E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hugo Boss" vjen në Tiranë

Një delegacion i biznesit gjerman, në përbërjen e të cilit ka përfaqësues nga 15 kompanitë më të mëdha gjermane të industrisë së veshjeve, si "Hugo Boss", "Lectra Deutchland","Frank Walder", "ISCO Textilwerk", "Thiel Fashion" etj., nga shoqata gjermane të biznesit të kësaj industrie të modës gjermane, mbërritën dje në Tiranë për një mision biznesi 4-ditor. Me këtë rast, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, (METE), me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik, (GTZ), të ambasadës Gjermane në Tiranë, organizuan konferencën me temë "Zhvillimi i industrisë shqiptare me fason me partnerë gjermanë të industrisë së veshjeve". Në konferencë merrnin pjesë dhe përshëndetën ministri i METE-s, Genc Ruli, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt etj. Ministri Ruli ftoi biznesin gjerman të industrisë së veshjeve që të investojnë në Shqipëri në këtë degë, e cila në Shqipëri mbulon 53% të eksporteve shqiptare dhe është në zhvillim të vazhdueshëm. Ai u ndal në avantazhet që ka kjo industri për investimet e huaja, ndër të cilat përmendi fuqinë e re punëtore, programet e ndërmarra për kualifikim profesional, pozicionimin e favorshëm gjeografik të vendit, lehtësirat fiskale, të ndërmarra nga qeveria për bizneset me fason etj. Ministri Ruli, duke u ndalur në vështirësitë që ende kanë bizneset, sikurse janë problemet me energjinë, infrastrukturën, me pronësinë mbi tokën etj., vlerësoi si mundësi mjaft të mirë për investimet e huaja, masat e shpejta të ndërmarra nga qeveria për të zbutur këto efekte, sikurse janë dhe krijimi i zonave të lira, që këtë vit do të hapen në Durrës dhe Shkodër, politikat e ndërmarra nga qeveria për regjistrimin e biznesit në QKR etj. Ministri Ruli, duke ftuar investitorët gjermanë për investime në Shqipëri, theksoi: "Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht do të mbështesim individualisht çdo investitor, i cili në përfundim të kësaj vizite do të vendosë për investime në Shqipëri. Këtë e kemi bërë dhe për investitorë të tjerë dhe kjo përpjekje ka qenë e suksesshme. Ju ftoj të rrini dhe ta provoni personalisht mbështetjen që do t‘ju japim". Ambasadori i RF Gjermanisë, Bernd Borchardt, vlerësoi për biznesin gjerman mundësitë e shumta për investime që afron Shqipëria në shumë fusha. Ai vlerësoi arritjet e Shqipërisë, rritjen ekonomike prej 6% në vit, ruajtjen e inflacionit në nivele të qëndrueshme etj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›