Nis aplikimi për tek Studimet Evropiane, kriteret dhe afatet
Në Universitetin e Tiranës kanë nisur aplikimet për programe Master për Studime Evropiane, ku të gjithë aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin dhe të përmbushin kriteret e nevojshme, deri më 9 janar. Studimet Evropiane janë të ndara në tri profile: Legjislacioni dhe institucionet evropiane, Politika dhe qeverisje në Evropë, Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së. Të gjithë aplikantët që do të konkurrojnë për të fituar të drejtën e studimeve Master të Nivelit të Dytë, në njërin nga profilet duhet të plotësojnë një sërë kriteresh. Sipas kritereve të miratuara nga universiteti, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare DND ose DNID të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit (ekuivalentuar nga MASH) në një nga fushat: shkenca sociale, jurisprudencë, ekonomi, histori, filologji, si edhe të kenë notë mesatare të studimeve universitare 8 e lart. Gjithashtu, ata duhet të zotërojnë gjuhën angleze, të mbrojtur me një nga diplomat: IELTS (6.5), CPE (C), CAE (C), TOEFL 550/213 pikë) ose certifikatën e lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës.
Kandidatët duhet të jenë të rekomanduar nga dy persona që i njohin aftësitë akademike, profesionale dhe kërkimore të kandidatit. Njëri nga rekomanduesit duhet të zotërojë një titull ose gradë shkencore të një institucioni të arsimit të lartë, si edhe duhet të kenë lejen për vazhdimin e studimeve nga titullari i institucionit ku punojnë, në qoftë se janë të punësuar.
Nga data 03.12. 2009, kandidatët duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm deri më datë 09.01.2010 dhe menjëherë pas plotësimit të dokumentacionit, dosjet duhet të dorëzohen në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Në dosjen e aplikimit ata duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar të aplikimit; një certifikatë lindjeje me fotografi ose fotokopje e noterizuar e letërnjoftimit elektronik; biografi profesionale; fotokopje e noterizuar e diplomës universitare, e shoqëruar me listën e notave. Gjithashtu, ata duhet të dorëzojnë fotokopje të noterizuar të diplomave ose të certifikatave të kurseve të kryera për kualifikime të ndryshme pasuniversitare; fotokopje e noterizuar e dëshmisë së zotërimit të gjuhës angleze (dëshmi e provimit e lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës, TOEFL ose Cambridge IELTS, CPE, CAE); listë botimesh e shoqëruar me fotokopje të kopertinave të botimeve ose të abstrakteve të tyre; dy letra rekomandimi, secila e mbyllur në zarf dhe e firmosur nga rekomanduesi; leje nga titullari i institucionit për ndjekjen e studimeve pasuniversitare; tri fotografi me format pasaporte; si edhe fletëpagesën e taksës së regjistrimit për konkurrim; tarifa e regjistrimit është 2500 lekë e detyrueshme për të gjithë aplikantët.