E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Beqaj shpallet kampion i Qipros

Nga kombëtarja te suksesi me klubin ku militon. Arjan Beqaj po kalon një rini të dytë: formë e shkëlqyer dhe lojtar deciziv në fushën e lojës. Pasi ka qenë mes kuqezinjve më të spikatur në eliminatoret e Euro 2008, portieri po shijon edhe momentet e lavdisë te qipriotët e Anorthosis. Skuadra ku aktivizohet Beqaj ka siguruar matematikisht titullin kampion, kur duhen edhe tri ndeshje nga mbyllja e elitës së futbollit në Qipro. Një ecuri e jashtëzakonshme, e cila ka sjellë edhe një rekord të ri për klubin, që në 29 ndeshje të zhvilluara deri më tani nuk ka pësuar asnjë humbje. 33-vjeçari shpreson që Anorthosis ta vazhdojnë këtë seri pozitive deri në fund të edicionit, tashmë që kampionati është në sprintin final. "Gardiani" kuqezi ndihet i lumtur për titullin e parë në karrierë. "Të shtunën humbi Apoel dhe ne siguruam titullin, tha Beqaj për gazetën kosovare ‘Express‘. Është ndjenjë e mirë të jesh kampion. Ka qenë një vit i gjatë dhe i mundimshëm. Kishim ekipin më të mirë dhe në fund u shpërblyen mundi dhe djersa jonë". Një pikë kyçe për skuadrën, portieri kosovar synon që me Anorthosis ta përfundojë sezonin pa pësuar asnjë humbje, kur kanë mbetur për t‘u luajtur vetëm tri ndeshjet e fundit. "Kjo është hera e parë në histori të Anorthosis që nuk pëson asnjë humbje për një kohë kaq të gjatë. Pavarësisht kësaj, ne nuk do të ndalemi. Do të mundohemi ta vazhdojmë këtë seri pozitive deri në fund të sezonit", vazhdoi ai. Përveç titullit kampion, objektiv tjetër i Anorthosis është të fitojë edhe Kupën e Qipros: "Jemi në gjysmëfinale, ne pretendojmë ta fitojmë edhe Kupën për ta përfunduar sezonin në mënyrën më të mirë". Në ligën qipriote "play-off"-i ka filluar para tri javësh. Anorthosis aktualisht kryeson kampionatin me 69 pikë të grumbulluara (20 fitore dhe 9 barazime) dhe ndiqet nga Apoel që ka 12 më pak, duke qëndruar në kuotën e 57 pikëve. Klubi i portierit prizrenas të dielën ka fituar ndaj Omonia Nikosias. Anorthosis do ta ketë mundësinë që të luajë në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, megjithatë, Beqaj sqaron se klubi ende nuk ka filluar të mendojë për pjesëmarrjen në Evropë. "Së pari, duhet të përfundojë kampionati, e më pas të bëjmë planet për pjesëmarrjen në kupat evropiane", tha Beqaj, skuadra e të cilit këtë sezon ka luajtur në Kupën UEFA dhe ishte eliminuar nga anglezët e Totenhemit. Në fund, portieri i Kombëtares shqiptare konfirmoi se do ta respektojë kontratën, që e mban të lidhur me kampionët e Qipros deri në vitin 2011. "Para se të fillonte kampionati kisha disa oferta, por gjatë këtyre muajve jam përshtatur së bashku me familjen time, e kam vendosur të qëndroj këtu. Kam gjetur akordin edhe me drejtuesit e klubit, kështu që së paku deri në vitin 2011 mendoj të mbetem këtu", përfundoi Beqaj. Sezonin e kaluar, portieri fitoi trofeun e parë me Anorthosis: Kupën e Qipros, ndërkohë që këtë trofe ai e ka fituar edhe një herë në Shqipëri, në vitin e largët 1997, kur mbronte portën e Partizanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›