Përçahet skuadra, debat Kovaçiç-Dedaj
Humbja e rëndë me Dinamon nuk ka kaluar pa zhurmë në radhët e Flamurtarit. Rezultati 6-0 ka sjellë krizën e parë në radhët e bregdetarëve, që prej emërimit në krye të stolit të Slavko Kovaçiç. Ish-ndihmëstrajneri i kombëtares ka debatuar ashpër në analizën e së dielës me mesfushorin shqiptar-kroat, Anton Dedaj. Ky i fundit ka qenë pikërisht një prej futbollistëve të rinj, që Oto Bariç mendonte të ingranonte në përfaqësuesen kuqezi. Lojtari i ka kërkuar shpjegime "Kovës" për zëvendësimin në 45 minutat e para të sfidës së luajtur në "Selman Stërmasi", si edhe për largimet e shpeshta nga fusha e lojës. Përplasja me tone të ashpra është bërë në gjuhën kroate, por nga drejtuesit e klubit askush nuk ka preferuar të tregojë se çfarë është thënë në realitet. Ndërkohë, dje nuk është zhvilluar analiza e shumëpritur e humbjes me Dinamon, sepse mungonin pamjet filmike të ndeshjes. Në këtë analizë pritej që të "evidentoheshin" përgjegjësit për rezultatin zhgënjyes të fundjavës së kaluar.