Arihet marrëveshja e interkonjeksionit midis ASC-së dhe Albtelekomit
Tregut shqiptar të telekomunikacionit i është shtuar tashmë edhe operatori më i ri privat, kompania “Albanian Satellite Communication”. Pikërisht kjo kompani, “ASC” pas licencimit nga Enti Rregullator i Telekomunikacionit, do të hedhë së shpejti në treg gjithë gamën e shërbimeve telefonike bashkëkohore. Pas licencimit nga ERT-ja, kompania “ASC”-ë finalizoi dhe marrëveshjen e interkonjeksionit me shoqërinë e telefonisë “Albtelekom”. Bazuar në projektin dhe masën e investimit, drejtuesit e “ASC”-së e konsiderojnë këtë projekt si një risi në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri. Futja e kompanive të reja në treg shoqërohet me përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara deri më sot, por gjithashtu dhe me uljen e çmimeve për konsumatorin shqiptar. Arian Kraja, drejtor ekzekutiv i kompanisë “ASC”-ë, deklaroi për mediat se: "Gama e shërbimeve, alternativat në çmime dhe shtrirja sa më e gjerë në Republikën e Shqipërisë, do ta shndërrojnë “ASC”-në në një lider të teknologjisë në rajonin tonë". Drejtori Kraja, nuk përjashtoi dhe mundësitë e shtrirjes së kësaj kompanie më gjerë në rajonin e Ballkanit, duke e shndërruar “ASC”-në në rrjetin e komunikimit telefonik mbarë-shqiptar.
30 Korrik 2008