E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Urdhri i Mediut, 6 ditë pas firmës në kontratë”

Ndërmarrja e import-eksportit të armëve dhe municioneve MEICO, ka nënshkruar kontratën e çmontimit me shoqërinë SAC-Albademil para se ministri i Mbrojtjes të nënshkruante urdhrin për këtë rast.

Trazhgim Sokolaj

Nënshkrimi i kontratës mes ndërmarrjet shtetërore dhe kompanisë private SAC-Albademil, në pronësi të Patrick Henry III dhe Mihal Delijorgjit, është bërë ekzaktësisht gjashtë ditë para se ministri i Mbrojtjes të firmoste urdhrin përkatës. Në këtë mënyrë, nënshkrimi i urdhrit nga titullari i dikasterit të Mbrojtjes, duket se është bërë vetëm sa për të zbatuar marrëveshjen që më parë ishte nënshkruar mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC-Albademil, bashkim i aksioneve të shoqërisë amerikane SAC dhe Mihal Delijorgjit. Një fakt i tillë është zbuluar nga hetimet pas tragjedisë së Gërdecit, ndërsa është përfshirë edhe në kërkesën që Prokuroria i drejtoi Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes. Prokuroria citon se në të vërtetë ka ndodhur e kundërta e asaj procedure që do të ishte e ligjshme. Sipas akuzës, procedura e ligjshme do të ishte që njëherë të hartohej dhe të merrte formë përfundimtare urdhri i ministrit të Mbrojtjes, e më pas, në zbatim të tij të firmosej kontrata përkatëse. "Gjashtë ditë para se të firmoste urdhrin nr.550, datë 25.04.2007, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-ALBADEMIL, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekt-urdhrit të dërguar për t'u nënshkruar tek ish-ministri Mediu", tha Prokuroria. Sipas saj, kjo është një nga shkeljet që renditen në listën e fakteve të zbuluara, sipas të cilave ish-kreu i dikasterit të Mbrojtjes duhet të hetohet penalisht për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Sipas Prokurorisë, "kontrata i paraprin në kohë urdhrit, i cili ka përligjur kontratën, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, sepse shitja e municioneve është e drejtë vetëm e ministrit të Mbrojtjes, që materializohet me urdhrin e tij". Organi qendror i akuzës pretendon se ka qenë kërkesa e SAC-ALBADEMIL e materializuar në kontratë, ajo që është marrë parasysh nga ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. "Kjo, sepse në pikën 3.3 të kontratës, është përcaktuar se vendi i dorëzimit të municionit do të jetë fabrika e Gërdecit, Vorë", vijoi më tej Prokuroria e Përgjithshme. Sipas saj, nënshkrimi i kontratës mes ndërmarrjes MEICO dhe shoqërisë SAC-Albademil, gjashtë ditë para se Ministria e Mbrojtjes të nxirrte urdhrin e saj, lë vend për dyshime dhe interpretime, sipas të cilave, edhe Ylli Pinari, drejtor i ndërmarrjes shtetërore, por edhe Mihal Delijorgji dhe Patrick Henry III, ortakë të SAC-Albademil, kanë pasur garanci se urdhri i Ministrisë së Mbrojtjes do të ishte në përputhje me kushtet e kontratës që ata kishin kërkuar e nënshkruar me MEICO-n. Kjo e fundit kishte nënshkruar një kontratë për çmontimin e fishekëve me SAC-Albademil, një shoqëri amerikano-shqiptare e krijuar posaçërisht për çmontimin e municioneve në Gërdec.

Urdhri

Urdhri nr.550 është firmosur më datë 25 prill 2007 nga ministri i Mbrojtjes dhe bën fjalë për demontimin e municioneve në ish-repartin e Gërdecit, i cili sipas këtij urdhri kalon në administrim të ndërmarrjes MEICO.
Sipas urdhrit, transporti i municioneve për në vendin e demontimit duhet të bëhej nga mjetet e Forcave të Armatosura.

Kontrata

Ndërmarrja MEICO ka lidhur kontratë me shoqërinë SAC-ALBADEMIL, në datën 19 prill 2007, gjashtë ditë para se të dalë urdhri i ministrit të Mbrojtjes. Kjo kontratë është lidhur për demontimin e municioneve në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec. Sipas Prokurorisë, kontrata në fjalë ka qenë pjesë e praktikës së dokumenteve që i janë çuar Ministrisë së Mbrojtjes para hartimit të urdhrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›