Bonot në pikiatë, vlera arrin në 6%
Një muaj më parë vlerësoheshin me 25 për qind, ndërsa i gjeje me 6 për qind. Tregtarët thonë se çdo ditë e më shumë po bie vlera e bonove, për shkak se askush nuk është më i interesuar për to. "Me sa di, qeveria nuk po i pranon ende letrat me vlerë. Njerëzit janë në pritje edhe pse është miratuar ligji", thotë një tregtar në zonën ku ndodhet Banka e Shqipërisë. Një tjetër sugjeron për të mos i blerë. "Ka vajtur 6 për qind. Për mendimin tim as mos i shit fare, nuk ia vlen. Prit të hapen zyrat e pranimit të letrave se ndoshta i rritet vlera", thotë një tjetër tregtar kur i drejton një bono me vlerë 20 mijë lekë. Tashmë sipas ligjit të ri, banorët e zonave informale mund t‘i blejnë shtëpitë me bono deri në 50 për qind të vlerës, madje përfitojnë edhe ata që nuk i kanë bërë ende pagesat para hyrjes në fuqi të ndryshimeve. "Ne bëjmë një kontribut të çmuar si qeveri, ku 100 për qind e vlerës së truallit të privatizuar nuk shkon në njësitë e qeverisjes vendore, por shkon në arkën e AKKP-së, për kompensimin financiar të ish-pronarëve", ishte qëndrimi i ministrit të Financave, pak çaste para miratimit të projektligjit në Kuvend, më 22 tetor 2009.