Dinamo turpëron Vllazninë: 0-3 në Shkodër

Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj e kishte paralajmëruar. Ndaj Dinamos, fituesja e Kupës së Shqipërisë do ta kishte shumë vështirë. Për më tepër që bosi shkodran kishte të lënë të kuptohej me deklaratat e tij se ai preferonte më shumë një Dinamo kampione se një Partizan me trofeun e sezonit 2007-2008.
Në fund të fundit, 6-herë fituesen e Kupës së Shqipërisë me Dinamon e bashkoi fati në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, kur kryesuesja e kampionatit u paraqit në dy ndeshjet me një skuadër rinore, si në "Loro Borici" ku humbi 4-0, ashtu edhe në "Tofik Jashari", ku humbi 3-0.
Në rikthimin e parë në "Loro Borici" pas fitmit të Kupës e një vendi në Kupën UEFA, dhe në sfidën e tretë rresht kundër tri skuadrave të kryeqytetit, përfshirë edhe atë më Tiranën në "Ruzhdi Bizhuta", trajneri Dervish Haxhiosmanovic – i vetmi trajner i huaj që ka fituar kampionat e kupë në Shqipëri - kopjoi stilin dinamovit. Vllaznia u paraqit në një stadium të zbrazët me një ekip thuajse të rinjsh. Në thelb të filozofisë "kuqeblu" ishte monitorimi i paraqitjes së të rinjve. Edhe mund të qëndrojë. Por "era", jo ajo që fryn nga lumi i Bunës dhe liqeni i Shkodrës, por ajo e kompromiseve sjell shumë dyshime.
Golashënuesi më i mirë i sezonit Vioresin Sinani (20 gola), tashmë e ka të sigurt "këpucën e artë", të dytën rresht dhe të tretën në histori. Shkodrani, i dëmtuar në kavilje e me paterica, mund të flejë i qetë, pasi rivali i tij, kroati Pero Pejic (18 gola), nuk u aktivizua fare në një ndeshje që për nga fortësia (dobësia, më mirë) do të ishte një fushë qitje për të shënuar e tejkaluar ish-sulmuesin e Tiranës. Pse nuk luajti Pejic. Ndoshta edhe për freski fizike në derbin final me Partizanin, por ndoshta edhe për ndonjë pjesë të marrëveshjes për të mos ia hequr kënaqësinë Sinanit.
Sulmuesi i talentuar Xhevair Sukaj, kapiteni i Vllaznisë në takimin me Dinamon e kërcënoi shpesh portën dinamovite, ndërsa sulmi i gjërë blu (hapësirat e lejuara krijuan përshtypjen se Dinamo kishte 6 sulmues) nuk mundën të mposhtnin portierin e dytë të Vllaznisë, Bishani, kur në "Qemal Stafa", Partizani udhëhiqte 2-0 me Skënderbeun.
Sukaj, autori i një goli dhe një shtylle me Tiranën në finalen e Kupës dhe një shtylle tjetër në ndeshjen e humbur me Partizanin (2-0), u zëvndësua pjesën e dytë për t'ua lënë vendin prodhimeve të reja të shkollës shkodrane.
Pikërisht në 45 minutat e dyta, Dinamo shpërtheu. Dy gola brenda katër minutash: Sokol Ishka në të 54' dhe Eleandro Pema në të 59'. Fitorja dhe diferenca prej dy pikësh me Partizanin u garantuan, teksa në minutën e 88-të, talenti i ri dinamovit, Daja, realizoi golin e tretë për Dinamon, që mbylli edhe takimin. Por cimentoi edhe kapitullin e artë të marrëdhënieve midis Vllaznisë e Dinamos, që titullin e fundit, atë të vitit 2002, e ka marrë pikërisht në Loro Borici", kur Vllazninë e drejtonte Myftar Cela, i vrarë në një atentat në Malin e Zi.
Kategoria Superiore
Java 32
Vllaznia-Dinamo 0-3
Golat: / Ishka 54', Pema 59, Daja 88'