Denoncimi ; Prangoset mësuesi, akuzohet nga nxënësja e tij për abuzim seksual
Një mësues në një shkollë 9-vjeçare në rrethin e Dibrës është arrestuar nga policia, pasi është denoncuar nga një 14-vjeçare, nxënëse e tij, se e ka përdhunuar. Në prangat e uniformave blu ka rënë 50-vjeçari Gëzim Çela, i cili punonte në fshatin Klenjë. Sipas burimeve nga policia, është bërë një denoncim nga një nxënëse e tij, ku 50-vjeçari akuzohet për kryerje të marrëdhënieve me dhunë. Punonjësit e policisë kanë shoqëruar në komisariat Çelën, ndërkohë që po hetohet për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Ditën e djeshme në komisariatin e Peshkopisë është paraqitur e mitura, e cila e shoqëruar nga familjarët ka bërë një denoncim për mësuesin e saj, Gëzim Çela. Minorenia kishte treguar në shtëpi në lidhje me këtë ngjarje dhe menjëherë prindërit e saj janë alarmuar dhe janë drejtuar në komisariatin e qytetit të Peshkopisë për të kryer denoncimin. Sipas kallëzimit të bërë, 50-vjeçari dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të, duke përdorur dhunën. I arrestuari punonte në shkollën 9-vjeçare të fshatit Klenjë, Trebish, si mësues matematike. Sipas burimeve nga policia, nxënësja e shkollës ka deklaruar se mësuesi i saj kishte abuzuar me të disa herë dhe kjo kishte ndodhur në ambientet e shkollës së fshatit. Familjarët e nxënëses me inicialet S.S. janë alarmuar së tepërmi nga ky rast dhe kanë kërkuar nga policia dënimit e autorit.
Arrestimi
Burime zyrtare policore bëjnë të ditur se 50-vjeçari është arrestuar në banesën e tij, ku dhe i janë komunikuar akuzat. Gëzim Çela është dërguar në Komisariatin e Policisë Peshkopi dhe gjatë ditës së sotme pritet që të jepet masa e sigurisë. Ndërkohë që sipas burimeve, do të jenë ditët në vazhdim që do të zbardhin të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Referuar të njëjtave burime policore, 50-vjeçari nuk i ka pranuar akuzat e bëra. Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të kryhet pas vendimit të gjykatës që do të përcaktojë të vërtetën në lidhje me këtë rast. Nga deklarimet e bëra nga 14-vjeçarja, dyshohet se ajo është abuzuar disa herë nga mësuesi. Këtij shtetasi i është komunikuar pas arrestimit akuza paraprake, ndërkohë që akuzohet për kryerjen e veprës penale të “abuzimeve seksuale me të mitur”.
Greqi, në pranga pedofili grek, abuzoi me të miturën shqiptare
Një shtetas grek 57-vjeçar është arrestuar nga policia helene, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht një 9-vjeçare shqiptare. Ngjarja ka tronditur opinionin publik grek dhe ka ndodhur në Athinë. Kanë qenë prindërit e vajzës që kanë bërë denoncimin për këtë ngjarje. Agjentët e policisë kanë arrestuar më pas Jorgos Jordhamin, i cili dyshohet për këtë vepër të turpshme. Sipas mediave greke, 57-vjeçari ishte i martuar me një grua shqiptare dhe 9-vjeçarja, viktimë e abuzimit mësohet të ketë qenë mbesa e gruas së tij. I arrestuari banonte në lagjen “Markopulos” në kryeqytetin helen. Prindërit e vajzës kanë vënë re sjelljen e ndryshueshme të vajzës së tyre. Pasi ata kanë zbuluar këtë ngjarje, kanë shkuar menjëherë në polici, ku dhe kanë kryer denoncimin ndaj pedofilit 57-vjeçar. Policia greke ka kryer më pas arrestimin tij dhe e ka shoqëruar atë në qeli. Ky është rasti i tretë i pedofilisë që trondit opinionin publik grek.