E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arinjtë e bardhë” rusë pronësojnë Kupën UEFA

Strategjia e trajnerit Dik Advokat dhe golat e Igor Denisovit në minutën e 72-të dhe Zirjanov në 94', i dhuruan Kupën UEFA, Zenitit të Shën Petërsburgut, trofe i dorëzuar nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini në tribunën e stadiumin e Mancesterit në Angli. Zenit eliminoi gjatë rrugës emra të mëdhenj të futbollit europian, duke filluar nga Olimpiku i Marsejës së Lorik Canës, Bajer Leverkuzenin në cerekfinale, Bajernin e Munihut në gjysmëfinale dhe Gllazgou Rejnxhërs në "finalen e vogël", sic konsiderohet kjo e Kupës UEFA në raport me atë të Ligës së Kampioneve, ku do të përballen në Moskë, më 21 maj, Mancesteri dhe Celsi.
Gllazgou Rejnxhërs shpresoi shumë për ta realizuar pas 36 vjetësh titullin e dytë europian, por ishte kundërshtari i tij Zenit i Shën Petërsburgut, i cili shënoi emrin për të parë në "Librin e Artë" të Kupës UEFA duke fituar edhe trofeun e parë të madh ndërkombëtar në historinë e klubit rus.
Gllazgou, që kishte triumfuar kundër një tjetre skuadre ruse, Dinamos së Moskës, nuk arriti ta përsërisë këtë ndaj një kundërshtari, që befasoi botën futbollistike europiane.
Dueli pati ngjyrime të forta taktike edhe në planin e dy trajnerëve, Valter Smithin e Rejnxhërsit dhe holandezin Dik Advokat të Zenitit.
"Ju nuk mund ta dini kurrë se si do të shkojë një finale", - tha përpara sfidës trajneri i Rejxhërsit, Smith. Dhe kishte të drejtë. Skuadra e tij edhe pse luajti thuajse në shtëpi, Mancesteri është gati 30 minuta me avion nga Gllazgou, e mijëra skocëze ishin në qytetin britanik, nuk mundi të frenonte "arinjtë e bardhë" rusë.
Trajneri i mencur Advokat, i cili eliminoi Bajernin, një nga rezultatet befasuese e vitit në Europë, e ndërtoi të njëjtën strategji për të shkuar te trofeu i dytë më i rëndësishëm i klubeve në Europë. "Të dyja ekipet e merituan finalen pasi ne mundëm disa nga ekipet më të mira në Europë, - tha Advokat.
Pjesa e parë ishte e tëra në dominim e Zenitit, që kontrolloi tërësisht takimin (54% zotërimi i topit), duke rrezikuar seriozisht portën e mbrojtur nga Aleksandër, duke dëshmuan klasin e tyre në stadiumin e Mancesterit, teksa në më shumë një rast ishin pranë portës dhe golit. Golin për Zenitin e realizoi Denisov në minutën e 72-të, në goditjen e tij të parë në drejtim të portës skoceze. Andrei Arshavin dha një pas të artë për mesfushorin Igor Denisov, i cili në ecje e sipër në një luftë me portierin Neil Aleksandër ia rrëshqiti topin poshtë trupit me një qetësi tipike ruse. Gllazgou bëri përpjekje të shumta për të barazuar, por në minutën e 94-të, Zirjanov shuajti përfundimisht shpresat e Gllazgout, duke e cuar në ekstazë trajnerin Advokat dhe skuadrën ruse.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›