E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nën kufizime, KESH-i i jep hua 100 MË energji Greqisë në ditë



Ervin Koçi

Kriza energjetike që prej muajsh ka përfshirë të gjithë rajonin e Ballkanit, nuk ka lënë jashtë as fqinjin tonë jugor, Greqinë, e cila këtë herë “ka shtrirë dorën” për ndihmë edhe tek ne. Si për hironi, në një kohë që në vend vijojnë kufizimet e energjisë të cilat justifikohen me “riparime në rrjet”, KESH-i i shet energji Greqisë, e cila nga ana e saj është gati ta blejë me çfarë do lloj çmimi për të mos lënë konsumatorët e saj pa këtë produkt. E përditshmja greke "Eleftherotypia" ka bërë të ditur, në një artikull të botuar dy ditë më parë, se “Greqia është duke u përballur me temperatura të larta këtë verë dhe situata është rënduar më shumë nga furnizimi problematik me energji elektrike”. Sipas të përditshmes greke, kompania shtetërore greke e Energjisë nuk mund që të përballojë nivele të tilla kërkesash dhe rreth 650 MË energji merret borxh nga Bullgaria, 200 MË nga Italia, 100 MË nga Maqedonia dhe 100 MË nga Shqipëria. Shkëmbimi i energjisë midis KESH-it dhe kompanisë greke, pranohet edhe nga burimet pranë Koorporatës Elektroenergjetike, sipas të cilëve, “shkëmbimi i energjisë realizohet në favor të dy vendeve, duke kombinuar oraret”.

Shkëmbimet e energjisë

Sipas të përditshmes greke "Eleftherotypia" bëhet e ditur se Maqedonia dhe Greqia shkëmbejnë energji rregullisht. Sipas kësaj gazete, “vetëm pak muaj më parë ishte Maqedonia që mori borxh energji nga Greqia, në një kohë që Parku Energjetik i Bitolës ishte në riparim”. Të njejtën gjë duket se e bën prej vitesh edhe KESH-i i cili në marrëveshje të publikuara ose jo me vendet e rajonit shet dhe blen, por edhe jep hua ose depoziton sasi energjishë, të cilat synon t’iu përdorë më pas në kohëra krizash. Por në një kohë që fqinjët tanë e blejnë produktin e energjisë elektrike me çdo çmim, madje edhe në raste krizash të thella, ose e marrin hua atë, shteti shqiptar nuk vepron në të njetën mënyrë. KESH-i situatën e zgjidh me kufizime të shumta në stinë të ndryshme të vitit dhe vetm atëherë kur natyra tregohet bujare, edhe Koorporata e lëshon energjinë “me pikatore”, por pa llogaritur dëmin e madh që i shkakton ekonomisë së vendit mungesa e saj, apo kostoja e lartë e sigurimit me mjete alternative. E si të mos mjaftonte kjo, KESH-i dhe qeveria çdo vit i kanë dhënë si kompensim konsumatorëve shqiptar një rritje progresive të çmimit të energjisë elektrike.

Kriza energjisë

Kriza e energjisë elektrike që ka pllakosur tani në gadishullin e Ballkanit, nuk ishte e paparashikueshme. Që prej vitit 2002, kambanat e alarmit të kësaj krize në rajonin e Ballkanit kanë qenë të shpeshta. Të gjitha vendet e kanë ndjerë atë dhe kanë shtrirë dorën për të kërkuar para për energjinë, në çdo lloj konference donatorësh. Në vitin 2005, BE-ja miratoi një kuadër bashkëpunimi që paralajmëroi se rajoni ka nevojë për një unazë energjetike për t'u integruar në këtë mënyrë me rrjetin europian të energjisë. Por nxjerrja e Ballkanit nga kriza kërkon investime që arrijnë në 15 miliardë euro dhe e përjavshmja prestigjioze britanike "The Economist", e konsideroi planin e BE-së, si një "ëndërr në diell". Të gjitha qeveritë e rajonit i pranojnë vështirësitë dhe kanë projekte për të shpëtuar nga kriza, por besueshmëria e këtyre projekteve është e dyshimtë. Kroacia, Bullgaria, Rumania, deri edhe Shqipëria, ëndërrojnë të zhvillojnë kapacitete të energjisë bërthamore. Vetëm në Rumani ka shanse që projekte të tilla të realizohen. Në Bullgari mund të realizohen, por kjo gjë do të kërkojë shumë kohë dhe derisa energjia bërthamore të mbërrijë, vendi do të ketë kaluar shumë vite krize enrgjetike. Në Kroaci, ideja e energjisë bërthamore kërkon një investim prej 4 mijë euro për banor në 3-4 vitet në vijim.

Energjia atomike

Para një situate të tillë, ku igurimi i energjisë elektrike po bëhet gjithnjë e më i vështirë, duket se shumë shtete i kanë kthyer sytë dhe po shikojnë si një mundësi të mirë zgjidhjeje, energjinë atomike. Sipas agjencisë angleze të lajmeve "Reuters" një numër i madh vendesh evropiane dhe të Lindjes janë përfshirë në një garë të zjarrtë për të ndërtuar centrale bërthamore, që do të mund të rrisin ofertën e energjisë dhe njëkohësisht, të plotësojnë kërkesat në rritje për këtë mall tejet të kërkuar. Një nga vendet që i ka çelur dritën jeshile ndërtimit të një centrali nuklear bërthamor është edhe Shqipëria. Ky projekt, sipas "Reuters", është duke u negociuar me qeverinë dhe kompanitë italiane. Kompania "Enel", sipas "Reuters" është duke shikuar mundësinë për ndërtimin e një centrali nuklear në Shqipëri.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›