E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Madhi: Dokumentet që implikojnë Shtabin në Gërdec

Partia Republikane kundërshtoi përsëri dje kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

 Kryetari i grupit parlamentar republikan, Arjan Madhi, ka paraqitur në konferencë shtypi disa dokumente që tregojnë se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë plotësisht në dijeni të gjithçkaje që bëhej në Gërdec. “Grupi i prokurorëve me qëllim apo jo, me urdhër apo jo, kërkon të dizinformojë opinionin publik kur deklaron se ministri i Mbrojtjes ka anashkaluar Forcat e Armatosura. Ka dokumente të plota zyrtare, urdhra dhe memo të ndryshme të nënshkruara nga autoritetet ushtarake, nga specialisti më i thjeshtë dhe deri te shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që kanë miratuar gjithë veprimtarinë për demontimin e municioneve në Gërdec”, tha Madhi. Sipas tij, “të akuzosh kryetarin e PR-së, ish-ministrin Fatmir Mediu, se ka anashkaluar Forcat e Armatosura, pasi për rreth 45 ditë ke pasur në dispozicion me dhjetëra dokumente që tregojnë në mënyrë të qartë të kundërtën, tregon synimin e Prokurores së Përgjithshme për shmangien e hetimeve për këtë ngjarje, ose mungesë të theksuar profesionalizmi”. I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i grupit parlamentar republikan lidhur me kërkesën e heqjes së imunitetit të Mediut, Arjan Madhi shtoi se, pavarësisht qëndrimit personal të ish-ministrit për të lënë imunitetin, grupi i PR-së do të udhëhiqet nga zbatimi i ligjit dhe jo nga vullneti i individëve. Kreu i grupit republikan konfirmon qëndrimin që PR-ja të futet në qeveri. “Partia Republikane nuk ka humbur të drejtën për të qenë në bashkëqeverisje, pasi është një faktor i rëndësishëm politik në bashkëqeverisjen e vendit”, u shpreh dje Madhi.
Shefi i Shtabit
Kreu i parlamentarëve republikanë tregoi një dokument, “memo” e ndërmarrjes MEICO dërguar në adresë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, në datë 18 qershor 2007. Në këtë shkresë, Ylli Pinari ish-drejtor i MEICO i shkruan Luan Hoxhës se Komanda e Mbështetjes Logjistike në Shtabin e Përgjithshëm kishte kontestime lidhur me zbatimin e kontratës së demontimit, nënshkruar në bazë të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, nr. 550, datë 25 prill 2007. Pinari i shkruante shefit të Shtabit të Përgjithshëm, se Komanda e Mbështetjes Logjistike në Shtab, kishte kontestime për ngarkimin dhe transportin e municioneve me forcat dhe mjetet e saj në qendrën e grumbullimit në Gërdec. Ankesa e dytë e Komandës së Mbështetjes Logjistike në Shtab, ishte se nuk përballonte grafikun e furnizimit ditor me municione për demontim dhe ankesa e tretë konsistonte se, ajo nuk merrte përsipër administrimin e municioneve në magazinën qendrore në Gërdec. Ylli Pinari i shkruante shefit të Shtabit të Përgjithshëm se, “nga të gjitha praktikat e import-eksportit, ngarkimi, transportimi, shkarkimi dhe administrimi i municioneve është bërë me mjetet dhe Forcat e Armatosura. Pinari kërkonte ndihmën e shefit të Shtabit të përgjithshëm për zgjidhjen sa më shpejt të këtij problemi për të vazhduar demontimin e municioneve, nga firma e cila kishte instaluar makineritë në Gërdec të Vorës.
Komisioni
Një tjetër dokument i publikuar dje nga Arjan Madhi, është shkresa e firmosur nga komisioni përkatës, që bënte vlerësimin dhe përcaktimin e municioneve të ushtrisë të destinuara për demontim. Dokumenti mban firmat e të gjithë anëtarëve të komisionit, me kryetar Kolonel Dashnor Çaushin dhe me anëtarë n/Kolonelin Sokrat Papadhima, Majorin Fari Toska dhe Senun Feron e Hysni Çoçkën. Ky komision ka marrë pjesë në vlerësimin dhe përcaktimin e sasisë dhe llojit të municioneve që në zbatim të kontratës mes MEICO dhe SAC-”Alba Demil” do të çmontoheshin në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Ky dokument mban datën 4 prill 2007.
Gëzhojat e tunxhit
Dokumenti i tretë që është bërë publik nga Arjan Madhi, është shkresa që Shtabi i Përgjithshëm nëpërmjet Drejtorisë së Logjistikës i ka dërguar sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullahi. Shkresa është një informim nga Shtabi i Përgjithshëm për verifikimin e kalibrave të municioneve me gëzhojë tunxhi, të cilët ishin kërkuar për çmontim nga shoqëria SAC-”Alba Demil”. “Në zbatim të urdhrit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, nr. 91, datë 22 janar 2007, “Për verifikimin e municioneve me gëzhojë tunxhi” grupet e inspektimit kontrolluan e verifikuan sasinë e kalibrave 7.62 mm, mod. 53, 12.7 mm, 14.5 mm e 37 mm KA, në 25 rajone grupdeposh të repartit ushtarak nr. 4001, Tiranë”, thuhet në shkresën e Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm. Kjo shkresë tregon se shefi i Shtabit kishte urdhëruar evidentimin e sasisë dhe kalibrave të municioneve me gëzhojë tunxhi, të cilat ishin kërkuar për çmontim në Gërdec, nga SAC-”Alba Demil”.                           t.s/a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›