E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argita, pasardhëse e Berishës?

Eduard Zaloshnja 

Pas incidentit Balla-Berisha në Kuvend, emri i Argita Malltezit, të bijës së Kryeministrit, sa vjen e më tepër po i intrigon komentatorët e shumtë të kafeneve shqiptare. Por jo vetëm ata.  Së fundi, edhe komentatorët e mediave po merren me këtë emër.  Për shembull, para ca ditësh, me këtë emër u mor gjatë Andrea Stefani në artikullin e tij të radhës. Duke bërë një analizë retrospektive të rasteve të trashëgimit të pushtetit në politikën botërore, ai sillte shembuj të largët e të afërt, si në kohë edhe në hapësirë. Dhe në përfundim, arrinte  ...në konkluzionin se do ishte katastrofike për Shqipërinë një kalim i stafetës së pushtetit nga Sali Berisha tek e bija.
Ky shqetësim i Stefanit dhe i shumë të tjerëve që ndajnë të njëjtin shqetësim me të tijin u bënë shkak për këto rreshta, në të cilat do analizohen gjasat e “trashëgimit” të PD-së nga e bija e Berishës. Së pari, le të fillojmë me vetë Argitën. Në rastet kur pinjollë të baballarëve ose nënave të pushtetshme kanë “trashëguar” pushtetin me vota, ata kanë treguar prirje për t’u marrë me politikë që në rini. Kështu, Xhorxh Bush (i riu) dhe Al Gore (të cilët Stefani i përdorte si shembuj në artikullin e tij) kanë marrë pjesë në fushatat e etërve të tyre që në rininë e hershme. Ndërsa Argita nuk ka dhënë deri më sot as shenjën më të vogël se ka prirjen për t’u futur në betejat e ashpra të politikës shqiptare. Ajo s’është parë në asnjë fushatë elektorale të PD-së, dhe ndoshta rrallë mund të jetë parë edhe tek vetë zyrat e partisë. E vetmja dalje publike e saj deri më sot ka qenë ajo që bëri në emisionin televiziv “Opinion”, e cila ishte thjesht në përgjigje të akuzave të shumta që opozita dhe media po i adresonte biznesit të saj privat. Me pak fjalë, Argita duket shumë më e prirur të vazhdojë karrierën e saj të suksesshme si juriste, se sa të përleshet në logun zhurmëmadh të politikës shqiptare.
Por le të supozojmë për një moment se i gjithë arsyetimi i mësipërm është i gabuar. Pra, le të supozojmë se Argita ka ditur të fshehë me mjeshtëri deri më sot ambicien dhe prirjet e saj për t’i zënë vendin të atit. Rasti i parë kur kalimi i stafetës nga i ati tek e bija mund të ndodhë është pas zgjedhjeve të 2009-ës.  Në qoftë se Berisha i humbet zgjedhjet, trysnia ndaj tij për t’u tërhequr nga politika mund të arrijë nivele të papërballueshme.  Ai kaq e kaq herë ka deklaruar publikisht se arsyeja që nuk është tërhequr deri më sot nga udhëheqja e PD-së është se partia e tij nuk ka humbur ndonjëherë në zgjedhje të lira e të ndershme. Por duke qenë në pushtet, Berisha nuk mund të pretendojë më dot se e majta ia mori fitoren me hile. Dhe sado i vështirë të jetë largimi nga udhëheqja e PD-së për egon e tij gjigande, realiteti pas një humbje të mundshme në 2009-ën mund ta detyrojë të bëjë pikërisht këtë gjë.
Por ç’do ndodhë me PD-në në qoftë se ajo i humbet zgjedhjet dhe Berisha jep dorëheqjen? Një mundësi është që Berisha të bëjë thjesht një tërheqje taktike nga udhëheqja. Pra, ai mund të zërë një vend diku prapa skenës dhe prej andej, të lëvizë gjithë levat e brendshme të PD-së. Synimi? Duke i lënë hapur vetes një derë të prapme në parti, ai ruan opsionin e kthimit në krye të saj para zgjedhjeve të tjera të radhës, ose në qoftë se rikthimin e vet e sheh si të papërshtatshëm, mund të hedhë në lojë asin “Argita” (gjithnjë duke presupozuar se kjo e fundit e ka ambicien dhe prirjen për t’i zënë vendin të atit).
Që ky opsion të funksionojë, politikani që përkohësisht do i zërë vendin Berishës në krye të PD-së, duhet të jetë realisht një adjutant i bindur i tij, ndërkohë që do i duhet të paraqesë para publikut një pavarësi në dukje reale ndaj ish-shefit të vet. A mund ta luajnë këtë rol Jozefina Topalli, Ridavan Bode apo Astrit Patozi, tre figurat më të larta politike në PD pas Berishës? Si zor. Po Lulzim Basha, beniamini i ri i kryedemokratit? Edhe ai do e ketë vështirë t’i mbushë mendjen publikut se nuk do jetë një buratin që çdo tel ia luan Berisha. Me pak fjalë, një tërheqje e Berishës që s’do ishte vërtet tërheqje, thjesht do i ulte pikë PD-së në sytë e votuesve. Dhe në ato kushte, cila do ishte ajo bijë ish-kryeministri që do donte të merrte në dorë një parti të dobët?
Po në qoftë se Berisha i fiton zgjedhjet e 2009-ës? Argita thjesht do vazhdojë karrierën e saj të suksesshme si juriste...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›