E Diel, 1 Nëntor 2026

Fiqiretja: Mysafirët që vizituan Mehmetin më 16 dhe 17 dhjetor ‘81

“Ultimatumi i parë mbërriti një ditë para. Ditën e vetëvrasjes erdhi i dyti. Tanimë gjendja ishte e jashtëzakonshme dhe parrugëdalje …” 

afrim imaj

Tronditjet e përjetuara në vilën e kryeministrit shqiptar në datat 16 dhe 17 dhjetor ‘81, të zbardhura në proces nga e veja e tij, pavarësisht rrethanave në të cilat ajo është detyruar të dëshmojë, janë nga momentet më të mistershme të rrëfimit kronologjik që bëri gjatë procesit të saj Fiqirete Shehu. Deri te zbulimi i situatave fatale, e veja e Mehmetit kishte dëshmuar fakte e ngjarje të hershme, madje që nga ato të luftës për të cilat ishte mjaftuar me një përmbledhje të përgjithshme, duke iu referuar në mjaft raste atyre që kishte dëgjuar nga të tjerët. Në përshkrimin e çastit tragjik, Fiqirete Shehu mundohet të riprodhojë çdo detaj, duke sjellë një retrospektivë të plotë minutë pas minute të përjetimeve të familjes së saj. Në kujtesën e vet, siç pohon janë fiksuar dy mesazhet ogurzeza që mbërritën nga agjenturat e huaja më datat 16 dhe 17 dhjetor ‘81. Të parin që ka kryqëzuar për to, ka qenë Feçor Shehu, i cili sipas saj ka vizituar vilën e tyre mbrëmjen e datës 16 dhjetor dhe i ka dorëzuar Mehmetit ultimatumin e UDB-së, që e ka marrë nga berberana e hotel Dajtit, rezidenca e zbulimit jugosllav në Tiranë. Më tej, dëshmia e saj vazhdon për çaste të tëra me prapaskenat e Konferencës së Tiranës, këtë radhë me punën e fshehtë të krerëve të sigurimit për të ruajtur sa të mundin kuadrot, që shkaktuan stuhinë në mbledhjen e Partisë. Sërish Fiqirete Shehu penalizon në këtë çështje Feçor Shehun, i cili ka seleksionuar informacionet operative të agjentëve të qytetit të Tiranës dhe ka mundur sipas saj të fshehë gjurmët e komplotistëve... 
 
FIQIRETE SHEHU: Feçor Shehu ishte i pari që më pa të mërzitur gjatë punimeve të Konferencës së Tiranës. Më pa të mërzitur e erdhi, më tha ç’ke, s’ka ndonjë gjë këtu se edhe të tilla do të bëhen dhe bëhen pi­kërisht për të mos ju zbuluar juve sidomos Mehmet Shehun. S’ka ndonjë logjikë të madhe edhe një njeri, që s’është anëtar partie mund ta thotë, jo ky që ishte anëtar i byrosë së Partisë... 
LLAMBI ZIÇISHTI: Fiqirete Shehu ishte pjesë e prapaskenave të Konferencës së Tiranës. Ajo përcolli aty porositë e jugosllavëve. Nga Dhora Leka mësova se ajo mbante lidhje të ngushta me sekretarin e legatës jugosllave Svetozar Koçiçin dhe se shumë herë kishin folur bashkë për atë që do bëhej në Konferencën e Tiranës. Dhora duke më folur me pasion për këtë person, më thoshte se Svetoja (S.Koçiçi) ka dëshirë të njihet nga afër dhe me ty. Një ditë ka qenë fundi i vitit ‘55 ose fillimi i vitit ‘56, në takimin që organizoi Dhora Leka në hotel “Dajti”, unë u njoha me Svetozar Koçiçin. Ti Llambi më tha Svetovari, të punosh për të propaganduar Jugosllavinë si vend që ndërton socializmin dhe që pa të drejtë është goditur nga Partia e Punës së Shqipërisë. Në këtë takim Svetozari më tha se në shërbimin tonë është edhe Fiqirete Shehu dhe vëllai im Mihallaq Ziçishti...
FIQIRETE SHEHU: Edhe Mihallaqi ka qenë në dijeni bile edhe në shërbim...
MIHALLAQ ZIÇISHTI: Tani gjërat kanë qenë në një formë të tillë që...Unë desha të shpjegoj se nëpërmjet Dhora Lekës, siç më ka thënë Llambi, ai është njohur me sekretarin e legatës jugosllave në Tiranë Svetozar Koçiçi. Dhora Leka me sa di unë e ka vënë edhe Llambi Ziçishtin në lidhje dhe shërbim të tij. Njohjet e tyre kanë qenë të hershme. Nëpërmjet Llambit në spitalin e Tiranës, kur ai punonte si kirurg, duke shfrytëzuar vizitat mjekësore që bënin të huajt në spital, kam bërë edhe vet takime me Svetozar Koçiçin...
FIQIRETE SHEHU: Prania indirekte e jugosllavëve në Konferencën e Tiranës ishte dhe ndehej kudo. Para zhvillimit të punimeve të Konferencës së Partisë së Tiranës, Mehmet Shehu, në linjën e lidhjeve të tij të fshehta me jugosllavët dhe sovjetikët dhe unë kryesisht në lidhjen me jugosllavët, jemi orientuar të punonim për të aktivizuar elementët armiq dhe antiparti në drejtimin, që edhe në vendin tonë, Partia të ndërronte kursin marksist-leninist e të fillonte i njëjti proces si në Bashkimin Sovjetik e në vendet e tjera. Për këtë qëllim si platformë do të ndiqej vija e Kongresit të 20 të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik... Mua më ka dhënë porosi drejtpërdrejt zbulimi jugosllav. Ka qenë Feçor Shehu që më tha se Svetozar Koçiçi të vë ty si detyrë, që në këtë konferencë të hiqesh sikur nuk di asgjë për atë çka do të ndodhë, pra të luash një rol pasiv, sepse janë persona të tjerë që do të veprojnë. Ai më tha se njerëz të ndryshëm kishin marrë detyrë që të bëjnë pyetje e diskutime ku do të goditet vija e Partisë dhe udhëheqja e saj dhe do të kërkojnë të veprohet dhe tek ne si në vendet e tjera të demokracive popullore për rehabilitimin e kuadrove, që janë dënuar si agjentë të zbulimit jugosllav...
MIHALLAQ ZIÇISHTI: Mbas dështimit të prapaskenave të Konferencës së Tiranës, me porosi të agjenturave të huaja, Mehemt Shehut, Kadri Hazbiut dhe mua na u dha detyra që në punën armiqësore të ecim me hapa më të kujdesshëm dhe të merrnim masa, që mos të zbuloheshin lidhjet tona dhe veprimtaria armiqësore, që zhvillonte grupi ynë i kryesuar nga Mehmet Shehu...
FIQIRETE SHEHU: Ishte një grup i tërë që operonte në Konferencën e Tiranës. Si elementë që ishin në dijeni për punën armiqësore që zhvillohej aty më kujtohen edhe këta persona: Dashnor Mamaqi, që lidhej drejtpërdrejt me Beqir Ballukun, prej të cilit edhe u aktivizua edhe me detyra konkrete. Liri Belishova, e cila si agjente direkte e jugosllavëve dhe e sovjetikëve mbante lidhje me Mehmet Shehun. Maqo Çomo, që lidhej për punën armiqësore drejtpërdrejt me Liri Belishovën. Ishte një grup i zgjeruar që ishte përgatitur më parë për gjithçka do të bënin në konferencë. Gjithë kjo punë e organizuar nga ne në Konferencën e Partisë së Tiranës bëhej me qëllime që edhe në vendin tonë Kongresi i tretë i Partisë së Punës të Shqipërisë të organizohej si një Kongres i 20-të në miniaturë. Revizionimi i partisë ishte synimi kryesor...
LLAMBI ZIÇISHTI: Pas dështimit të përpjekjeve në konferencë është punuar për të fshehur njerëzit...
FIQIRETE SHEHU: Një detyrë shumë e rëndësishme që duhej kryer pas punës armiqësore, që u bë në Konferencën e Partisë së Tiranës, ishte ajo që të ruheshin forcat: Në radhë të parë, të bëhej çmos që të mos ekspozoheshin e të mos zbuloheshin ata element armiq që nuk ngritën kokën në Konferencë, po punuan nën rrogoz, pastaj të merreshin masa për të shpëtuar personat që mund të shpëtoheshin nga ata që folën në Konferencë dhe ishin vënë në shënjestër nga udhëheqja e Partisë. Kjo ishte porosia që ju dha Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tyre, sipas orientimeve që kishin marrë nga zbuluesit jugosllav e sovjetik që vepronin në Shqipëri. Kishte edhe detyra ët tjera...
ARANIT ÇELA: Si u kamuflua gjendja...
FIQIRETE SHEHU: Për njerëzit e Sigurimit të cilët morën pjesë në prapaskenat e konferencës, nuk thashë që jam marrë unë, janë marrë këta të tre, Kadriu, Feçori dhe Mihallaqi. Për njerëzit që kanë ardhur në byro kemi biseduar që marrim këtë masë d.m.th., vërejtje në kartën e regjistrimit. Ka pasur raste të tilla... 
ARIANIT ÇELA: Po, mban mend ndonjë element konkret, ndonjë rast që keni biseduar jo kandidat jo çfarë mase të merret...
FIQIRETE SHEHU: Kemi thënë që të marrë masë me vërejtje në kartën
e regjistrimit. Për kë, nuk mbaj mend… 
FEÇOR SHEHU: Ju ishit sekretare e parë në Tiranë, edhe sekre­tarja e parë udhëheq sigurimin, e udhëheq Partia, por atë e konkretizon në praktikë sekretari i parë e sekretarët e tjerë. Për sekretarin e parë s’ka asnjë sekret, asnjë kufizim. Konkretisht meqë thoni se unë isha ngarkuar për të seleksionuar informatat, cilat informata kam seleksionuar unë dhe me kë do t’i seleksionoja, se informatat janë në dorë të gjithë agjentëve të Drejtorisë së Tiranës. Si
do t’i seleksionoja, me kë do t’i seleksionoja konkretisht kemi biseduar gjë ne? ... 
FIQIRETE SHEHU: Unë nuk mund të di një gjë të tillë, Kadri Hazbiu ka thënë që në shkallë të parë ato i seleksionon Feçor Shehu dhe në shkallë të dytë ne, unë dhe Mihallaq Ziçishti. Ka qenë prezent dhe vetë Feçor Shehu në shtëpinë tonë në studion e Mehmet Shehut... 
ARANIT ÇELA: Si bëhej seleksionimi...
FIQIRETE SHEHU: Në shkallë të parë seleksionimin e bënte Feçor Shehu dhe në shkallë të dytë unë dhe Mihallaq Ziçishti...
ARANIT ÇELA: Ka mundësi, juve sekretare e parë e hidhni këtë gjë, çfarë seleksionimi, si, në çkuptim, në çdrejtim, për persona konkret a për drejtime zbulimesh konkret a për çfarë...
FIQIRETE SHEHU: Pas konferencës së Tiranës të ruhen forcat. Prandaj informatat që të vijnë të seleksionohen të mos futim shumë njerëz dhe në fakt, pikërisht nga ai qëndrim që u mbajt nga elementet e organizatës sonë armiqësore u ndodh, që fare pak veta u dogjën,  kurse të tjerët vazhduan deri në ‘74 si Beqir Balluku, unë deri në ‘81 e Feçor Shehu, Kadri Hazbiu më vonë…
ARANIT ÇELA: E qartë, më tutje...
FEÇOR SHEHU: Ajo tha më 16 dhjetor unë i paskam shkuar, kjo nuk më ka parë, por ka dëgjuar nga Mehmet Shehu, i kam çuar një ultimatum nga jugosllavët...
ARANIT ÇELA: Po, kjo e ka dëgjuar më datën 17 këtë...
FIQIRETE SHEHU: Mehmeti më ka thënë...
ARANIT ÇELA: Ajo, thotë që më ka thënë Mehmet Shehu kështu e kështu Feçor Shehu një natë më përpara më ka dhënë këtë. Kjo nuk është për të pyetur këtu, ti mirë mund ta shtrosh atë pyetje, mund ta përdorësh si konkluzion tëndin, po ajo nuk të përgjigjet dot këtu...
FIQIRETE SHEHU: Unë di që më 16 ka ardhur te vila e Mehmetit, është futur në studion e tij të punës dhe i ka sjellë atë ultimatumin e jugosllavëve Feçor Shehu. Më 17 ka ardhur Kadri Hazbiu që ka sjellë ultimatumin e sovjetikëve. Pastaj Kadriu bëri atë presionin që Mehmetit nuk i mbeti gjë tjetër vetëm të vetëvritej...

Ish-zyrtari i Sigurimit: Si u tjetërsua Fiqirete Shehu gjatë hetimeve

Pranon të flasë me të vetmin kusht për mos u identifikuar me emër. Është një nga zyrtarët e policisë sekrete, që ka ndjekur nga afër procesin e gruas së kryeministrit të vetëvrarë dhe dëshiron pas kaq vitesh të zbardhë metamorfozën, që ka pësuar e veja e kryeministrit.
Rrëfimi i tij është i thjeshtë, po gjithsesi tronditës. E prangosur vetëm 20 ditë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Fiqirete Shehu dhe i biri, Skënderi, sipas ish-zyrtarit të policisë sekrete, nuk pranuan në mënyrë kategorike të bashkëpunonin me hetuesinë për të zbardhur rrethanat e aktit fatal të 17 dhjetorit. Të ardhur në burgun e Tiranës nga Belshi i Elbasanit ku ishin internuar, menduan ta sfidonin drejtësinë e kohës me heshtje totale. Po kjo nuk do të zgjaste shumë.   Pas arrestimit të djalit tjetër të Mehmetit, Bashkimit dhe vdekjes në kushte të dyshimta të vëllait të madh, Vladimirit i transferuar në Gramsh familjarisht, vijon njeriu i ish-sigurimit, ata do t’i përgjigjeshin organit të akuzës duke pranuar të nënshkruajnë pa hezitim gjithçka nga aktakuza e hartuar në zyrat e Sigurimit të Shtetit. Kjo gjendje tronditëse do ta bënte të venë e kryeministrit të vetëvrarë, të ligjëronte jashtë vullnetit të saj se Mehmet Shehu prej vitesh kishte qenë agjent i UDB-së, CIA-s, zbulimit jugosllav, atij britanik etj. Ndërkaq, Skënderi, i biri, që kishte kryer studimet pasuniversitare në Suedi, do të pohonte se ishte gjendur aty jo thjesht për një diplomë, por për të kryer ndërlidhësin e të atit me agjenturat perëndimore. Këto dhe mjaft dëshmi të tjera të rreshtuara kronologjikisht, do të shokonin fillimisht njerëzit e drejtësisë, mandej edhe pjesën tjetër, që do t’i dëgjonte nga kaseta e nxjerrë nga burgu i Tiranës. Fiqirete Shehu rrëfente komplote pas komplotesh fantastikë të llogaritur nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, vetëm që të hiqnin qafe Enver Hoxhën. Fliste lirshëm dhe akuzonte tërë lidershipin e Sigurimit të Shtetit, si armiq të betuar sipas një skeme të përsëritur rëndom seancë pas seance, sa shpejt lindën dyshime se thjesht po lexonte ato që i kishin mësuar. Më tej, pati një hipotezë se ajo bënte gjithçka vetëm me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët. Por kjo nuk ndodhi, përmbyll ish-oficeri i sigurimit...

neser do te lexoni

Pretenca e gjyqit të Fiqirete Shehut me nënshkrimin e Hekuran Isait.

Rrapi Mino, ish-prokurori i Përgjithshëm referon materialin e hartuar nga ministri i Brendshëm
mbi të vërtetën e mënyrës së hetimit të gruas së Mehmet Shehut

Çfarë dëshmuan në gjyq djemtë e kryeministrit Skënder e Bashkim Shehu.

Në cilat rrethana humbi jetën Fiqiretja dhe a është e vërtetë se atë e kanë helmuar për të zhdukur gjurmët e alibisë që realizuan në proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›