Si bëhet letërsia botërore
Në qoftë se letërsia jonë nuk është aq botërore, aq e nevojshme për botën dhe gjithashtu nuk është aq e njohur në botë, ashtu siç do të dëshironim ne, me sa duket kjo nuk ndodh për arsye se vendi ynë është shumë i vogël, se kushtet janë të disfavorshme për të lindur një letërsi e madhe dhe interesante, por për arsye se letërsia jonë nuk është aq e madhe dhe aq interesante, nuk është aq e pjekur, e sinqertë dhe me përvojë, që të shprehë qartë e plotësisht kushtet e vendit tonë, marrëdhëniet dhe jetën çeke, gjithçka, qysh nga toka e deri në qiellin e yjeve, që gjendet si pasuri shpirtërore në fatin çek.
Sikur librat tanë çekë të ishin mjaft çekë, do të ishin gjithashtu mjaft botërorë. Derisa do të na pengojnë kufizimet tona, karakterit çek nuk do t’i krijojmë kurrë letërsi të barasvlerë me atë botërore. Rruga më e sigurt për te vlerat botërore është të treguarit si koncept se edhe ne, me vendin dhe me njerëzit tanë, jemi interesantë, jemi vërtet të pjekur dhe një pjesë e gjallë e botës. Dhe megjithëse vend i vogël, me popullsi të vogël dhe fat të vogël, prapë se prapë ky është një vend, gjithmonë janë fate dhe shorte njerëzish, dhe askush deri më sot nuk ka arritur të trillojë diçka më të përbotshme e më të përgjithshme se këtë.
Karel ÈAPEK
Herëpashere ndokush trishtohet, duke u ankuar se midis nesh nuk krijohet e ashtuquajtura letërsi botërore, por vetëm çeke, e vendit, provinciale (disa thonë edhe e qyteteve të vogla, të cilave u mungojnë shumë gjëra që të fitojnë ato cilësi të veçanta që e shquan një letërsi të tillë). Jo shumë kohë më parë, është thënë se romani çek, kur krahasohet me atë francez, anglez, rus (ndoshta edhe italian apo portugez, nuk më kujtohet me saktësi), dallohet për njëfarë mediokriteti dhe mikroborgjezie; thonë se gjoja me zor gjen katër-pesë romane, gjatë një varg vitesh të fundit, që i shpëtojnë kësaj diagnoze, por vetë autorësia e këtij gjykimi thekson se e kishte të vështirë t’i përmendte këto, sikur t’i kërkohej një gjë e tillë.
Përsa u takon atyre kushteve të vogla, mendoj se kushtet e Athinës, kur shkruante Sofokliu, në thelb nuk ishin më të mëdha se kushtet, ta zëmë, e Pëlzenjit të sotëm; kushtet në të cilat shkruante Servantesi për personin e tij nuk kanë qenë më të shkëlqyera dhe, po qe se merrni parasysh sasinë e popullatës së një kombi, një Knut Hamsun duhej të shkruante shumë më tepër letërsi botërore, sesa i ndjeri Ferdinand Shulci. Pra, nuk varet nga kjo. Përsa i përket propagandës jashtë shtetit, rekomandohej që nga kjo duhet pritur edhe më pak; në qoftë se nuk gaboj, qenia si shkrimtar botëror e atij që përmenda më lart, Knut Hamsunit, e Ibsenit apo Strinbergut, nuk ka qenë vepër e ministrive të jashtme përkatëse, por ka rrjedhur pak a shumë nga vetë veprat e tyre.
Dhe po qe se na është profetizuar se letërsia çeke do të bëhet botërore, sapo të plotësohet njëri a tjetri kusht historik, kjo nuk mund të mohohet ndryshe, veçse duke e quajtur profeci; ndërkaq, ne dimë se Karel Hynek Macha (poet romantik) nuk priti rezultatin e revolucionit të vitit 1848 që të krijonte vargun e lirë, as Otakar Brezina (poet i njohur çek i fillimit të shekullit të kaluar) nuk priti suksesin tonë kombëtar që të hapte krahët ndaj yjeve të universit; shkurt, ka shumë dokumente që dëshmojnë se talenti letrar është një nga çështjet e vogla historike në një masë të madhe të pakushtëzuara.
Ky artikull nuk ka për synim të vërtetojë shkaqet se përse letërsisë sonë i mungon “das gervisse Etwas”, që është në themel të kërkesës për letërsi botërore, por synon për të thënë se ç’është në të vërtetë kjo letërsi botërore dhe me se arrihet të bëhet botërore. Mendoj se më mirë kjo njihet në letërsitë dhe librat, që kanë arritur të bëhen botërorë.
* * *
Sapo të vërejmë më me kujdes librat që janë botërorë, do të shohim se shembujt janë të llojeve të ndryshme. Në radhë të parë, do të vëmë re se janë letërsi botërore ato libra që kanë patur sukses botëror, që janë përkthyer menjëherë në të gjitha gjuhët dhe janë bërë libra leximi për miliona lexues. Shpesh, këta janë libra për të cilët pas pesë ose dhjetë vjetësh askush nuk di asgjë; këto janë sensacione kalimtare që kanë kohën e tyre, si disa melodi apo muzika vallëzimi dhe që njësoj kalojnë shpejt; kujtoni se sa libra të famshëm të kohës suaj ju vetë i keni humbur nga kujtesa. Ose mund të jetë një kiç ndërkombëtar, libër leximi i pëlqyeshëm dhe universal. Në kohën e tij, Ohnet-i (shkrimtar francez, autor romanesh) ishte më i njohur botërisht sesa, të themi, Villiers de I’Isle Adam (shkrimtar francez); por kush do t’i lexojë sot ose do të botojë romanet shoqërore të Ohnet-it? Kush do të interesohet ende për “Garsonkën”, “Madonën e vagollive” dhe për llojin më të lartë apo të ulët të letërsisë, e cila në kohën e saj qe letërsi e lexuar vërtet në tërë botën?
Po, edhe kjo është njëfarë letërsie botërore; por, të nga arsye që kuptohen, nëse për të do ta marrë malli këtë apo atë autor, nuk gjejmë argumente që, në njëfarë mënyre, të ngrenë peshë për vlerësimin e letërsisë sonë. Është pothuaj fare dukshme sa pak rëndësi kanë romane të tilla të suksesshme botërore në zhvillimin real të letërsisë; prurja e tyre shpirtërore, zakonisht, është në raport të kundërt me pëlqimin e tyre nga publiku botëror.
***
Tipi i dytë i letërsisë botërore është tamam i kundërt. Këta janë libra që, në kohën e tyre, u ndeshën me mossuksesin e plotë ose zemëratën nga ana e publikut, shpesh edhe të kritikës; ishin libra që nuk shiteshin dhe nuk lexoheshin, veçse në një rreth të ngushtë ose pak a shumë në një rreth të jashtëzakonshëm. Vetëm pas do kohe, u duk e qartë se ajo që nuk pëlqehej në ta ishte bukuria e re, deri atëherë e paparë, ishte ai vështrim i ri dhe jokonvencional i gjërave, dukurive; u pa se ata libra thuajse të harruara, më vonë filluan të ndikojnë në të vështruarit, vizionin dhe shprehjen e brezave të tërë, në vetë zhvillimin e letërsisë botërore.
Ata nuk do të bëhen asnjëherë libra leximi për lexuesin e gjerë, por nga ana tjetër do të ndikojnë fuqishëm dhe për një kohë relativisht të gjatë në shpirtrat krijues; dhe, edhe kur të kalojë veprimi e ndikimi i gjallë përsa i takon risisë, novatorizmit e arritjeve shpirtërore, do të mbeten përherë vlera vetjake dhe historike, ku ne do të kthehemi si te shembulli dhe nxitja. Janë libra tepër të mirë, prandaj nuk mund të fitojnë vlera menjëherë, nuk mund të kuptohen lehtë dhe nga të gjithë; janë libra ekskluzivë, libra novatorë, libra eksperimentalë ose të çuditshem; këto janë libra që edhe pas vdekjes së krijuesve të tyre, kurorëzohen si të përbotshëm nga një klasë krejt tjetër, në krahasim me suksesin botëror me ç’është suksesi botëror i bujshëm dhe popullariteti. Le të kujtojmë fatin e Verlaine-it ose të Rimbaude-s, fatin e Lautreamont-it.
Po letërsisë sonë i mungon vallë kjo njohje botërore? Me sa duket, po; e thënë sinqerisht, krejt sinqerisht, ne nuk jemi vendi nga të dalin me shumicë të veçantë mendime dhe drejtime të reja; por kjo nuk është e vlefshme vetëm për letërsinë. Ne na duhej “të arrinim Europën”, siç thuhet; e këtë, në bazë të kushteve gjeografike dhe politike, nuk e kemi patur të lehtë dhe të thjeshtë; po kjo histori ende nuk është shkruar. Tani ka ardhur koha kur nuk duhet të shohim me aq admirim se çfarë bëhet jashtë dhe mund t’u përkushtohemi gjetjeve tona; por edhe kjo nuk mund të shihet ashtu menjëherë. Mbetemi në një masë të madhe borxhlinj që të studiojmë kulturën tonë të kaluar, të shohim më mirë nëse ka atje iniciativa dhe arritje të shquara vetjake; edhe vetë kjo do të krijonte një atmosferë më të frytshme...
***
Po kalojmë te një tjetër tip letërsie botërore, e cila është e një lloji tjetër veç atij letrar. Këtu kam parasysh aktualitetin historik që kanë librat, të cilë luftojnë për diçka ose kundër diçkaje. Le të themi se romani “Kasollja e xha Tomit” (vepër e shkrimtares amerikane Harriet B. Stou) sigurisht nuk është vepër e bukurisë stendaliane ose e gjallërisë balzakiane; megjithatë është një vepër e letërsisë botërore, thjesht edhe për faktin se me ndershmëri dhe në kohën e duhur shprehu thjesht një mendim të arsyeshëm: skllavëria duhej zhdukur.
Ja pra, që të qenët vepër e letërsisë botërore e këtij lloji nuk është e varur në ato që quhen kushte të vogla; mendimet e mëdha dhe të vërteta nuk kanë kufij; e përse edhe letërsia jonë nuk mund të jetë luftarake për çështje të mëdha dhe historike?
***
Më në fund, edhe tipi i katërt i letërsisë botërore, për të cilin mendojmë më shumë. Me çfarë u bë autor botëror Dikensi, ky shkrimtar më anglez i Anglisë? Me çfarë u bë Gogoli dhe të tjerët, të cilët shkruan letërsi ruse, aq sa nuk ka si bëhet më ruse? Me çfarë u bë Hamsuni aq nordik sa s’bëhet, me çfarë Sincler Louisi aq qind për qind amerikan, me çfarë u bënë aq të tjerë, të cilët në mënyrë spontane, të natyrshme ose me forcë, shprehën shpirtin dhe karakterin, tipat dhe jetën e vendit të tyre, të popullit të tyre?
E di se autorët që paraqita nuk bëjnë pjesë në një familje shkrimtarësh, ose në një shtresë; por të gjithë kanë të përbashkët faktin se nuk shkruan letërsi botërore, përkundrazi, krijuan një letërsi të pastër e të përsosur kombëtare, krejtësisht të përsosur të vendit të tyre; dhe kjo nuk i pengoi aspak që të mos bëheshin, madje me një natyrshmëri të veçantë e thuajse të çuditshme, letërsi për lexuesit e tërë botës. Është e vërtetë se këta janë shkrimtarë të mëdhenj; por kjo është mjaft e ngjashme me të vërtetën se Dikensi do të na kishte tërhequr më pak, sikur të shkruante romane për dozhët e Venedikut, ose sikur Hamsuni të na zhgënjente, duke filluar të shkruante romane dashurie nga Dovijë.
Atë që ne e duam më shumë, është tamam ajo që nuk mund ta sjellin të tjerët, që është vetëm e tyre në vështrimin, kuptimin lokal dhe empirik. Sa më angleze, më ruse, më e Veriut është vepra, aq më e thellë dhe më e qartë është e drejta e saj për të qenë letërsi botërore; në këtë qëndron paradoksi i asaj që quhet botërore. Kjo është, krahas njëfarë dhurate nga perëndia, ai kushti i vendit, që ne mund ta përshtasim edhe për letërsinë çeke. Në qoftë se letërsia jonë nuk është aq botërore, aq e nevojshme për botën dhe aq e njohur në botë, ashtu siç do të dëshironim ne, me sa duket kjo nuk ndodh për arsye se vendi ynë është shumë i vogla, se kushtet janë të disfavorshme për të lindur një letërsi e madhe dhe interesante, por për arsye se letërsia jonë nuk është aq e madhe dhe aq interesante, nuk është aq e pjekur, e sinqertë dhe me përvojë, që të shprehë qartë e plotësisht kushtet e vendit tonë, marrëdhëniet dhe jetën çeke, gjithçka, qysh nga toka e deri në qiellin e yjeve, që gjendet si pasuri shpirtërore në fatin çek. Sikur librat tanë çekë të ishin mjaft çekë, do të ishin gjithashtu mjaft botërorë. Derisa do të na pengojnë kufizimet tona, karakterit çek, nuk do t’i krijojmë kurrë letërsi të barasvlerë me atë botërore.
Rruga më e sigurt për te vlerat botërore është të treguarit si koncept se edhe ne, me vendin dhe me njerëzit tanë, jemi interesantë, jemi vërtet të pjekur dhe një pjesë e gjallë e botës. Dhe megjithëse vend i vogël, me popullsi të vogël dhe fat të vogël, prapë se prapë ky është një vend, gjithmonë janë fate dhe shorte njerëzish, dhe askush deri më sot nuk ka arritur të trillojë diçka më të përbotshme e më të përgjithshme se këtë.
Përktheu Gëzim Erebara
28 Prill 2008