E Diel, 1 Nëntor 2026

Arjan Konomi:Si tentova të arratisesha me skafin e policisë bregdetare

TIRANE- Do të rrëfehet sot për faqet e verës Arjan Konomi. Gazetari i njohur në median e shkruar dhe jo vetëm, vjen sot në një intervistë shumë dimensionale, duke na prezantuar anë të panjohura më parë nga jeta e tij. Fëmijëria, puna në Presidencë dhe jeta aktuale...
Ku ka lindur Arjani dhe si e kujtoni fëmijërinë tuaj?
Kam lindur në një shtëpi shumë të bukur e të madhe, mbi një shkëmb në det në Ujë të Ftohtë, në Vlorë. Ai që sot njihet si kampi i punëtorëve të Vlorës. Një nga vendet më të bukura të bregdetit shqiptar, e jo më kot regjimi komunist na shpronësoi për të bërë aty një nga vendet më ekskluzive të atij sistemi. Mbaj mend që deti ka qenë një nga gjërat e para që kam arritur të dalloj në jetë si dhe kopshtet me portokalle e limona të shtëpisë. Por fëmijërinë e kam të lidhur edhe me Vunoin, fshatin ku kanë jetuar gjyshërit nga mamaja. Aty kaloja pushimet çdo vit. Është një vend fantastik, një fshat që ngjan me ata mesjetarë italiane, i ndërtuar në gur e ku shkonin për të bërë plazh në gjirin e Jalit. Ishim të paktë ne që shkonim atëherë. Sot Jali është bërë vendi më i lakmuar për nga bukuria, por atëherë nuk e njihte njeri. Të kalosh fëmijërinë në një fshat të tillë e sidomos te gjyshërit besoj është një fat i madh sepse ne atëherë në ato kushte të vështira kishim atë që sot shumë e kërkojnë dhe e çmojnë. Mund të them se kam qenë me fat që jam rritur në këto vende, ku sot paguhet shumë për të qëndruar edhe një ditë të vetme.
Një vlonjat 100 karatësh, po a e keni dhe ju cilësinë që i ka mbetur labëve, atë të rënies së gjoksit me grusht për të dalë gjithnjë të parët?
(qesh) Nuk jam dhe aq. Pastaj edhe brenga Vlorës ka një ndarje "gjeopolitike". Edhe origjina e babait është nga Palasa e Himarës, i lidhur shumë jam me Vunoin, pra jam bregas, nga bregdeti. Kështu na quajnë për t'u dalluar nga zona e Labërisë. Edhe sepse jemi të dy palët vlonjatë, kemi shumë ndryshime dhe një nga këto është "gjoksi gropë". Ka raste që mendoj se duhet të isha pak lab, sidomos kur ndeshesh me mediokritetin.
Si i kujtoni ndryshimet e sistemeve, çfarë bënit në atë kohë?
Ka qenë një kohë e vështirë, e bukur dhe interesante. Çfarë bëja atëherë? Është histori për të shkruar një libër. Isha student dhe nuk e duronim dot atë sistem. Ëndrra e fshehte ishte të arratiseshim, një fjalë që ndoshta sot të rinjtë nuk e kuptojnë, por atëherë vetëm sa pëshpëritej nga frika se mos e dëgjonin. Unë kisha dy mikesha shumë të ngushta Aidën dhe Linditën, vajza me mentalitet ndryshe në atë kohë. Studionim bashkë në një degë dhe mendonim vetëm sesi të largoheshim. Bëmë edhe plane. Njëri ishte të grabisnim skafin e policisë bregdetare të Durrësit. Ishin vetëm dy në Shqipëri. Një në Durrës e një në Vlorë, të pajisur me mitraloza. Bëmë edhe stërvitje sesi përdorej arma ne rast rreziku. Kishim një plan fantastik për ta realizuar që rreshtat e kësaj interviste nuk mjaftojnë. Kur plani do të realizohej mua po me krijohej mundësia për të shkuar ne Itali me studime. Këto vajzat të ndihmuara dhe nga vëllai i njërës prej tyre e rrëmbyen skafin ushtarak dhe ikën drejt Italisë. Atëherë bëri bujë të madhe sepse ishte një ikje jo si zakonisht nga kufiri, por me mjetin më të shpejtë që shteti ynë kishte. U takuam pas disa muajsh ne Bari të Italisë dhe që andej ndiqnim me një gëzim të papërshkrueshëm rënien e komunizmit në Shqipëri, rrëzimin e monumentit dhe zgjedhjet e lira.
Ju jeni drejtuesi i revistës "Shqip", si nisi rruga juaj në gazetari?
Unë studioja Shkenca Politike në Perugia dhe nuk e kisha menduar ndonjëherë të bëhesha gazetar. Biles nuk e pëlqeja këtë degë, sepse kisha shumë dëshirë të shkruaja letërsi dhe me dukej sikur gazetaria do të vriste dëshirën për të krijuar. Por, një ditë teksa po rrija në shtëpi më merr në telefon një profesor i universitetit dhe më thotë që i kishte dhënë numrin tim një nga emrave më të njohur të shtypit italian që drejtonte një revistë gjeopolitike. Ai mori pas pak minutash dhe me pyeti për çfarë mendoja në lidhje me situatën që ishte krijuar në Shqipëri në fillimin e trazirave të '97. Pasi i thashë se çfarë mendoja, më kërkoi të shkruaja 15 radhë me idenë time. Pasi lexoi ato më kërkoi 10 faqe te shtypura. Artikulli u botua në revistën gjeopolitike "Limes" dhe pati komente pozitive nga shtypi italian, komente që i ruaj edhe sot. Që aty nisi një bashkëpunim shumë i ngushtë me shkrime dhe konferenca, gjë e cila vazhdon ende sot edhe pse angazhimet më bëjnë që të shkruaj më pak për Italinë. Dhe kështu mbeta në rrugën e gazetarisë, ku jam edhe sot.
Keni pasur shkopinj ndër rrota, gjatë karrierës suaj?
Besoj se është e paevitueshme. Sidomos në të vetmen eksperiencë pune që kam pasur në shtet, kur punoja si këshilltar dhe zëdhënës i presidentit Moisiu. Ishte në zyrën e tij i sapozgjedhur, kur e takova për herë të parë dhe shumë shpejt u bëra një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë edhe për faktin se pozicioni im më detyronte që të isha personi që i gjendej më afër kudo, qoftë në udhëtimet jashtë shtetit, qoftë edhe kur ishte me pushime. Moisiu më dëgjonte shumë. Ka qenë një njeri i veçantë dhe tepër punëtor. Unë vija nga një eksperiencë perëndimore dhe përpiqesha t'i bëja punët ashtu si duheshin bërë. Atëherë ishin në pushtet socialistët dhe shumë gjëra në fillim nuk u shkonin sipas interesave të tyre te presidenti. Dhe për këtë filluan të më sulmonin me të gjitha mënyrat, sepse nuk isha njeriu që bënte lojën e tyre brenda presidencës. Por kjo periudhe është për të shkruar një libër tjetër.
Shpejt ju kemi parë dhe në juri apo shfaqesh edhe vetë protagonist, cilat dyer ju hapën rrugën drejt spektakleve?
Ajo që njoha në presidencë, sesi funksiononte shteti, më bëri të vendosja që do të ishte eksperienca e parë dhe e fundit e imja në shtet. Madje edhe politika humbi nga prioriteti i interesave te mia, qoftë edhe në shkrime. Me pëlqente bota e spektaklit deri diku më tërhiqte. Kisha pasur një eksperiencë të suksesshme me revista dhe një periudhë, gjatë së cilës u mora me pronat e familjes dhe pas kthimit të tyre, fillova të drejtoja revistën "Shqip". Revistat më tërheqin shumë. I kam pasur shumë hobi që kur jetoja jashtë e puna me to më pëlqen shumë, aq sa më duket sikur është punë për hobi. Dhe kjo është arsyeja që më ftojnë shpesh. Shpesh mendoj duke qeshur se çfarë do të thoshin kolegët e mi të "Limes" po të më shikonin në një juri spektakli misi apo modelesh (qesh). Jam i sigurt se do më kishin shumë zili.
Me kë jeton Arjani?
Jetoj vetëm qysh kur kam mbaruar gjimnazin.
Sa i lidhur jeni me familjen tuaj?
Jam i lidhur, por jo dhe aq. Ata më kanë mësuar të jem një natyrë e pavarur që fëmijë. Nuk janë përpjekur të m'i bëjnë gjërat e lehta dhe kjo më ka ndihmuar shumë në jetë. Ata jetojnë në Vlorë dhe dëgjohemi shpesh. Padyshim që konsultohemi për vendimet më të rëndësishme.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetë?
Ndodhesha në Kosovë në '98, kur ishte situatë më e vështirë e represionit serb. Unë lëvizja nëpër qytete e fshatra me një kartë identiteti italiane dhe u hiqesha serbeve si italian për të shkuar te UÇK-ja. Gjendesha ne Prizren në kohë dreke dhe rrugët ishin plot me njerëz. Pak minuta pasi policia më kishte kontrolluar dokumentet, m'u afruan disa serbë me një italishte të keqe. Unë bëra sikur isha aty për të vizituar kishën dhe nisa të bëja pyetje mbi të, si dhe mbi monumentin e Car Dushanit që ndodhej tek sheshi përpara kishës. Për të mos rënë në sy, u afrova tek oborri i kishës dhe pyesja për afresket. Më thanë që mund të hyja ta vizitoja, ndërkohë që porta e madhe ishte mbyllur dhe asnjë nuk kishte në oborr. Më thanë se hyhej nga një derë e pasme. U afrova atje dhe pashë një derickë që të fuste në një si tunel brenda pjesës së pasme të saj. U largova me hapa mbrapa, duke i thënë që rrini aty sa t'ju bëj një foto tuajën dhe kështu, pak nga pak derisa nisa të vrapoja. Dhe ata pas meje. Kam ecur, nuk e di se në çfarë drejtimi, derisa pashë një makinë dhe i thashë shoferit shqiptar "vetëm nisu" . Ndoshta e kishin kuptuar që isha shqiptar dhe isha i marrë fund.
Po momenti më i gëzueshëm?
Kanë qenë të shumta. Unë jam tip emocional dhe shpesh i përjetoj gjërat me gjithë shpirt. Kam pasur shumë momente që jam përlotur nga gëzimi. Por tani nuk di kë të veçoj.
Nëse nuk do të kishe këtë profesion, çfarë pune do të bëje më mirë?
Nëse nuk do të isha gazetar, profesion për të cilin nuk kam bërë asnjë ditë shkollë, do të kisha bërë atë punë që kam bërë shkollë, por që nuk kam punuar asnjë ditë, në fushën e diplomacisë.
Beqar i përjetshëm apo i martuar dhe i pakënaqur, çfarë rruge do të zgjidhnit ju?
Beqar, më pëlqen dhe jeta që bëj me shumë shoqëri, udhëtime, spostime, më bën që ta shijoj këtë lloj jete. Ndihem gjithnjë si një student. Kujtoj një shprehje të famshme të Alberto Sordit. Kur e pyetën pse mbeti i pamartuar ai tha "nuk kam dashur të fus një person te huaj në shtëpinë time". Kështu dhe unë. Por jam kategorikisht kundra faktit "i martuar dhe i pakënaqur". Jeta duhet shijuar sepse është e shkurtër.
Cili është pishmani që keni në jetë?
E kam edhe unë një. Kur shkruaja ne Itali për Kosovën, një shtëpi botuese e rëndësishme më kontaktoi për të bërë një libër mbi Kosovën. Unë kisha shumë materiale dhe bëra edhe ndarjen me kapituj. Po ashtu edhe kontratën me Botuesin. Pastaj, edhe pse e kisha ëndërr këtë librin nuk e shkrova edhe pse më kërkonte pak punë. Disa muaj më pas nisi lufta e NATO-s ndaj Serbisë dhe në atë kohë do të ishte libri i vetëm dhe i parë për Kosovën në Itali. Dhe me tërë atë interes publik që kishte, do të kisha shitur shumë kopje, aq sa të isha bërë i pasur. Do ishte libri i duhur në kohën e duhur, si u ndodh të paktëve njerëz në botë.
Dimë që me artin jeni shumë i lidhur, ndërkaq jemi kuriozë për lidhjet tuaja në politikë. Cilët janë miqtë tuaj?
Arti më zbavit. Më mbush. Kurse politika nuk më bën asnjë përshtypje. E ndjek si ato dokumentaret me kafshë të "Eksplorerit". Vetëm se në dallim me to më lë një shije të keqe.
Ju apo më mirë familja juaj ka edhe biznese, një hotel të madh në Vlorë, ish-kampin e punëtorëve. Merreni me biznes, pra, jeni pjesë e kësaj sipërmarrjeje?
Është e vërtetë. Jam marrë shumë kur hoteli që ishte në shtëpinë ku kisha lindur, na u kthye si pronë para disa vitesh. Në atë periudhe e lashë Tiranën dhe merresha vetë me menaxhimin e tij, pastaj me një restorant që hapa me vëllain në Tiranë "Vila 100". Por, pothuaj nuk merrem sepse kërkon impenjim dhe përkushtim.
Vlora apo Tirana, ku ndjeheni më mirë?
Kam mundësinë që të jem sa andej dhe këtej. Kjo, jo vetëm për hotelin, por edhe pse prindërit e mi jetojnë atje. Përveç kësaj, ka disa muaj që pasi ndërtova një televizion lokal në Vlorë me shumë pasion dhe dëshirë, shkoj atje sepse bëj një emision çdo të premte që quhet "Vlora.com". Ftoj personalitete të ndryshme të jetës publike shqiptare, intelektuale të njohur, këngëtarë aktorë, regjisorë etj., në një bisedë në studio për vlonjatët dhe për Vlorën. Kur më propozuan këtë emision, hezitova ta nisja, por administratori më tha "bëje për Vlorën, jo për televizionin tënd". Dhe më bindi. Tani më pëlqen shumë dhe është e gjatë radha e të ftuarve.
Cilat janë planet tuaja në të ardhmen, profesionale e personale?
Përpiqem mos të bej plane. Se pastaj bëhem keq po nuk i realizova. Për momentin po planifikoj të bëj pushime sa më të bukura, e pse jo më vonë dhe ndonjë udhëtim të largët.

(Intervista eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›