Dinamo - Partizani, në “Selman Stërmasi”

Superderbi Dinamo-Partizani, që në përfundim të 90 minutave, do të përcaktojë edhe kampionin e ri të Shqipërisë, përfundimisht do të luhet në stadiumin e dytë të kryeqytetit, në "Selman Stërmasi" në praninë e jo më shumë se 4000 shikuesve, teksa varianti optimal mund të ishte kombëtari "Qemal Stafa", ku mund të ishin të pranishëm të paktën tre herë më shumë: rreth 12 000 veta, ku padyshim tifozët e kuq do të ishin në maxhorancë absolute dhe do të ndikonin në frymëzimin e futbollistëve të Partizanit për fitimin e titullit.
Vendimi është marrë pas takimit gjashtëpalësh: Federata Shqiptare e Futbollit, Ministrisë së Sporteve, Ministrisë së Rendit, klubet e futbollit Dinamo e Partizani si dhe drejtues të stadiumit.
Në fillim të javës, Klubi i Futbollit "Partizani" i drejtoi një letër FSHF-së e Policisë së Tiranës, për të marrë në konsideratë zhvillimin e ndeshjes së javës së 33-të në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".
Policia nga ana saj dy ditë më parë pohoi se nuk mund të garantonte rendin në një stadium ku dy tribunat anësore (C dhe E) ishin jashtë funksionit.
"Policia garantoi se merr përsipër zhvillimin e ndeshjes Dinamo-Partizani në cdo stadium ku do të vendosë klubi i Dinamos", - tha për mediat shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Ilir Shulku. "Kjo është ndeshja e fundit e kampionatit kombëtar dhe ekipi pritës është Dinamo".
Në lidhje me biletat e takimit zëvendëspresidenti i Dinamos, Avni Brace, tha: "Klubi i Partizanit do të marrë nga një sasi biletash, të cilat do tu shpërndahen tifozerisë së tyre. Përsa i përket numrit, ata do të marrin gjysmën e karshisë (tribunës përballë)".
Stadiumi "Selman Stërmasi" ka rreth 4000 mijë vende të ulura, ndërkohë që ajo përballë ka rreth 3000 vende. Sipas një llogarie të thjeshtë, tifozët e Partizanit mund të marrin jo më shumë se 1000 bileta. Shumë pak për klubin me më shumë tifozë në Shqipëri.
Takimi Dinamo-Partizani do të luhet ditën e shtunë, në orën 16:30 dhe do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh italianë. Në dy takimet e fundit, Dinamo fitoi me Vllazninë (0-3) në Shkodër, ndërsa Partizani me Skënderbeun (2-0) në "Qemal Stafa", në një takim ku nga skuadra korcare u ndëshkuan me karton të kuq tre futbollistë.
Kur ka mbetur edhe një javë për t'u luajtur nga përfundimi i sezonit 2007-2008, Dinamo ka një avantazh prej dy pikësh ndaj Partizanit, që synon titullin e 16-të pas 15 vitesh pritje.