Arjan Leka, lundrimi që “mohon” jetën!
Nëse iu desh që me “Strabizmin” (2004) të lante hesapet me artikulimin tradicional të poezisë, që poeti e quante “vështrim i vëngërt ndaj kujt?”, si devijim vëmendje dhe shikimi nga vetë krijimtaria e tij paraardhëse, Arjan Leka shkon në një ekzistencë të nevojshme, të domosdoshme siç mund të jenë “poezitë e detit”. Mjafton që t’i referohet thënies latine, që u bë himn për holandezët marinaro-tregtar se: Lundrimi është i nevojshëm, jeta jo, thjesht... - Navigare est necesse, vivere necesse non est..., “poeti i detit” prej datës 20 dhjetor ka hedhur në treg vëllimin e ri me poezi “Libër deti”. “Është një pjesë e planetit, që shumë e duan, por pak e njohin. Një vend magjik dhe i rrezikshëm, ku trupi e shpirti përshtaten e bëhen njësh.
Deti...”, - shkruan Leka në fjalët hyrëse, duke na krijuar mundësinë e një virtualiteti të rrallë me detin. Një vend ku përmasës njerëzore nuk i përcaktohet kufij, por vetë njeriu e ka zgjedhur gjithnjë si një përmasë ekzistenciale, mbinjeriun. Na do mendja që këto poezi ta bëjnë lexuesin një “polumbar” pasionant, që për ta guxuar duhet t’ia njohësh së pari misterin si të pakapërcyeshëm sa je në breg të tij, ashtu siç vetë poeti pohon: “Deti dhurues, deti kufi, deti ndëshkues, deti mundësi, deti mister, urë, miqësi, premtim, shpresë, vdekje, jetë. 12 muaj kushtuar detit, njerëzve që i qëndruan përballë dhe atyre që i kthyen shpinën. 4 stinë për dashurinë dhe një qytet“. Të gjitha këto për poetin marrin trillin më romantik, por dhe sfidues për „njerëzit e tokës” - pas thënies latine:
Lundrimi ka rëndësi, jo jeta.
“A thua Leka është poet i protestës? Sipas meje, është vetmitari i dhembjeve që kanë për shtysë një trishtim aktiv. Është një nga protestuesit pa ndjesinë e demofilisë, ata që kurrë nuk i sheh nëpër protesta publike”, ka shkruar në librin studimor-kritik, shkrimtari Zija Çela i dedikuar krejtësisht për poezinë e Lekës. Dhe si duket përgjigjja vazhdon të jetë si një mision i pambyllur për të kuptuar pse e ka të nevojshme një poet që t’i rikthehet në pafundësi poezisë dhe kur bëhet fjalë për kulmin e tij mendojmë se ky libër të jetë një premisë e rikthimit të leximeve, si degustim i fjalës poetike. Në këto vitet e fundit shumë shkrimtarë që e kanë lëvruar poezinë e kanë ndalur penën, duke njohur një zbrazje në prozë, në shkrimin e romaneve dhe tregimeve. Edhe Leka e ka pasur një motivim të tillë që nga 2004 kur boton njëkohësisht “Shpina e burrit”, tregime dhe “Strabizmi” librin me poezi. Ndërsa më këtë të fundit nuk ka pasur shumë distancë nga botimi më 2000 të librit me poezi “Anija e gjumit”, një libër që poeti është shprehur se do ta kishte të lehtë të riprodhonte një libër të tillë, pasi lexuesi e ka marrë njëherë atë shije leximi. Eksperiencat janë ato që i krijojnë poetit ecjen sfiduese si mbi litar të nderur, për të cilin ka më shumë rëndësi se ecja me rrugë të sigurt, por të përshkruar njëherë.
Shembulli tipik për ta sjellë në vëmendje është se Leka me poezinë e parë “Ndarja me anijen” (tek Anija e gjumit) na njeh me një “filozofi” të fshehtë, krijuese se çfarë nuk duhet të përsërisim më nga vetja, dhe pika kur ndahet me të tjerat.
Kjo e ka çuar të sigurt në poezitë e “Strabizëm”, ku çfarë ka dashur të thotë është se asgjë në jetë nuk është ashtu sikundër duhet, përfshirë dhe poetin, duke kthyer vëmendjen në një mirënjohje për ato që njeh si paraardhës letrarë, ngulmim për ringjalljen e disa zhanreve të shkrimeve të vjetra, e përmbi të gjitha të gjuhës shqipe.
Arian Leka u lind në Durrës,(1966) nga ku besojmë se jo rastësisht ndodh ajo alkimi midis fjalës dhe imagjinatës, dhe një brendie shpirtërore lundruese. Në fillim të krijimtarisë së tij Leka ka botuar prozë të shkurtër, e më pas poezi, ese, roman, përkthime ,vjersha për fëmijë dhe ritregime të legjendave e miteve. Krijimtaria e tij është botuar në disa gjuhë të huaja (rumanisht, gjermanisht, italisht, kroatisht, bullgarisht) si libra të veçantë, por edhe në disa nga revistat më përfaqësuese evropiane të letërsisë së re. Veprat e tij të botuara që prej 94-ës janë: Ky vend i qetë ku s’ndodh asgjë, tregime, (1994); Sacro & Profano, ese, poezi, 1997; Veset e të vdekurve, tregime dhe novela, 1997; Doan Doel, Vjersha për fëmijë, 1998. Legjendat më të bukura të botës I, 1999; Anija e gjumit, poezi, 2000; Legjendat më të bukura të botës II, 2001; Gjarpri i shtëpisë, roman, 2002, Strabizëm, poezi, 2004; Shpina e burrit, tregime, 2004; Sot lejohet fluturimi, vjersha për fëmijë, 2007; Libër deti, poezi, 2009. Arian Leka është vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare për letërsinë.