Arifaj bën exchange: Do këmbeja lojën e bukur me tripikëshin
Sipas mesfushorit Besmir Arifaj, Dinamo duhet të arrijë fitoren sa më parë dhe të harrojë ndeshjet e kaluara pa pikë
Dinamo Shkumbini (e diel 14:00)
Dinamo vazhdon përgatitjet intensive për ndeshjen e radhës me Shkumbinin, e cila do të zhvillohet ditën e diel. Dje blutë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në ritme të shpejta, teksa futbollistët kanë qenë tepër aktivë, gjithashtu edhe trajneri Sejdini me stafin e tij Mërgjyshi dhe Bozhiqi. Ndërkohë, në radhët e Dinamos janë kthyer edhe futbollistët pjesëtarë të kombëtares U-21, Roland Peqini, Eni Imami, Antonio Marku dhe Andrea Kule.
Grupi është kompletuar dhe tashmë pritet ndeshja me Shkumbinin, e cila është tepër e rëndësishme për momentin e keq që dinamovitët po kalojnë, pasi jo vetëm rezultatet kanë munguar, por edhe sanksionet e FIFA-s, pas problemeve me futbollistët e huaj që janë aktivizuar më parë tek blutë, kanë ndëshkuar më shumë skuadrën e drejtuar nga Faruk Sejdini.
Deri tani, Dinamo ka shënuar vetëm një gol ndaj Tomorit në Lushnjë. Autori ka qenë mesfushori Besmir Arifaj, i cili në përfundim të seancës stërvitore ka analizuar gjendjen aktuale të Dinamos, duke qenë tepër i shqetësuar për kushtet stërvitore të deritanishme. Ndërkohë, Arifaj analizon edhe ndeshjen e radhës ndaj Shkumbinit. Sipas nr.18 të bluve, në këtë takim nuk do të mjaftonte vetëm loja e bukur, siç ka ndodhur edhe në sfidat e tjera.
Arifaj kërkon të bëjë exchange, duke e zëvendësuar lojën e bukur me fitoren. Natyrisht, është një ndeshje e rëndësishme për ne. Na duhet patjetër tripikëshi, sepse kemi një pozicion të vështirë. Presioni është në krahun tonë. Shpresojmë që ndaj Shkumbinit të fitojmë dhe të mos merremi me faktin që zhvilluam apo jo ndeshje të bukura, sepse më parë kemi luajtur shumë mirë, por në fund skemi arritur te fitorja.
Më mirë të arrijmë fitoren me një lojë jo të mirë, sesa të vazhdojmë ndeshjet e mira pa arritur pikët e duhura. Shkumbini është një ekip për tu respektuar dhe duke respektuar kundërshtarin automatikisht karikohemi të japim më të mirën tonë. Pozicioni im ideal është ky i qendrës, në mesfushë, siç po luaj tani tek Dinamo, pavarësisht se në ekipe të tjera kam luajtur në pozicione të ndryshme, duke u adaptuar.
Unë e ndiej që në këtë sektor të fushës mund të jap maksimumin tim dhe gjithnjë do të luaj me përkushtim për një fanellë si ajo e Dinamos. Pavarësisht pozicionit të saj të vështirë që po kalon, kjo fanellë mbetet me një peshë të rëndë në futbollin shqiptar. Për sa u takon kushteve që kemi këtu, me mungesën e dhomave të zhveshjes dhe gjëra të tjera elementare, është hera e parë gjatë karrierës sime sportive që jam në këto lloj vështirësie. Më vjen keq që Dinamo ndodhet në kushte të tilla.
Mungojnë dhomat e zhveshjes, dushet dhe oraret e sakta të stërvitjeve. Duke ndryshuar edhe oraret e stërvitjes nga dita në ditë, nuk është aspak në favorin tonë,- përfundon idenë e tij mesfushori blu. Atmosfera në kampin blu duket e elektrizuar. Futbollistët janë koshientë për momentin e keq që Dinamo po kalon dhe të gjithë të bashkuar kërkojnë të arrijnë një fitore përballë Shkumbinit, në mënyrë që të çelin një seri të gjatë të rezultateve pozitive, pa të cilat Dinamo smund të mbijetojë në ferrin superligë.
Blutë marrin rrogat, ngrohen xhepat para Shkumbinit
Dje futbollistëve të Dinamos u janë shpërndarë rrogat pas seancës stërvitore. Gjithashtu edhe stafi blu ka përfituar rrogën mujore. Tashmë dinamovitët, edhe pse me rroga modeste dhe jo si në kohët e shkuara, janë korrektë me pagesat e futbollistëve. Siç dihet, në botën e futbollit aspekti financiar është tepër i rëndësishëm. Përpara ndeshjes me Shkumbinin blutë të paktën janë të qetë në anën psikologjike. Tashmë ka mbetur që ata të reagojnë vetën në fushën e blertë, duke mposhtur skuadrën peqinase. Një fitore në këto momente ka shumë vlera për Dinamon.
