i atëhershëm Toni Bler i dha amerikanëve për konfliktin, në Londër u hap një hetim zyrtar i pritur prej kohësh mbi të gjitha nga shoqatat paqësore dhe nga familjet e ushtarëve britanikë që kanë humbur jetën në Irak. Në qendër të hetimit do të jetë dosieri i famshëm i prezantuar më 24 shtator të vitit 2002 nga Toni Bler. Në tekst shkruhej se Iraku posedonte armë të shkatërrimit në masë, që në vërtetë nuk u gjetën kurrë e që mund të aktivizoheshin brenda 45 minutave. Për sa i përket hetimit britanik, mbështetësit e tij shpresojnë që ai të dalë në përfundimin se vendimi për luftën në Irak ishte i paligjshëm dhe i bazuar në një informacion jo të saktë të shërbimeve sekrete, për rrezikun që përbënte Sadam Husein. Dëshmitarëve, në këmbim të dëshmive, mund t‘u ofrohet edhe imunitet ndaj hapjes së çështjeve penale. Një pjesë e mirë e familjarëve kanë kërkuar që Bler të akuzohet për krime lufte. Ai tha se ishte përgatitur për të mbajtur mbi shpinë këtë përgjegjësi. Hetimet do të vazhdojnë deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe do të ndërpriten për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme. Ish-kryeministri që tani kalon shumë kohë në Lindjen e Mesme, në punën e tij si i dërguari special për këtë zonë, pranon se është e vështirë të gjykohet nëse vendimi për të shkuar në luftë ishte i dobishëm apo jo. Më herët gjatë kësaj jave, Bler pranoi se Iraku i Sadamit ishte një prej vendeve ku Britania do të kishte preferuar nderimin e regjimeve. Nga ana tjetër, ish-shefi i inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në Irak, Hans Bliks, i ka thënë BBC se argumenteve të paraqitura për të justifikuar pushtimin e Irakut të parashtruara nga Toni Bler, Kryeministri britanik në atë kohë, u mungonte sinqeriteti. Bliks tha se Bler duhet të kishte ushtruar një mendim më kritik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›