E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano: Qeveria firmosi konventat, greqishtja të jetë gjuhë e dytë zyrtare

 

Kryetari i “Omonia”-s, Vasil Bollano konfirmon vendimin e kësaj shoqate për t’i kërkuar qeverisë shqiptare, që të zyrtarizojë gjuhën greke si gjuhë të dytë në vendin tonë. Sipas kryetarit të Bashkisë së Himarës, organet e pushtetit qendror duhet të përmirësojnë në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet me komunitetet etnike, pasi sipas tij, kjo është një nga të drejtat dhe liritë e njeriut. “Si kryetar i minoritetit etnik grek mbështes maksimalisht të gjitha vendimet e këshillit të përgjithshëm dhe i bëj thirrje organeve të pushtetit qendror, që të përmirësojë në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në kuadër të të drejtave të njeriut dhe në kuadër të paktit të stabilitetit që janë disa pakte, të cilat qeveria shqiptare i ka ratifikuar dhe patjetër do të jenë në dobi për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Unë nuk mund të analizoj vendimet e këshillit të përgjithshëm, unë jam i detyruar si kryetar t’i vlerësoj”, u shpreh Bollano dje, gjatë një prononcimi për mediat. Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të “Omonia”-s më 9 gusht në Sarandë, u vendos t’i kërkohej qeverisë shqiptare që gjuha greke të ishte gjuhë zyrtare në Shqipëri përkrah asaj shqipe. Sipas një njoftimi për shtyp thuhet se, nën shembullin e Parlamentit të Shkupit, i cili sanksionoi gjuhën shqipe si gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoni, duhet të veprojë edhe Parlamenti shqiptar. “Duke iu referuar vendimit të fundit të Parlamentit të Shkupit, për të njohur si gjuhë zyrtare ato të komuniteteve etnike, Këshilli i Përgjithshëm i “Omonia”-s, fton qeverinë shqiptare që të përmbushë detyrimin e saj, që rrjedh nga konventat ndërkombëtare që ka nënshkruar si palë, por edhe për përdorimin e gjuhës të minoritetit etnik grek në Shqipëri në dokumentet zyrtare, ashtu siç theksohet në konventën në Kuadër të Këshillit të Evropës për minoritetet greke”, thuhet në njoftimin për shtyp të Shoqatës, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm. Gjithashtu, në mbledhjen e 9 gushtit, e cila është bërë publike vetëm ditët e fundit, është diskutuar edhe për çështjen e pronave, e cila është kthyer në një problem shqetësues veçanërisht në Himarë kohët e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›