Arian Çani: Dua të ndaj dyshimet e mia me publikun
ALMA MILE
Pasi i ka thënë të gjitha çka akumuluar brenda vetes, ndihet më i qetë. Ndoshta i zbrazur dhe i gatshëm për të gëlltitur përditshmërinë. Arian Çani është nga ata njerëz që duan të flasin. Mundësisht të ketë sa më shumë njerëz rreth vetes, për të ndarë çka ai mendon. Kjo është edhe arsyeja pse sot, por edhe nesër, ndonëse e hënë, ai ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit për t’i thënë publikut ca gjëra që dëshiron t’i thotë. Në një format të ri, siç është ai “One man show” ai sjell spektaklin e tij “Ej, mos i thuaj njeriu”. Është një spektakël i veçantë, që vjen për herë të parë në një skenë shqiptare. Emisioni i tij “Zonë e lirë”, ku të gjithë mund të flasin lirshëm, është një mundësi që ai sigurisht të shprehet, por më së shumti të nxisë të tjerët të thonë gjëra që nuk i kanë thënë më parë. Por kësaj here ai dëshiron të flasë vetë, pa e ndërprerë kush. Dëshira për ta bërë një gjë të tillë, i flinte prej vitesh brenda vetes dhe tani mendon se është momenti i duhur. “Qysh në kohën kur jetoja në Francë, në vitet ’92-’93, më ka pëlqyer ky lloj formati. Është i famshëm kudo, por tek ne vjen për herë të parë. Sigurisht njerëzit që e bëjnë në skenat e huaja janë profesionistë, aktorë komikë. Unë nuk jam i tillë, por kam ca gjëra për të thënë dhe pas 6 vitesh në ekran, mendoj se erdhi momenti”, - thotë gazetari Arian Çani. Sigurisht ai nuk pretendon të thotë çudira, përkundrazi, dëshiron të ndajë ca gjëra fare të thjeshta përditshmërie, që i ndeshim çdo ditë, por mbi të cilat kemi ose një mendim tepër serioz, ose tepër të përciptë. E, Arian Çani ka vendosur të thotë mendimin e tij, por pse jo të ndaj dyshimet e tij për ato gjëra që i marrim për “absolute”, apo edhe ca “paranoja”, që t’i mendosh hollë-hollë nuk janë edhe aq pa vend. “Nuk është e thënë që publiku të ndajë të njëjtin mendim me mua, megjithatë unë dua të sjell konceptin tim për botën. Nëse publiku del nga salla me një dyshim për gjëra që më parë i ka parë ndryshe, atëherë kjo është një gjë e mirë. Ajo çka dua të bëj, është të “çmitizoj” ca “mite”. Në fund të fundit ca gjëra nuk duhen marrë edhe aq seriozisht, madje as vdekja jo”, - thotë ai. E këtë proces “çmitizimi”, do ta nisë me teatrin, me ceremonialin “solemn” të parashfaqjes, për të vijuar me publicitetin, i cili ka hyrë në çdo pore të jetës, madje është kthyer në një domosdoshmëri të atillë, saqë gjithçka mund ta barazosh me të. Por ka publicitet e publicitet. Ai veçon spotin për turizmin të ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Por do flasë edhe për politikën e politikanët, zgjedhjet që i kemi në prag, por edhe pak për modën e fundit, pa të cilën nuk mund të ketë “bllok”, apo pasarela bulevardesh, po as pishina... Por nuk mund të mos flasë edhe për televizionin, pjesë e së cilës është edhe ai vetë. Për këtë “fe” të kohëve moderne, që ka hipnotizuar aq shumë njerëz. Po edhe për tjera tema, të cilave ai u bën një analizë aq të thjeshtë dhe aq bindëse, saqë nuk mund të mos thuash me vete: “Po si nuk më kishte shkuar në mend më parë?”. Çdo gjë është e veshur me një tis humori të zi e ironie, që i shërben për të arritur qëllimin e tij, demistifikimin e fenomeneve.
Çani ngulmon të theksojë, që ajo çka ai do sjellë në Teatrin e Metropolit nuk është një variant skenik i “Zonës së lirë”, por një komunikim i veçantë teatror. Por nuk është as një monodramë e mirëfilltë, edhe pse ai do të jetë i vetëm në skenë, nën dritën e prozhektorëve dhe syve të publikut. Ndonëse i duhet që të aktrojë çdo të premte, pa qenë aktor, për këtë spektakël, Çanit i është dashur të marrë ca mësime mbi mjeshtërinë e aktorit. “Regjisori Hervin Çuli më ka mësuar si të sillem në skenë. Më mësoi si të lëviz pa lodhur publikun, si të mbështes fjalën me gjeste, si të ndaloj e të vë theksin tek fjala, që ajo të ketë peshë. Por edhe grafikun e tekstit, që ai të vijë natyrshëm tek publiku, jo i lodhshëm dhe i sforcuar. Më mësoi si të menaxhoj tonin e zërit, në fillim, vazhdim e në fund të pjesës. Nuk mund të them që teorikisht nuk i njihja të gjitha këto, por nuk dija t’i përdorja”, - tregon me sinqeritet Arian Çani. E sërish ai nuk pretendon të jetë aktor, por ca shprehi të domosdoshme skenike i ka fituar. E gjithë skena do të jetë e tij për rreth 1 orë e 20 minuta. Do të jetë i veshur në të zeza si gjithmonë. Kur e pyet se përse me këtë “kostum”, që e identifikon me “Zonën e lirë”, ai të përgjigjet se e bën këtë për publikun. “Jam ende mbi peshë për të dalë në skenë me veshje me ngjyra. E duke qenë se unë e respektoj publikun, nuk dua që të dukem shëmtuar para tij”, - thotë ai. I ka menduar të gjitha me detaje. Për këtë e kanë ndihmuar regjisori Hervin Çuli, grafic designer Kliton Kuka, Dj Çerri me muzikën dhe Geliand Kaleci me fotografinë. Tani pret vetëm reagimin e publikut.
Shfaqje edhe të hënën
Ashtu si ka vendosur të eksperimentojë me një format të ri skenik, të njëjtën gjë bën edhe me ditët e shfaqjeve. Arian Çani nuk preferon të japë shfaqje si të gjithë. Ai do t’i ngulisë shikuesit një kalendar të ri. Spektakli i tij “Ej, mos i thuaj njeriu!”, në skenën e Teatrit të Metropolit (pas Muzeut Kombëtar) nuk do të shfaqet vetëm të dielën, por edhe të hënë, të martë e në vazhdim. Biletat shiten pranë Teatrit të Metropolit.
Në të zeza
Vazhdimisht e pyesin përse vishet gjithnjë me të zeza. Nuk mund të thuhet që e zeza është ngjyra e preferuar e Arian Çanit, madje në ditën e zakonshme e sheh të veshur gjithë ngjyra, por për në ekran ka zgjedhur pikërisht atë. Madje edhe për spektaklin e tij “One man show” do të vishet po me të zeza. Arsyeja logjike e tij është për të fshehur kilet e tepërta që të jep ekrani, apo skena. Kështu që pamjen ai e konsideron si respekt për publikun.